E Shtunë, 31 Tetor 2026

KE-ja njeh mandatin e ri të Ilir Rusmalit



Kryesuesi i Komisionit të Rregullave në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, deputeti britanik, Xhon Grinuej, konfirmon mandatin e deputetit shqiptar Ilir Rusmali si pjesë e delegacionit të vendit tonë. Në një intervistë për BBC-në, Xhon Grinuej, i pyetur nëse z. Biberaj do të lejohet të zërë vend në Asamble, u përgjigj: “Jo, zoti Biberaj nuk ka këtu status fare. Ai s'është anëtar i delegacionit shqiptar më. Ai vendim është marrë në Shqipëri dhe emri i tij nuk është në listën e katër anëtarëve që i është dërguar Asamblesë nga Parlamenti shqiptar. Dhe ajo listë është konfirmuar nga kryetarja e Parlamentit shqiptar. Dhe kjo është absolutisht e qartë”. Në listën e dërguar në Asamble nga kryetarja e Kuvendit figurojnë emrat e Ilir Rusmalit, Lajla Përnaskës, Arenca Trashanit dhe Kastriot Islamit. Grinuej konfirmon se të drejtat e delegacionit shqiptar për të votuar nuk janë “ngrirë”, siç është njoftuar nga disa media në Shqipëri. Ai e konsideron gabim një konstatim të tillë. “Ato nuk janë ngrirë në asnjë mënyrë. Kam biseduar me tre anëtarë të tjerë të delegacionit shqiptar që kanë qenë anëtarë më parë dhe ata janë të kënaqur plotësisht se është kështu dhe nesër komisioni im do të ulet dhe do të diskutojë me ta për qëndrimin e tyre ndaj kësaj çështjeje. E gjithë kjo ka të bëjë me tërheqjen e anëtarësisë së një anëtari të delegacionit dhe të zëvendësimit të tij për ç'gjë ai ka paraqitur kundërshtime dhe kjo është ajo që ka nxitur një anëtar tjetër të Asamblesë nga një vend tjetër që të thotë se do ta sfidojmë ratifikimin në mënyrë që kjo çështje të hetohet dhe kjo do të bëhet gjatë kësaj jave”, - tha Grinuej. Kryesuesi i Komisionit të Rregullave në Asamblenë sqaroi se katër anëtarët e delegacionit shqiptar që janë në Strasburg këtë javë mund të vazhdojnë të flasin, votojnë dhe të veprojnë si anëtarë të Asamblesë që përfaqësojnë vendin e tyre sikurse t'u jenë ratifikuar kredencialet e tyre derisa të jepet një vendim. Komisioni i Rregullave të Asamblesë do të përgatisë një raport mbi këtë çështje dhe kjo besohet se do të bëhet ditën e enjte, ndërkohë që delegacioni shqiptar mund të zërë vendet e veta në mënyrë provizore në Asamble me të drejta votimi dhe të drejtë fjale, por nuk mund të votojë për kredencialet e veta. “Nuk ka ndonjë ndëshkim për anëtarësinë e tyre”, - shtoi ai. Grinuej sqaroi se çdo delegacioni kombëtar, në fillim të sesionit vjetor apo kur zhvillohen zgjedhje dhe prezantohet një delegacion i ri, kredencialet duhet t’i miratohen nga Asambleja. “Në bazë të rregullave është e mundur që një individ të sfidojë ratifikimin e kredencialeve në bazë procedurale dhe si rezultat i kësaj, gjë që ndodhi me Shqipërinë, çështja pastaj i referohet Komisionit të Rregullave të cilin e kryesoj unë dhe pastaj ne do të paraqesim një raport sa më parë që të jetë e mundur dhe sigurisht brenda kësaj jave, por është shumë me rëndësi të kuptohet se anëtarët e delegacionit shqiptar lejohen të flasin dhe të votojnë në Asamble sikurse të ishin ratifikuar kredencialet e tyre”, - tha Grinuej.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›