E Shtunë, 31 Tetor 2026

Draft-raporti i Asamblesë së KE-së për shkarkimin e Biberajt



Komiteti i Rregullores, Imuniteteve dhe Punëve Institucionale në Këshillin e Evropës ka publikuar dje një draft-rezolutë në lidhje me çështjen “Biberaj”. Draft-rezoluta u prezantua dje nga kryetari i Komitetit, John Greenway, i cili bëri të ditur në raportin 5-faqësh të gjithë ngjarjen e ndodhur. Sipas draft-rezolutës, thuhet se Asambleja e KE-së është marrë me të gjitha pretendimet e ardhura në lidhje me zëvendësimin e deputetit Biberaj. Për herë të parë zbardhet letra e dërguar nga kryetarja e Parlamentit, e cila bëhet pjesë e këtij raporti, si dhe bëhet e ditur dhe një letër e nisur para dy ditësh nga Astrit Patozi, ku mbrohet shkarkimin i Biberajt si një veprim në bazë të rregullores së Kuvendit.

Raporti

Raporti nis me prezantimin e detajeve të çështjes, duke nisur në datën 26 janar me kërkesën e deputetit hungarez, Eorsi, për të mos miratuar kredencialet e delegacionit nga Shqipëria. Draft-rezoluta shkruan se çështja është trajtuar në bazë të artikullit 25 të statusit të KE-së. Sipas këtij dokumenti, letrat kredenciale të delegacionit shqiptar janë transmetuar në datën 5 janar të vitit 2009. Në këtë ditë, letrat kredenciale i janë dorëzuar Presidentit të Asamblesë nga sekretari i delegacionit shqiptar. Letrat kredenciale me anëtarët u dorëzuan në bazë të listës që Parlamenti shqiptar kishte caktuar më 7 nëntor 2005. Ndryshimi i anëtarit të delegacionit u bë në datën 8 janar 2009. Në këtë datë, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë i dërgoi një letër Presidentit të Asamblesë së KE-së, duke e informuar se zoti Biberaj u zëvendësua me zotin Rusmali. Draft-rezoluta më pas kërkon të sqarojë pyetjen në rast se zëvendësimi është bërë në bazë të rregullave. Në pjesën e konkluzionit të këtij dokumenti, thuhet se ndryshimi i anëtarit në delegacionin shqiptar është në rregull. Komiteti i Rregullores është informuar nga anëtarët shqiptarë në lidhje me rregulloren e Kuvendit shqiptar për emërimin e anëtarëve në KE. Drejtuesi përkatësi i grupit parlamentar, si dhe kryetarja e Kuvendit luajnë një rol kryesor në emërimin e anëtarëve të delegacionit. Në një letër që zoti Patozi, kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, drejtuar Presidentit të Asamblesë së KE-së në datën 26 janar, konfirmon zëvendësimin e Biberajt me Rusmalin, një deputet i PD-së gjithashtu. Gjatë takimit që organizoi Komiteti i Rregullores në datën 27 janar, zoti Rusmali dhe Islami informuar këtë komitet. Sipas këtij informimi, Parlamenti shqiptar ka nisur punimet në datën 19 janar, ndërsa Parlamenti nuk është informuar. Ndërsa informacioni i dytë thoshte se Parlamenti shqiptar ka qenë i informuar për zëvendësimin në bazë të rregullores së KE-së dhe Parlamentit shqiptar gjatë mbledhjes së tij në datën 26 janar, ku nuk u bë votim, ndonëse një debat u bë për këtë çështje. Sipas një letre të ardhur nga tri anëtarët shqiptarë në Asamblenë e KE-së në Komitetin e Rregullores, thuhej se kryetarja e Kuvendit nuk është e detyruar që të kërkojë mendimin për përcaktimin e ndonjë anëtari të delegacionit. Ndërkohë në një letër të dërguar nga zoti Biberaj në datën 22 janar, ai shkruan se për këtë zëvendësim është informuar në rrugë informale dhe se procesi nuk ka pasur konsultime. Në konkluzionet finale, thuhet se Komiteti i Rregullores ratifikoi letrat kredenciale të delegacionit shqipta

