E Shtunë, 31 Tetor 2026

I zoti di ku pikon çatia

Nga Sadedin Çeliku

Ditët e fundit u bë publik zyrtarisht raporti i KE për punën e qeverisë shqiptare për vitin 2008.

Në pamjen e parë krijohet përshtypja se gjatë këtij viti ka patur progres në të gjithë sektorët, ekonomikë, politikë, socialë dhe janë bërë reforma të tilla që kanë çuar në rritjen ekonomike e mirëqenien e popullit. Në fakt, nga raporti del se ka disa përparime, për të cilat nuk ka meritë vetëm qeveria, por dhe opozita, e cila ka qenë faktor pozitiv e i rëndësishëm për reformat në tërësi dhe në ato që lidhen me integrimin në veçanti. Por, populli thotë: “I zoti e di se ku i pikon çatia”. Ne falënderojmë faktorin ndërkombëtar për asistencën dhe ndihmën e saj që i jep Shqipërisë, por natyrisht ai që vuan keqqeverisjen dhe pasojat, është dhe mbetet populli shqiptar. Në këtë kuptim është me rëndësi analiza realiste që i duhet bërë raportit të KE, në mënyrë që të merren masat e nevojshme për korrigjimin e të metave që vihen re në atë raport.

Kryeministri i Shqipërisë, kryetarja e parlamentit, po edhe të tjerë e paraqesin atë raport si punë të mirë të qeverisë, punë e cila ka prodhuar vetëm suksese. Në fakt, nuk i takon qeverisë ajo analizë, por neve, që çdo plagë e prekim me dorë. Çfarë ndodhi me të vërtetë në këta tre vjet të qeverisjes dhe në mënyrë të veçantë gjatë vitit 2008?

Vështirë të thuhet se ka ndonjë qeveri në Evropë që qeveris me njerëz të paaftë. Nuk realizohen investimet publike me fondet buxhetore dhe ato me financim të huaj. Nuk merren masa për reduktimin e varfërisë, për rrjedhojë populli sot është më i varfër se kurrë.

Niveli i papunësisë është në shifrat 40% dhe raportohet 13%. Nuk ka politika të qarta për punësim nga Ministria e Punës dhe e Shanseve të Pabarabarta. Sipas raportit të CIA, 50% e popullsisë jeton me bixhoz apo lojëra fati. Shikoni se do t’i gjeni këto mjedise me shumicë. Ka rritje të krimit të organizuar dhe të trafiqeve. Ka keqadministrim të fondeve publike dhe vjedhje. Nuk zbardhet problemi i rrugës Durrës-Kukës-Morinë, nuk merret asnjë masë për shpërdorimet që nxjerr KLSH në raportin e saj (22 milionë dollarë dëm ekonomik) etj. Niveli i korrupsionit është rritur në atë shkallë, ku vështirë se mbarohet punë në ndonjë institucion pa paguar pará.

Nuk mbahet asnjë përgjegjësi qoftë dhe morale për 27 të vdekur në Gërdec, 16 minatorë në Bulqizë dhe 5 të mbytur në Butrint. Qeveria bën të paditurin për sigurinë kombëtare dhe atë njerëzore. Shqipëria trajtohet si çiflig i disa njerëzve dhe reformat bëhen në emër të popullit. Bëhen presione mbi drejtësinë për realizimin e qëllimeve politike dhe natyrshëm për të mos vënë drejtësi asnjëherë Vazhdojnë emërimet politike, të cilat janë bërë në masë, duke shkaktuar dëm të madh ekonomik, duke mos zbatuar kriteret e përvojës dhe profesionalizmit. Emërimet politike kanë vazhduar të bëhen në kundërshtim me ligjin për administratën civile. Raporti e konsideron problematik faktin e ndryshimit të vazhdueshëm, pa asnjë formim dhe arsim përkatës të punonjësve të kësaj administrate, të cilët pengojnë paanësinë e këtij shërbimi dhe rrisin mundësinë për mitmarrje.

Media në përgjithësi dhe ajo elektronike në veçanti, vazhdon të deformohet. Shikoni televizionin e vetëm publik që ka Shqipëria. Nuk shikon asgjë, përveç spoteve publicitare të z. Berisha, Topallin e kabinetin qeveritar. Vështirë se e shikon njeri atë kanal, që tashmë është bërë i bezdisur.

Mbrohen njerëzit që kanë konflikt interesash dhe nuk largohen nga puna. Korrupsioni është në shifra alarmante, por, kur vjen puna, arrestohen roje e brigadierë, se ata e kanë fajin dhe se qeveria vazhdon t’i ketë duart të pastra. Çmimet e tregut janë të larta dhe qeveria nuk ndërhyn qëllimisht. Në këtë mënyrë taksat e konsumit janë rritur dhe të ardhurat për frymë kanë rënë. Në emër të reformave fiskale dhe rritjes së të ardhurave kombëtare, janë rritur taksat mbi të ardhurat dhe baza e llogaritjes së tyre, rrogat, megjithëse deklarohen të rritura 100%, nuk i kalojnë 30%. Plagët sociale janë rritur, vetëvrasjet, droga, gjakmarrjet etj., dhe qeveria ia ka lënë dopio gjashtën shoqërisë civile apo OJF.

