Biberaj i kërkoi OKB-së të hetojë mbi gjenocidin serb në Kosovë

Zv/Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Aleksandër Biberaj dhe një delegacion i KE-së, vizituan Organizatën e Kombeve të Bashkuar
Zv/Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Aleksandër Biberaj, pjesë e një delegacioni të KE-së që ditët e fundit vizitoi Organizatën e Kombeve të Bashkuara, kërkoi që "OKB të hetojë për genocidin serb të kryer në Kosovë, ku u vranë mbi 10.000 kosovarë, si dhe rezultojnë akoma edhe sot me mijëra të zhdukur”. Zyra e shtypit pranë z. Biberaj, njëkohësisht deputet i PD-së, njoftoi sot se "gjatë takimit me z. Francis Deng, Këshilltar Special për Çështjet e Genocidit dhe të Krimeve Masive, u diskutuan rastet e ndryshme që mund të klasifikohen si genocide. Një vend të veçantë në bisedë zuri edhe Ballkani me luftrat e tij, gjatë viteve 1990-1999". Duke u përqëndruar tek Ballkani, z. Biberaj u fokusua dhe tek masakra e Srebenicës, si një rast i pastër genocide, si dhe tek genocidi dhe spastrimi etnik i kryer në Kosovë nga ushtria serbe. Një takim të veçantë, delegacioni i KE-së pati me z. Jorge Urbina, Kryetar i Këshillit të Sigurimit, si dhe me ambasadorë të vendeve të ndryshme, të akredituar në OKB. Në këtë takim u diskutua kryesisht për reformën, e cila po diskutohet prej kohësh në OKB dhe që parashikon zgjerimin e mëtejshëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së me anëtarë të rinj si dhe rishikimi i së drejtës së vetos në Këshillin e Sigurimit, me qëllim kufizimin e përdorimit të saj apo edhe heqjen fare të saj. Z.Biberaj mbështeti idenë e zgjerimit të Këshillit të Sigurimit me anëtarë të rinj, si dhe atë të kufizimit të përdorimit të së drejtës së vetos, duke qenë më shumë në favor të heqjes së saj. Delegacioni i KE-së zhvilloi takime dhe me z. Alain Le Roy, Nënseketar i Përgjithshëm për Operacionet Paqeruajtëse, z. John Holmes, Nënsekretar i Përgjithshëm për Çështjet Humanitare dhe Emergjencat, znj. Eva Busza, nga Kabineti i Sekretarit të Përgjithshëm, si dhe znj. Jane Holl Lute, Asistente e Sekretarit të Përgjithshëm. Në qendër të takimeve ishin probleme të ndryshme që shqetësojnë sot OKB-në dhe KE-në.
...