E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flamuri raporton për takimin Mustafaj-Withers

Nga Tema

Antena brenda familjes

Besnik Mustafaj ishte parë duke ngrënë drekë me ambasadorin amerikan dhe Flamuri nuk e dinte. Një gazetë ditore ia kishte bërë gjëmën, pasi kishte njoftuar se Besnik Mustafaj dhe ambasadori Withers kishin bërë takim sekret. Kjo e kishte tërbuar atë burrin, i cili e mori në telefon dhe e pyeti: “ǒka ndodhur?” Flamuri që nuk dinte gjë, iu përgjigj se “gjithçka është në rregull”.

- Flamur, ç’ishte ky takimi sekret që ka bërë me ambasadorin amerikan ky Besniku?

- Takim sekret ...? Nuk e di, por, po qe se ka qenë sekret, ku ta di unë? Ja të pyes njëherë.

- Të kam thënë të bësh kujdes, se ke në ngarkim fushatën për Tiranën. Nga unë i merr lajmet ti?

- Do ta sqaroj dhe të them menjëherë, - i tha Flamuri i zënë ngushtë.

Pasi mbylli telefonin, nisi tortura. Kë të pyeste ai se ç’kishin folur. Kamerieri i restorantit s’besoj se ka dëgjuar gjë. As ajo vajza që pret mysafirët. Bela e madhe e gjeti. Pastaj i dha një rrugëzgjidhje. E di unë ç’do kenë folur, tha. Do jetë ankuar ai për këto që i bëjmë ne. Unë po ia raportoj sikur e mora vesh.

Pas gjysmë ore e mori në telefon.

- Pyeta disa burime të mijat, - i tha. - Një madje punon në ambasadë dhe më ka shumë qejf mua. Më shpjegoi disa gjëra që ua kishte thënë ambasadori.

- Po vazhdo, - i tha Berisha. - Çfarë i ka thënë?

- Së pari i është ankuar që ti ke lënë çdo punë dhe po merresh me degën e Tiranës. Nuk e di se nga e ka marrë vesh, por i paska raportuar se ti ke urdhëruar çdo ministër të mbulojë nga një nëndegë në Tiranë për të mbikëqyrur procesin e zgjedhjes në seksione. Paska shpifur, tani ka shpifur...d.m.th., i ka thënë, se ai s’di gjë që ne e kemi bërë vërtet... se ne paskemi interes... d.m.th., unë e ti.... duam që të kemi nën kontroll çdo kryetar seksioni, se nga ata varen pastaj zgjedhjet e delegatëve për Konferencën e Tiranës. E ka dhe me mua, jo vetëm me ty, se e di ai që unë do t’i bëj zgjedhjet e delegatëve. Po e paska kapur problemin.....

- Urdhëro...? - u dëgjua nga ana tjetër e telefonit zëri pyetës i doktorit, shumë i shqetësuar.

- Jo, desha të them se do ketë marr vesh ndonjë gjë, se ai më ka shumë frikë mua, se e di që të zgjedhurit e seksioneve do jenë njerëz të mitë.

- Si të tutë, se s’e kuptova? - i tha Berisha.

- Po se po flasim në telefon dhe e kam vështirë të flas drejt. D.m.th., do jenë tanët, si ta them, s’do jenë të atij ata që do zgjidhen.

- Po natyrisht që s’do jenë, po më thuaj çfarë kanë fol me ambasadorin?

- Po pra, atë desha të them, që i është ankuar që ne po kontrollojmë zgjedhjen e kryetarëve të seksioneve dhe pastaj atë të delegatëve. Ka thënë që gjithë ministrat janë angazhuar në degën e Tiranës dhe na ka akuzuar ne që po bëjmë garë jotransparente.

- Ashtu ë..? Tjetër, ç’ka thënë tjetër? Për kundërshtarët ka thënë gjë?

- Jo, i ka thënë kam respekt për Bojaxhiun, se është djalë i mirë, por e ka kap peng tek energjia me Fazlliçin. Ambasadori i paska thënë se ka të njëjtin mendim. Madje, ambasadori i paska thënë që “kisha shumë respekt për këtë Bojaxhiun, por u çudita, kur më thanë se e ka pritur Fazlliçin te “Zogu i Zi”, te një lokal bashkë me Neritan Sejaminin.” Por ky... d.m.th., Besniku, është treguar i kujdesshëm. Nuk ka thënë asnjë fjalë të keqe. As ambasadori. Ja vetëm këtë punën e Fazlliçit kanë përmend.

- Paskan bë mirë, Flamur. Për PD Fazlliçi është një viktimë e opozitës. Miqtë e tij janë dhe armiq të opozitës. E paskan ndihmu Gjergjin. Më dëgjo mua, kjo e ndihmon Gjergjin. Të thuash sot në PD që kam prit i pari Fazlliçin, është vlerë. Ata që e kanë fyer atë, janë ata që duan tenderat e energjisë, tenderat e rrugëve, tenderat e koncesioneve. Jo, ne do t’u qëndrojmë atyre. Ne kemi njerëzit tanë. E paskan ndihmu këtu, mos ki frikë.

Flamuri, i çliruar, deshi të shtonte ndonjë gjë tjetër.

- Këto më tha kryesisht ky burimi im në ambasadë, s’di ç’të them më, - i tha Flamuri.

- Jo drejt të ka thënë. Qenka i informuar. Më vjen mirë që e ka kuptuar se po i vjen fundi. Tani bë pak kujdes të hapësh fjalë që Mustafaj është njeri i Topit dhe kërkon të prishë zgjedhjet, don të na njollosë imazhin e PD.

- Si Pollo më ’99, - tha Flamuri i gëzuar.

- Jo, Pollo jo, Pollo .. dëgjo ishte tjetër kohë, ky e bën me sabotu futjen e Shqipërisë në NATO dhe prishjen me BE. Jo, ky do marrë përgjigjen që meriton, nuk e lë me kaq unë. Mirë tani, mirupafshim.

Flamuri, i lehtësuar që s’ia mori për keq gafën, përplasi telefonin në tokë.

- S’u mësova që s’u mësova me këtë Kuqon, akoma vazhdoj ta shaj, harrova që na është kthyer prapë në shtëpi, - tha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›