Patozi në Mat: “PD-ja do të fitojë për shkak të gjendjes së mjerueshme të opozitës”
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Astrit Patozi në vazhdim të turit të takimeve paraelektorale është ndalur dje në komunën Komsi të rrethit të Matit. Gjatë fjalës së mbajtur para banorëve, Patozi u shpreh se PD-ja ka më shumë shanse të fitojë zgjedhjet për shkak të reformave të ndërmarra gjatë katër viteve në pushtet, por edhe për shkak të gjendjes së mjerueshme në të cilën ndodhet opozita. “Përballë nesh në zgjedhje kemi një kundërshtar të lodhur, të kapitulluar e të demoralizuar. Kemi përballë një kryetar të opozitës, i cili thotë se do të kërkojë vota përtej të majtës e të djathtës. Por përtej të majtës e të djathtës do të thotë se ata janë në krizë të madhe identiteti. Ngaqë kanë gjëra për të fshehur e shumë afera korruptive si dje ashtu dhe sot ata nuk flasin për Parti Socialiste por përmendin shprehjen përtej të majtës e të djathtës”, - është shprehur Patozi. “Ne kemi ardhur këtu për të kërkuar dhe njëherë mbështetjen tuaj. Duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen që i keni dhënë Partisë Demokratike në vite, ne kërkojmë më tepër mbështetje sepse kemi bindjen që ky vend po ndryshon dhe se ky vend mund të ndryshojë akoma më shumë për mirë në katër vitet e mandatit tonë të dytë qeverisës”, - është shprehur Patozi.
Topalli hap dyert e Kuvendit për nënat dhe fëmijët
Në mjediset e Kryesisë së Kuvendit, Kryetarja e Kuvendit u takua me qindra nëna, artiste të mirënjohura, këngëtare, shkrimtare e mësuese me rastin e 9 Majit, ditës ndërkombëtare të Nënës. Në një atmosferë krejtësisht të veçantë e festive Kryetarja e Kuvendit u përcolli urimet më të mira nga zemra nënave dhe fëmijëve të tyre, miqve më të veçantë në Kuvendin e Shqipërisë. “Sot është një festë krejt ndryshe nga festat e tjera. Është festa më e bukur, është festa më e ëmbël, është festa më madhështore. Është dita e nënave tona. Gëzuar festën të dashura nëna! Gëzuar të gjithave! Gëzuar fëmijëve, për nënat e tyre të mrekullueshme!”, është shprehur Topalli. “Prehri i nënës është akademia më e madhe e botës. Unë këtë e besoj plotësisht. Fëmijët tanë mendojnë se ne jemi të forta, të hekurta, sepse ne nuk mërzitemi kurrë, nuk dorëzohemi kurrë. Sepse edhe kur qajmë, edhe ku mërzitemi, edhe kur qeshim ne themi: Do të vazhdojmë përsëri. Nënat edhe pse të ndryshme nga njëra-tjetra, kanë një gjë të përbashkët, gjuhën e amësisë që lidh nënën me fëmijën. Burrat mund të jenë të majtë dhe të djathtë, gratë janë demokrate, demokrate dhe vetëm demokrate”, - është shprehur Topalli.
11 Maj 2009