Idealistë oportunistë!
III.
Kryeministri dhe kryebashkiaku, megjithëse urrehen për “vdekje” me njëri-tjetrin, kur bëhet fjalë për ligje të rëndësishme, të cilat ose do t’ua përforconin pushtetin edhe më shumë, ose do t’i zhvishnin nga shumë “VETO”, zgjedhin të bashkëpunojnë heshtazi me njëri-tjetrin, në përpjekje për të ndërtuar një aureolë të plotfuqishmi, nën hijen e së cilës projektojnë vetëm kokën e vet. Kështu që zgjedhin të ndjekin të njëjtat parime udhëheqëse. Ata të dy, sa më shumë kalon koha, aq më shumë i përngjajnë njëri-tjetrit! Por, meqë kryebashkiakut bëmat ia dinë vetëm ata që jetojnë në Tiranë, po marr si shembull kryeministrin.
Kryeministri është tashmë një “bukë e vjetër” në politikë dhe të gjithë shqiptarët e kanë ndjerë influencën e tij të paktën një herë në jetë. Kryeministri ka dhënë prova për veten e tij nga pozita e në rrethana të ndryshme. E kemi parë “kryengritës”, e kemi parë president, deputet, kryetar mazhorance, kryetar opozite dhe së fundi, kryeministër. Dhe me gjithë poshtë e përpjetat e karrierës së tij si politikan, ajo çfarë nuk ka ndryshuar kurrë, përkundrazi, është përforcuar edhe më tek ai, është AUTOKRACIA!
Ai vendos kudo! Në partinë e tij e di ai. Në mazhorancën e tij bëhet si të planifikojë ai. Opozita, kur është vetë në krye të saj, flet fjalët e tij. Edhe Presidenca, në kohë të tij kishte tjetër pushtet si Institucion. Ku shkel këmbë e tij, bëhet e tij dhe ai, me përmasat e kokës së vet qep festet e atyre që e ndjekin. Të atyre që zgjedhin të bashkëpunojnë me të. Të atyre që hipnotizohen lehtë nga shikimi i LIDERIT.
Një drejtues i tillë, grumbullon përqark vetes ose militantë, ose oportunistë, ose kuaj karrocash. Po t’i marrësh një më një të gjithë ata që rrethojnë kryeministrin dhe kryebashkiakun krye-opozitar, aktualisht, e t’i shohësh vetëm si profesionistë të pavarur nga politika, shumë prej tyre janë të admirueshëm dhe është një kënaqësi që i sheh të jenë aktualisht apo në të ardhmen ose pjesë e qeverisë, ose e kabineteve, ose e administratës, ose edhe sikur vetëm pjesë e shoqërisë. Mirëpo, nëse je profesionist në një fushë të caktuar dhe do të të propozonin një detyrë të lartë shtetërore, 2 janë llogaritë që do bësh me vete. Do t’i futesh politikës e do japësh kontributin tënd për një shoqëri më të mirë! Ose, nëse je pak aventurier, e sheh këtë mundësi si një eksperiencë të re nga e cila do të mund edhe të përfitosh disa gjëra me lehtësi!
Idealistët dhe Oportunistët!
Nga eksperienca e deritanishme, në historinë e Shqipërisë, idealistët janë gjithmonë shtresa më e pa përkrahur e shoqërisë. Ata që vërtet do të jepnin pa kushte gjithçka për të mirën e vendit të tyre, janë ata që s’marrin asgjë nga shteti. Sidomos propozime për poste të larta.
Nëse je profesionist në këtë vend, që të merresh në punë apo edhe qoftë në konsideratë duhet të rekomandohesh fort ose nga ndonjë mik, ose nga TV, ose të kesh lindur me këmishë, ose të jesh anëtar i ndonjë partie!
Madje, ky i fundit është kushti fillestar për punësimin në shtet.
Kur je pjesë aktive e shoqërisë, e ke fare të lehtë të njohësh stereotipin e profesionistit që nuk bën kompromise për hir të një vendi pune, sepse ka parime të shëndosha. Si dhe atë që nuk e zgjat fare me humbje kohe, por anëtarësohet në ndonjë parti, hyn e del pas 3 vjetësh nga shkolla “sipas të gjitha standardeve shqiptare”, shkon nëpër mitingje, ndjek liderin nga pas e për këtë shpërblehet me një vend pune !
E që të përmbushësh të gjitha kërkesat e anëtarëve të partisë, që vijnë te ti (o kryetar), jo sepse të besojnë (sepse, kush besonte, u çantarësua, kur pa se nuk qe muhabet idealesh kjo punë), por sepse duan të përfitojnë, shteti vihet në dorë të të paaftëve dhe kështu merr jetë çdo e keqe. Kjo është çfarë bën kryetari i partisë, kur fiton zgjedhjet. Këto janë premtimet e mbajtura!
Njerëz të zotë, të aftë, profesionistë të ndershëm e me parime të shëndosha ka në Shqipëri sa të duash.
Por është një tjetër lloj Shqipërie kjo e të papërfshirëve në politikë. Këta janë të pavarur. Me simpati të lehta politike, por të pa ngjyrosur. Ka mes politikanëve edhe shumë idealistë, por kur e di fare mirë se e ardhmja do të vazhdojë të jetë e përqendruar mbi të gjitha në duart e një njeriu që nuk do të zgjidhet në mënyrë demokratike, i cili me protagonizmin e vet edhe profesionistët do t’i zhveshë nga kreativiteti, nëpërmjet të cilit do të mund të krijonin kushtet për një shoqëri më të mirë, të vjen të plasësh! Duke dhënë urdhra, duke imponuar veten, duke mos synuar krijimin e një ekipi profesionistësh që prodhojnë, krijojnë e zbatojnë ide emancipuese, njëlloj siç kanë bërë deri më sot, kandidatët e së nesërmes do t’i mbushin plot me mundësi zgjedhjesh shqiptarët. Vitin tjetër mbi një fletë me veç dy emra, shqiptarët do të votojnë në mënyrë të lirë e demokratike për qeverinë e ardhshme.