E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, Berisha duhej ta dinte

Nga Revista MAPO

Revista “MAPO” sjell vendimin 584 të Këshillit të Ministrave që kushtëzon dijeninë e detyrueshme të kryeministrit për çdo akt që miraton qeveria, rolin që ka pasur ish-ministri Mediu në rastin e shtratit ligjor që parapriu Gërdecin, por dhe të ish-ministrit Bumçi. Ky vendim nuk legjitimon në asnjë rast “këshillimin” e këshilltarëve nga ana e Alibeajt. “MAPO” dëshmon gjithë procedurën ligjore që duhej të ishte ndjekur dhe një rrëfenjë artistike pa emra

Historia e vjetër

Kjo është një rrëfenjë artistike. Në vitin e largët 1993, shtatë të rinj shqiptarë u thirrën nga ekspertë të anti-terrorit të Shërbimit Informativ Kombëtar, SHIK, që atëherë drejtohej nga i ndjeri Bashkim Gazidede. Ata u akuzuan se duke punuar në një nga fondacionet e shumta të sapo-hapura në atë kohë, kishin botuar dy libra me përmbajtje të dyshimtë. Në këto libra iu bëhej thirrje “vëllezërve myslimanë që me ndihmë nga lart të vrisnin kaurët e poshtër”. As më pak dhe as më shumë, kjo ishte një vepër e pastër penale. I gjashti në këtë listë, atëherë vetëm 20 vjeç, i shenjës së virgjëreshës në horoskop, e dinte më mirë se të tjerët – ngaqë studionte për jurisprudencë – se kishte konsumuar pikërisht një vepër të dënueshme penale. Për arsye të ndryshme, por dhe për shkak të moshës së tyre të re dhe faktit që nuk ishin kontigjent kriminal, të rinjtë nuk u përcollën në gjykatë. U mbajt shënim pendesa e tyre dhe u lanë të lirë, kurse librat u asgjësuan. Megjithatë, për një rast të tillë, u vunë në dijeni edhe struktura të shërbimeve partnere jashtë vendit. I gjashti në listë, duke u thelluar paralelisht me studimet juridike, edhe në ato teologjike, në përpjekje për të shlyer gjynahun e vjetër, mundi të shkojë edhe në Mekë duke marrë titullin Haxhi. Sot, zyrtarisht, nuk e përdor këtë emër, në mes të emrit të tij dhe mbiemrit. Nesër, në kuptimin - në të ardhmen - që kjo fjalë ka në shqip, nëse nuk konsiderohet sekret, lista edhe mund të publikohet.

Historia e re

Tani, të rikthehemi te ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj. Prej një muaji revista “MAPO” dhe media të ndryshme të shkruara dhe elektronike në Shqipëri e kanë konsideruar atë si të përfshirë në procesin e shkrimit dhe hartimit të akteve ligjore që paraprinë tragjedinë e Gërdecit. Duke qenë në postin e drejtuesit të Departamentit të Kontrollit të Brendshëm administrativ... ai ka shkelur rregulloren e këtij institucioni, i cili në asnjë nen të tij nuk i jepte këtë të drejtë. Vetë ministri në mbrojtjen e tij publike pranoi përfshirjen e tij në këtë proces, por këmbënguli se në këtë rast – dhe në raste të tjera të ngjashme – ai kishte kryer me përpikmëri detyrën e tij, të sanksionuar nga e njëjta rregullore. “Bashkangjitur ke një relacion mbi situatën juridike dhe mundësitë ligjore për implementimin e një marrëdhënieje kontraktore të D. P. D. për rastin konkret”, shkruhet në një nga e-mail-et që Alibeaj i dërgonte këshilltarit Juridik të ish-ministrit Mediu. Rasti konkret ishte hapja rrugë e çmontimit të materialeve ushtarake nga firma private.

Megjithatë, ekziston një rregullore e Këshillit të Ministrave, e miratuar me vendim të datës 584, datë 28 gusht 2003 dhe firmosur nga Fatos Nano (ndryshuar), e cila përcakton në detaje, ndër të tjera, edhe mënyrën e hartimit të projekt-akteve, përgatitjen e tyre, bashkërendimin, paraqitjen për shqyrtim, futjen e tyre në rendin e ditës, diskutimin, botimin dhe shpërndarjen e akteve. Në hierarkinë e ligjeve, ky vendim – edhe nëse bie në kundërshtim me rregulloren e departamentit të dikurshëm të zotit Alibeaj – ka epërsi zbatimi. Po kështu ekziston dhe ligji me numër 9000, datë 30 janar 2003, firmosur nga ish-Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave” që saktëson se si funksionon ekzekutivi.