Letra e Topallit, dërguar Asamblesë së KE-së Në rezolutën e paraqitur dje nga Komiteti i Rregullores dhe Imuniteteve të Asamblesë së KE-së është zbardhur e plotë dhe letra e dërguar nga kryeparlamentarja Topallit për zëvendësimin e Biberajt. Në këtë letër, për herë të parë bëhet e ditur se Topalli njoftonte këtë zëvendësim me argumentin se Biberaj do të merrte një detyrë tjetër. Më poshtë, letra e plotë: “Z. Ilirjan Rusmali, deputet i Partisë Demokratike në Kuvend (...) do të jetë anëtar i delegacionit të Kuvendit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës për vitin 2009, sikurse edhe kryetar i këtij delegacioni, në vend të z. Aleksandër Biberaj, i cili është ngarkuar me një tjetër detyrë” Vlerësimet dhe përfundimet Është në praktikën e tanishme të Asamblesë Parlamentare që delegacionet shtetërore të bëjnë ndryshime në kredencialet, të cilat i bëhen të ditura paraprakisht sesionit të ndërmjetëm të janarit të Asamblesë përpara sesa kredencialet t’i dorëzohen Asamblesë për ratifikim. Asambleja ka pranuar në të shkuarën rrëzimin e listave të plota të kredencialeve të delegacioneve parlamentare. Si pasojë, ndryshimi i një anëtari të delegacionit shqiptar njoftuar më 8 janar 2009 nga kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë nuk ngre asnjë precedent të ri dhe duket sipas rregullave. A i ka plotësuar detyrimet mbi “mënyrën” e vendosur nga Kuvendi i Shqipërisë për përcaktimin e delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare? Komiteti i Rregullores, Procedurave, Imuniteteve dhe Çështjeve Institucionale i AP-së është informuar nga anëtarë të delegacionit shqiptar se pika 7, paragrafi 3 i rregullores së Parlamentit Shqiptar, përcakton si vijon: “Kryetari i Parlamentit në konsultim me kryetarët e gupeve parlamentare vendos listën e anëtarëve dhe kryetarin e delegacioneve të përhershme të Kuvendit në organizatat ndërkombëtare. Përbërja e delegacionit reflekton në maksimumin e mundshëm përbërjen politike të Kuvendit. Lista e anëtarëve të delegacioneve të përhershme dhe çdo ndryshim i bërë më vonë i paraqiten Kuvendit në seancën e parë parlamentare që vijon. Në rast kundërshtish, Kuvendi vendos me votë të hapur”. Kryetarët e grupeve parlamentare dhe kryetarja e Kuvendit luajnë një rol kyç në emërimin e delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare. Një letër që zoti Patozi, kryetar i Grupit Parlamentar të PD-së, të cilit i përket z. Biberaj, që i ka dërguar Presidentit të Asamblesë Parlamentare më 26 janar 2009, konfirmon zëvendësimin e z. Biberaj me z. Rusmali, gjithashtu deputet i Partisë Demokratike. E vetmja pyetje e hapur në lidhje me këtë çështje është, nëse ndryshimi i përbërjes së delegacionit shqiptar i është paraqitur Kuvendit të Shqipërisë? Në mbledhjen e datës 27 janar 2009, Komiteti i Rregullores së Procedurave ka shkëmbyer pikëpamjet me dy anëtarët e delegacionit shqiptar z. Rusmali dhe z. Islami dhe u informua si më poshtë: Parlamenti shqiptar ka qenë pushim deri në datën 19 janar, ndërkohë që më 8 janar 2009, kryetarja e Parlamentit ka informuar presidentin e AP-së mbi ndryshimin në delegacionin shqiptar. Në këtë mënyrë, Parlamenti nuk mund të ishte i informuar. Parlamenti