E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stuhia në Vlorë rrëzon shtyllat, kaos në port

 

VLORE/SARANDE - Era e fortë rrëzoi dhjetëra shtylla dhe tabela reklamash në Vlorë, duke rrezikuar jetën e banorëve. Pjesa më e madhe e qytetit mbeti pa energji elektrike mbrëmjen e së mërkurës. Era që arriti shpejtësinë deri në 40 metra në sekondë filloi rreth orës 20:30 të së martës, e deri në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme. Për gjithë natën, qarkullimi në aksin Vlorë - Plazhi i Vjetër u bllokua. Ndërsa ndërprerja e dritave shkaktoi anomali në njësitë tregtare si dhe në disa biznese, të cilat aktivitetin e tyre e zhvillonin natën. Në aksin Vlorë - Uji i Ftohtë janë rrëzuar disa tabela reklamash dhe shtylla ndriçimi. Xhamat e disa makinave, por edhe të banesave u thyen nga sendet që tufani ngriti në ajër. Si pasojë e dallgëve të mëdha, deri në 8 ballë në det të hapur, dy tragetet e linjës së Brindizit anuluan lundrimin. Gjithashtu, anijet e përpunimit të mallrave ndërprenë përpunimin në mol dhe u ankoruan në gji për të mos shkaktuar ndonjë përplasje. Dita e djeshme është paraqitur disi më e favorshme, por pasojat e erës gjatë natës ishin tepër të mëdha. Tragetet, ndonëse me vështirësi, kanë arritur të përpunohen dhe u nisën drejt Italisë. Ndërmarrja elektrike që në orët e para të mëngjesit filloi riparimin e disa defekteve në disa linja elektrike. Sipas ekspertëve sinoptikanë, sërish gjatë natës parashikohet se do të ketë erë të fortë, thuajse me të njëjtin intensitet shpejtësie. Koha e keqe shkaktoi probleme edhe në Sarandë. Lundrimi i trageteve të linjës Korfuz-Sarandë e anasjelltas u pezullua për shkak të detit me dallgë. Burime nga kapitaneria e portit në Sarandë thanë se dallgët arritën gjer në 7 ballë. Por ndërkohë, anijet e kësaj linje nuk përballojnë më shumë se 5 ballë, ndaj edhe u vendos që ato të qëndronin në radë deri në përmirësimin e motit.        q.b/ sh.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›