Biberaj në Kiev, pjesmarrës në Forumi Ndërkombëtar dedikuar 75-vjetorit të Holodomor

Zëvendëspresidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, deputeti i Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj, është nisur dje për në Kiev (Ukrainë), ku do të marrë pjesë në Forumin Ndërkombëtar, dedikuar 75-vjetorit të Holodomor (vdekjet masive të urisë) të viteve 1932-1933 në Ukrainë. Forumi organizohet nën kujdesin e Presidentit të Ukrainës, z. Viktor Yushenko. Në këtë Forum Ndërkombëtar pritet të marrin pjesë kryetarë shtetesh, përfaqësues të institucioneve të ndryshme ndërkombëtare, politikanë nga vende të ndryshme, historianë, akademikë, si dhe përfaqësues të organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Nga Këshilli i Evropës, përveç Biberaj, në këtë Forum do të marrë pjesë edhe Presidenti i Komisionit Politik të Këshillit të Evropës, deputeti suedez Goran Lindblad, i cili është edhe hartuesi i rezolutës “Për domosdoshmërinë e dënimit ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste”.
Gjatë qëndrimit në Ukrainë, Biberaj parashikohet të zhvillojë dhe një sërë takimesh të rëndësishme me pjesëmarrës në Forum. Aleksandër Biberaj është mandatuar nga Komisioni Politik i Këshillit të Evropës për të investiguar krimet e regjimit totalitar të Stalinit në fillim të viteve ‘30 në Ukrainë, si dhe në ish-republikat e tjera sovjetike.
...