Estonia turpërohet nga spiuni që shiti NATO-n te rusët
.jpg)
Skandali në vendin e vogël balltik, vë në alarm shërbimet inteligjente të Aleancës Veriatlantike. Vlerësohet si rasti më i bujshëm i spiunazhit në favor të rusëve, pas atij të ish-shefit të kundërzbulimit të CIA-s, Aldrich Ames, në vitin 1994.
Jehona e Luftës së ftohtë është rikthyer në Selinë e NATO-s në Bruksel, pasi një gjeneral estonez u zbulua ditët e fundit si një “agjent i fjetur” që kishte kaluar në favor të Moskës, informacione “top-secret” të Aleancës veriatlantike. 61-vjeçari Herman Simm, një ish-zyrtar i lartë në pension, në Ministrinë e Mbrojtjes të Estonisë, është arrestuar sëbashku me të shoqen, me dyshimin se ata kishin qenë rekrutuar nga oficerët e KGB-së vite para se ish-Bashkimit Sovjetik të shpërbëhej.
Prokurorët e shtetit tashmë besojnë se Simm ka mbajtur kontakte të rregullta përgjatë gjithë kohës pas shpalljes së pavarësisë së Estonisë që nga viti 1991 e këtej, edhe me pasardhësen e agjencisë së shërbimit të jashtëm të KGB-së, që njihet me inicialet “SVR”.
Spiunit iu besua rrjeti i sigurisë
Shefi i dikurshëm i policisë ishte dhe gjetja e duhur për rusët: mes viteve 1995 - 2006 ai ndihmoi në ngritjen e një sistemi sigurie të nivelit të lartë për trajtimin e të gjitha dokumenteve sekrete që kishin të bënin me Nato-n, ndërsa Estonia ishte në prag të anëtarësimit në Aleancën Perëndimore në vitin 2004.
Lajmi ka alarmuar aleatët e Estonisë në Nato, të cilët po diskutojnë tashmë rrjedhjen më të madhe të shërbimeve të saj të inteligjencës, qëkurse shefi i kundërzbulimit amerikan të CIA-s, Aldrich Ames, u zbulua si spiun i sovjetikëve në vitin 1994.
Jaanus Rahumägi, kryetar i Komisionit Parlamentar estonez të Sigurisë Kombëtare, ka pranuar ndërkohë për mediat, se spiuni në fjalë ka shkaktuar një “dëmtim historik” për Aleancën Veriatlantike. “Ne po analizojmë aspekte të ndryshme të aktiviteteve të Herman Simm, sistemin aktual të sigurisë dhe gjithashtu mënyrën se si të ruajmë më mirë sekret tona shtetërore”, tha ai.
Si u zbulua agjenti i rusëve?
Ai pohoi ndërkohë se ekipe të specializuara të NATO-s nga Brukseli, kanë mbërritur në Estoni për të bërë hetimet e duhura. Pasi kishte inspektuar dosjen në fjalë dhe ishte njohur paraprakisht me çështjen, një zyrtar gjerman e përshkroi situatën si “katastrofale”. Ndërkohë një zyrtar tjetër i cituar nga revista prestigjoze gjermane “Der Spiegel” e përshkroi Simm si një “peshk të madh” që “u jepte rusëve praktikisht çdo gjë që kishte lidhje me NATO-n dhe BE-në”.
Zyrtarët estonezë në fakt janë shfaqur shumë të tërhequr në dhënien e detajeve rreth çështjes në fjalë, por mediat estoneze kanë spekuluar se detaje të planit amerikan të mbrojtjes raketore, tashmë është e sigurt se mund të jenë plotësisht në duart e rusëve.
Kontaktet e spiunit Simm me KGB-në besohet se janë mbajtur me anë të një agjenti tashmë të FSB-së, me një pseudonim që ngjan të jetë si emër spanjoll. Kur ky agjent u përpoq të rekrutonte një tjetër njeri në një dikaster të mbrojtjes në një nga vendet e reja anëtare të NATO-s, kjo u raportua direkt në Selinë e Aleancës, duke çuar në zbulimin e Simm-it nga oficerët e kundërzbulimit të Aleancës Perëndimore.
