"Do të shpërbleheshim pas shpërthimit në lokal"
LEZHE/ ROLAND NIKOLLI
"Pasi të shpërthente tritoli në lokalin e Eduart Cinit, ne do të shpërbleheshim". Kështu deklaruan dje në Gjykatën e Lezhës 16-vjeçari E.G. dhe i arrestuari tjetër si bashkëpunëtor në këtë ngjarje, Elton Malaj. Dy të rinjtë pranuan akuzën e prokurorisë, e cila bazuar në deponimet dhe provat e grumbulluara deri më tani, i kërkoi trupit gjykues masën e sigurisë "burg pa afat" për të tre të arrestuarit. Bazuar në këto prova, gjykata la në fuqi kërkesën e akuzës dhe la në burg të arrestuarit, madje edhe 16-vjeçarin. Altin Noga, i cili është edhe ideatori i atentatit që mbeti në tentativë në një bar-restorant në Lezhë, pranoi njëherazi me bashkëpunëtorët e tij akuzën. Ai theksoi para trupit gjykues se kishte tre muaj që e kishte menduar hakmarrjen ndaj Eduart Cinit. Gjithashtu, 33-vjeçari i është përmbajtur edhe në gjykatë deklaratës së dhënë prej tij para grupit hetimor. Sipas tij, objektivi i këtij atentati (Eduart Cini) e kishte ndarë atë me gruan rreth një vit më parë. Për shkak të lidhjes së gruas së tij me Cinin, 33-vjeçari i kishte vënë objektiv vetes për t'u hakmarrë. Pas deklaratës së tij, edhe dy të pandehurit e tjerë pranuan akuzën, duke "fajësuar" për gjithë këtë ndodhi që ngriti në këmbë policinë e shtetit me shumë struktura të saj, pikërisht Nogën. "Ai na kërkoi ta ndihmonim miqësisht, por na premtoi se do të na jepte shpërblim për këtë punë", deklaruan Malaj dhe adoleshenti. Ata nuk bënë të ditur se sa do të ishte shuma që do të paguheshin, pasi të hidhnin në erë lokalin bashkë me Eduart Cinin. Sipas burimeve, gjatë marrjes në pyetje të tyre në qelitë e paraburgimit, ata kanë zbardhur mjaft detaje që do të ndihmojnë në hetim. Burime të policisë bëjnë të ditur se të arrestuarit kanë pohuar vendin ku është marrë tritoli, si dhe personat që i kishte instruktuar ata për të lidhur lëndën plasëse me përcjellësin nëpërmjet telefonit. Kjo do t'u siguronte atyre shpërthimin në distancë me telekomandë. Blutë nuk përjashtojnë mundësinë e arrestimeve të tjera. Alarmi për sasinë rreth 2.7 kilogramë tritol u dha të dielën e kaluar nga pronari i lokalit.
Mamurras, arrestohet i kërkuari
Arrestohet i kërkuari për tentativë vrasjeje. Policia e Kurbinit bëri të ditur dje se Emanuel Shkreta ishte shpallur në kërkim, pasi më 14 janar të këtij viti i kishte zënë pritë një emigranti të sapokthyer nga Spanja. Ai kishte qëlluar me armë ndaj A. Shkëmbit teksa udhëtonte me mjetin e tij në Mamurras. Ngjarja kishte ndodhur për shkak të një konflikti të vjetër ndërmjet tyre. Autori tashmë i arrestuar e kishte kërcënuar më parë se do ta vriste, por për fat të mirë ai i shpëtoi plumbave. r.n