Përfshirja e kryeministrit

Vetë kryeministri Berisha ka mohuar publikisht të kishte pasur dijeni për gjithçka që kishte të bënte me Gërdecin dhe çfarë kishte paraprirë atë. Ka mohuar gjithashtu dhe përfshirjen e njerëzve të tij të afërm në tragjedinë që shkaktoi mbi 300 të vrarë dhe të plagosur më 15 mars 2008. Edhe pse deri më tani nuk e ka përmendur kurrë në lidhje me këtë çështje ministrin e tij aktual të Drejtësisë, është e qartë se ai e përjashton bashkëpunëtorin e tij të ngushtë prej saj. Dhe ka gjasa që kjo të jetë e vërtetë, veç nëse kihet parasysh roli i vetë kryeministrit në përgatitjen e akteve që miraton Këshilli i Ministrave. “Kryeministri bashkërendon procesin e përgatitjes së programit analitik të projekt-akteve dhe e propozon për miratim në mbledhjen e Këshillit të Ministrave”, thuhet në pikën 9, të vendimit 584. Ky nen kushtëzon pikërisht rolin e kryeministrit në të gjitha procedurat e ngjashme dhe natyrisht edhe për atë të ndjekur në rastin e realizimit të shtratit ligjor të Gërdecit. E gjithë kjo shkon ndesh me mohimin e dijenisë që kryeministri ka shprehur.

Si përgatitet projekt-akti

Vendimi i mësipërm i Këshillit të Ministrave shpjegon dhe detajon në mënyrë të hollësishme se si realizohet ky proces. Neni 13 saktëson se ministri “mbështetur në vlerësimin paraprak të projekt-aktit, cakton me urdhër të veçantë çështjet që duhen rregulluar, format e pjesëmarrjes dhe hapat kryesorë të realizimit dhe bashkërendimit të procesit legjislativ, afatet përkatëse të zbatimit të tyre, strukturat përgjegjëse, si dhe burimet njerëzore dhe materiale që ngarkohen të punojnë me strukturën juridike për hartimin e çdo projekt-akti”. Pra, në rastin e projekt-akteve që lidhen me atë çka ndodhi më pas në Gërdec, këto detyra që ngarkon ligji duhet të ishin realizuar nga ish-ministri Mediu. Urdhri përkatës i zotit Mediu për këtë rast nuk është bërë publik. Më tej, neni 14, saktëson se projekt-akti “hartohet nën përgjegjësinë e strukturës juridike...” dhe kjo gjë legjitimon pjesëmarrjen në proces të këshilltarit Juridik të Mediut, gjysma e segmentit që mbaronte me Alibeajn. Neni 15 i jep të drejtë dikasterit të mbrojtjes që të “...kërkojë mendimin e ekspertëve të tjerë, brenda dhe jashtë ministrisë”. Në pamje të parë, duket se kështu legjitimohet dhe eksperti jashtë Ministrisë së Mbrojtjes, Alibeaj, por nuk është plotësisht kështu. Në tërësi, vendimi sipas nenit 9, të sipërcituar, ngarkon kryeministrin ta urdhërojë një gjë të tillë për Alibeajn. Pra, duhet një urdhër i kryeministrit ndaj tij që ta legjitimonte atë në këtë pozicion. Në këtë rast, ose kryeministri e ka firmosur një urdhër të tillë dhe ka pasur dijeni për atë çka po përgatitej të ndodhte në Gërdec, ose Alibeaj është sërish tërësisht jolegjitim në rolin e “këshilltarit” të këshilltarit.

Dhënia mendim për projekt-aktin

“Të gjitha projekt-aktet pa përjashtim i dërgohen për mendim ministrit të Drejtësisë, i cili duhet të shprehet lidhur me ligjshmërinë e formës dhe përmbajtjes, për çështjet e zbatimit të unifikuar të teknikës legjislative...”, thuhet në nenin 22 të vendimit 584. Në rastin konkret, ish-ministri i Drejtësisë, Bumçi, e ka bërë një gjë të tillë në datën 9 mars 2007, me shkresën me numër 1594/1. Po kështu, mendim duhet të shprehë ministri i Financave, kur ka efekte financiare apo dhe sipas rastit, edhe ministri i Ekonomisë. Bode besohet se ka qenë kundër vendimit të 14 marsit 2007, por publikisht ende nuk dihet se cili ka qenë qëndrimi i tij në mbledhje. Kjo gjë pritet të mësohet në përfundim të hetimeve të nisura nga Prokuroria e Përgjithshme. Varësisht llojit dhe natyrës së projekt-aktit, në të mund të përfshihen dhe anëtarë të tjerë të kabinetit qeveritar.