shqiptar u informua mbi zëvendësimin e një anëtari të delegacionit të Kuvendit në AP, në bazë të nenit 7.3, të cituar më lart, të rregullores së Kuvendit shqiptar, gjatë mbledhjes së datës 26 janar. Ndonëse pati debate, ndryshimi nuk kaloi në votim. Sipas një letre të tre anëtarëve të Kuvendit të Shqipërisë, që i është dërguar Komitetit të Rregullores më 26 janar 2009, kryetarja e Kuvendit shqiptar nuk mund të vendosë në dyshim vullnetin e grupit parlamentar, në lidhje me një nga anëtarët e saj në delegacion. Ky njoftim u konfirmua edhe në shkëmbimin e pikëpamjeve të datës 27 janar 2009, që u citua më lart. Si pasojë, kryetarja e Kuvendit shqiptar nuk kishte tjetër rrugëzgjidhje tjetër më 8 janar, përveçse të informonte ndryshimin e delegacionit shqiptar tek presidenti i AP-së. Kështu, ndërkohë që Parlamenti shqiptar nuk ishte i informuar për ndryshimin e përbërjes së delegacionit më 8 janar, kjo u krye më 26 janar. Si pasojë, procedura e ndjekur nga autoritetet shqiptare është në përputhje me artikullin 25 të statutit dhe në kombinim me rregullin 6 të rregullores së procedurave. Nuk ka asnjë të dhënë se parimet e garantuara nga rregulli 7.1 i rregullores së procedurës së Asamblesë nuk janë respektuar në rastin konkret. Lista e anëtarëve të delegacionit shqiptar siguron një përfaqësim të drejtë të grupeve parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë dhe ka të paktën një anëtar të çdo gjinie. Mungesa e një deklarate solemne nga një anëtar i delegacionit, siç përcaktohet në rregullin 6, nuk është diskutuar. Në një letër të datës 22 janar 2009 për presidentin e AP-së, zoti Biberaj deklaroi se ai ishte informuar menjëherë përpara sesionit të ndërmjetëm të janarit të AP-së në një mënyrë informale për zëvendësimin e tij. Ai thotë gjithashtu se gjatë gjithë procesit të zëvendësimit nuk ishte konsultuar për këtë ndryshim. Asambleja ka deklaruar në mënyrë të përsëritur, për sa u përket kredencialeve, se ajo nuk ekzaminon çështje politike që kanë të bëjnë me procesin e emërimit të anëtarëve të Kuvendit, por vetëm me çështje procedurale. Mund të ketë çështje që kanë lidhje me këtë rast, por duhet të kemi të qartë se ky raport mund të shërbejë si një precedent për raste të tjera. Sugjerimet përfundimtare Pas ekzaminimit të kundërshtive të ngritura në këtë çështje, Komiteti i Rregullores së Procedurave, Imunitetit dhe Çështjeve Institucionale propozon që Asambleja duhet të ratifikojë kredencialet e delegacionit shqiptar. Mund të ketë mungesë respekti në lidhje me trajtimin e z. Biberaj, por kjo nuk i jep atyre arsye për të prishur rregullat e Asamblesë sonë. Duhet gjithashtu të kemi të qartë se ky raport mund të përbëjë precedent për çështje të tjera në të ardhmen. Megjithatë, biseda me dy anëtarë të delegacionit të Shqipërisë, më 27 janar 2009, tregon se rregulli 7.3 i Kuvendit shqiptar, që përcakton mënyrën e përzgjedhjes së delegacionit për në AP, ka ambiguitet. Rregullorja jep mundësinë e ngritjes së problemit kur ndryshimi i bëhet delegacionit gjatë periudhës që Parlamenti është në sesion. Këto çështje mund të ndiqen nga Komiteti i Monitorimit të AP-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›