Biberaj përshëndet anëtarësimin e Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar
Deputeti i Partisë Demokratike, njëkohësisht anëtar i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave në Kuvendin e Shqipërisë, Aleksandër Biberaj, ka përshëndetur dje anëtarësimin e Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar. Biberaj theksoi se “pas njohjes së Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran nga 58 vende, anëtarësimi i Kosovës në FMN përbën hapin më të rëndësishëm në fushën ekonomike, pasi ky anëtarësim i hap Kosovës rrugën për marrjen e kredive, me qëllim zhvillimin ekonomik të vendit, si dhe anëtarësimin e Kosovës në Bankën Botërore dhe institucionet e tjera ndërkombëtare me karakter ekonomiko-financiar”. “Anëtarësimi i Kosovës në FMN i shërben rritjes së paqes dhe stabilitetit të rajonit të Ballkanit Perëndimor nëpërmjet zhvillimit ekonomik të këtij rajoni si dhe integrimit të tij në ekonominë europiane dhe atë globale”,- shprehet më tej deputeti Biberaj.
11 Maj 2009