Neni 40 i këtij vendimi parashikon dhe përfshirjen në procesin e miratimit të projekt-aktit të Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave. “Nëse është e nevojshme, sipas urdhërimeve të kryeministrit, Sekretari i Përgjithshëm kujdeset për reflektimin teknik të zgjidhjeve të arritura, me pjesëmarrjen, sipas çmimit të tij të Departamentit Juridik dhe atij të koordinimit në KM...”, thuhet në këtë nen. Neni 47 i jep të drejtë këtij nëpunësi civil, më të lartit në KM, edhe për të kthyer mbrapsht një projekt-akt të caktuar. Ai përpilon dhe rendin e ditës së mbledhjes së qeverisë që e miraton kryeministri.

Diskutimi i projekt-akteve

Produkti i bashkëpunimit Alibeaj - këshilltari Juridik i ministrit të Mbrojtjes, i shndërruar në projekt-akt, do të duhej, siç dhe ndodhi, të miratohej në mbledhjen e qeverisë. Ai mori formë ligjore më 14 mars 2007.

Të gjitha hapat e përshkruara nga vendimi 584, që kushtëzojnë miratimin e projekt-aktit, dëshmojnë së paku tri momente: dijeninë e plotë e të detyrueshme ligjore të kryeministrit për projekt-aktin që u miratua më 14 mars, fiks një vit përpara se të hidhej në erë Gërdeci, rolin e ministrit të linjës, zotit Mediu në përpilimin dhe hartimin e tij dhe delegjitimimin e pjesëmarrjes së zotit Alibeaj në këtë proces. Raportin mes tyre natyrisht nuk është detyrë e medias që ta sqarojë. Ashtu siç është detyrim i saj që të publikojë në të ardhmen një pjesë të listës së vjetër me shtatë emra “gjynahqarësh” që kanë pasur një problem me SHIK e Gazidedes në vitin 1993.

Pa koment, një komunikatë shtypi dhe një editorial

Po ofrojmë fjalë për fjalë një komunikatë shtypi të Ministrisë së Drejtësisë të datës 2 nëntor 2008: “Lidhur me një pretendim të shtypit mbi një shkresë të supozuar se mban mbi të një shënim të ish-ministrit të Drejtësisë, z. Aldo Bumçi, sqarojmë se:

Në arkivin e Ministrisë së Drejtësisë ndodhet e protokolluar kjo shkresë me nr. prot 1594/1 i datës 09.03.2007.

Përmbajtja e kësaj shkresë, lënda e saj është “Mendim për një Projektvendim” dërguar Ministrisë së Mbrojtjes dhe mban firmën e ministrit të Drejtësisë të asaj kohe, z. Aldo Bumçi.

Në këtë shkresë nuk ka asnjë shënim dhe ky është dokumenti i vetëm i depozituar në protokollin e Ministrisë së Drejtësisë.

Por kohë më parë, më 3 korrik 2008, në media është botuar editoriali me titull “Ina e di....!” në një pasazh të tij shkruhet: “... (ish-ministri i Drejtësisë, Aldo Bumçi)... ka bërë një gafë fenomenale shkresore që para se atë personalisht, godet vetë kryeministrin në pikën më të dobët të mbrojtjes së tij publike dhe politike për tragjedinë e Gërdecit. Një gafë e kryer nga zelli që e detyroi të ulë sytë dhe të rikrijojë me shkrimin e tij me germa të vogla dhe firmë një strukturë të re hierarkike të shtetit shqiptar, të panjohur me Kushtetutë, të pakodifikuar në ligj, por normale dhe të zakonshme në kushtet e Shqipërisë dhe me shembuj të tjerë të ngjashëm në rajon. Burime të rezervuara konfirmojnë edhe detaje: gafa e tij ndodhet në shkresën e datës 9 mars 2007, me numër protokolli 1594/1”.

Ministri Alibeaj reagon fiks katër muaj mbasi përmendet publikisht ekzistenca e shkresës së ish-ministrit Bumçi. Për më shumë, editoriali mund të konsultohet në adresën http://www.balkanweb.com/sitev4/index.php?words=lorenc+vangjeli&where=1&go=K%EBrko%21.

Për heshtjen e gjatë 4-mujore, por dhe më shumë se kaq, mund të konsultohet jo vetëm ministri Alibeaj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›