Ai do të shkojë tashmë drejt gjyqit - në pranverë të vitit të ardhshëm – dhe me shumë gjasa rrezikon më shumë se 15 vjet burg për tradhëti e veprimtari agjenturore, bëjnë të ditur mediat vendase .
Spiuni, prona, ferma e vila në Talin
Hetuesit që po kërkojnë për një motiv konkret për veprimet e spiunit të rusëve në Estoni, kanë zbuluar ndërkohë se Simm, tashmë në pension, ishte në zotërim të një tufë pronash e pasurish të patundshme në Talin, si dhe të nje vile e një ferme pranë kryeqytetit të republikës së vogël balltike.
Zyrtarët e hetuesisë estoneze kanë bërë gjithashtu të ditur se Herman Simm, kishte qenë nën vëzhgim për muaj të tërë dhe u arrestua në fakt që në muajin shtator nga organet e tyre, pasi dyshohej për konakte me një njeri me identitet të dyshimtë. Por pas disa javësh hezitim, më në fund, dyshimi u qartësua e ai u shpall zyrtarisht i ndaluar me një akuzë konkrete.
Në shtëpinë e tij, hetuesit gjetën gjithashtu një radio të vjetër, të cilën ata besojnë se spiuni e përdorte për t’ u vënë në kontakt me rusët. Specialistët vlerësojnë se metodat e përdorura prej tij për të mbajtur gjallë kontaktet me shefat punëdhënës e kolegët e e tij rusë, ishin primitive krahasuar me ato që përdoren tashmë në shekullin e 21-të. Ai vlerësohet se megjithatë kishte krijuar më shumë akses në sekretet më të rëndësishme shtetërore, se sa çdo lloj tjetër spiuni i kohës së Luftës së Ftohtë më parë, i pajisur me mjetet më moderne.
Estonia, “njëshi” i elektronikës në NATO
Estonia, njëra nga vendet më të zhvilluara në fushën e elektronikës, së fundmi kishte bërë të ditur se kishte dixhitalizuar gjithë sistemin e saj të informacionit qeveritar, duke eliminuar letrat e dosjet e vjetra, por duke u ekspozuar kësisoj në mënyrë potenciale tek hakerat e internetit. Republika e vogël balltike ishte përshkruar nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, kohë më parë si “kombi me njohuri më të thella në informatikë i Aleancës”. Por rrjedhja në sektorin e Sigurisë Kombëtare - me shumë gjasa - i jep fund kështu shpresës së Estonisë për t’ u bërë vendi ku do kishte selinë, Qendra Kibernetike e NATO-s.
Tensionet mes Rusisë e Estonisë
Tensionet mes Estonisë e Rusisë kanë njohur acarime qëkurse Talini zyrtar mori vendimin për të hequr një statujë bronxi që përkujtonte të rënët e Ushtrisë së Kuqe gjatë asaj që rusët e konsiderojnë si “çlirimi nga nazizmi” dhe që për shumicën e estonezëve etnikë, nuk ishte gjë tjetër veçse “pushtimi nga sovjetët” dhe fillimi i një ere të re vuajtjesh nën Stalinin dhe shovinizmin rus. Por, Juri Kivimae, kreu i një universiteti për studime estoneze në Toronto të Kanadasë, thotë se rasti i spiunit në fjalë, nuk është veçse njëri nga të shumtët nga manovrat që aplikohen në territorin e vendit të tij dhe që ndërthurin problemet mes Rusisë e Perëndimit.
"Të gjithë balltikët, edhe më parë kanë qenë rrjete të vërteta spiunësh për vende të ndryshme", tha ai duke shtuar se "Unë besoj se ky rast do të shkaktojë tashmë edhe më shumë dëme në marrëdhëniet ruso-estoneze".
"Është me të vërtetë me interes për Moskën të mbajë gjallë akoma disa rrjete me aktivitete spiunazhi", thotë ndërkohë Olga Oliker, një analiste me përvojë e politikave ndërkombëtare për një mediat perëndimore. "Tashmë, sigurisht se kemi diçka të ndryshme në krahasim me Luftën e Ftohtë, por Moskës i intereson shumë të ketë dijeni se çfarë planifikojnë e mendojnë vendet e tjera".
...