Ka rënë fuqia blerëse, sepse njerëzit nuk kanë pará as për të blerë ilaçe dhe jo më ushqim. Rritja ekonomike që deklaron qeveria nuk çon në rritjen e mirëqenies ekonomike për frymë. Emigracioni vazhdon të mbetet faktor i rëndësishëm për plotësimin e vakuumit që krijon varfëria në vendin tonë. Investimet nuk drejtohen atje ku zihen njerëzit me punë dhe prioritetet vendosen me theks politik.

Privatizimi është kthyer qëllim në vetvete për përfitim, ai nuk bëhet transparent dhe të bën përshtypje, se deformohet me qëllim. U privatizua ARMO dhe nuk u zbatua VKM për trajtimin e punonjësve me dy vjet pagë të plotë dhe një vit asistencë. Në Albtelekom iu mohua punonjësve shpërblimi për privatizimin që iu takon me ligj, sepse nuk desh z. Bode. Tani mbeten për t’u parë të tjerat, si OSSH, AMC, INSIG etj.

U amendua ligji për kontrollin teknik të automjeteve. Meqenëse privatizimi paraqet disa vështirësi, u vendos të jepet me koncesion për 20 vjet ky shërbim. Sipas këtij ligji, agai që e merr, ruan monopolin mbi të. Të gjitha automjetet duhet të paraqiten vetëm atje. Ndërkaq, do të përfitohen miliarda lekë si agjent tatimor për mbledhjen e taksës së regjistrimit dhe atë të qarkullimit. Pse? Ato vlera duhet t’i marrë shteti dhe jo një individ. Përse ruhet monopoli i këtij shërbimi dhe nuk decentralizohet? Tani Shqipëria ka njësi të tilla që plotësojnë më së miri kushtet teknike.

Përse është vendosur në qeveri shitja e aseteve (aksioneve) që kanë mbetur nga Telekomi, ARMO, INSIG, AMC etj? Ku e ka hallin kryeministri që deklaron se shteti heq dorë plotësisht nga pjesa e vet e pronësisë në sektorët strategjike të ekonomisë? A nuk duket kjo si një lëvizje e pastër politike në prag të fushatës së ardhshme? Heqja dorë dhe nxitimi i privatizimit, kur vendin e kërcënon kriza financiare botërore e bankave, efektet e së cilës do të prekin dhe vendin tonë, tregon se qeveria është e interesuar në ‘emërimin’ e padronëve të rinj në këto shoqëri. Nga ana tjetër, meqenëse viti i ardhshëm është vit elektoral, ajo synon përmes këtyre masave, të rrisë të ardhurat, duke bërë të zakonshmen, atë që quhet buxhet suplementar.

Deklarimi i kryeministrit se në buxhetin e vitit 2009 do hedhë 5, 2 miliard dollarë, është i frikshëm. Së pari, ky deklarim ka karakter politik, për shkak të zgjedhjeve. Së dyti, ai nuk merr parasysh pasojat që sjell borxhi publik, thellimi pa kriter i deficitit buxhetor dhe faktorët që ndikojnë në ekonomi.

Procesi i privatizimit është i vonuar dhe efekti në shitjet e aseteve të mbetura në sektorët strategjikë në arkën e shtetit do të jetë tepër i vogël.

Procesi i licencimit të shkollave jopublike është bërë pa kriter dhe pa marrë parasysh pasojat. Janë bërë 20 universitete në vend, nga të cilat 4 thuhet që janë akredituar. Nxënësit e dobët shkojnë në shkollat jopublike, se kanë të garantuara notat maksimale, sepse ata pedagogë që bëjnë tjetër vlerësim, largohen nga puna. Në këtë mënyrë, reforma u bë e pastudiuar, e për rrjedhojë do të prodhojë njerëz me formim të dobët.

E pra, të tilla plagë mund të numërojmë pa fund. E keqja është se, kur ato krijohen me dashje, nganjëherë bëhen të pariparueshme edhe për brezat e ardhshëm.

Tashmë koha që ka mbetur deri në zgjedhjet e ardhshme është relativisht e shkurtër, ku qeveria ka detyrat kryesore, jo vetëm ato që evidenton raporti i KE, por dhe ato që ka pritur dhe pret populli.

Reforma në drejtësi, Kodi Elektoral, prodhimi dhe organizimi i shpërndarjes së kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike, si dhe organizimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme, janë një provë e gjallë, pa të cilën nuk ka integrim në strukturat e NATO-s dhe Bashkimin Evropian.

Çdo nënvleftësim i këtyre detyrave është me pasoja të rënda për Shqipërinë dhe shqiptarët, të cilët me të drejtë kanë aspiruar me dekada.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›