Qeveria ul në 10% taksat për biznesin e vogël
Qeveria miratoi dje projektligjin për sistemin e taksave vendore, që vendos kufizimin deri në 10 për qind të taksës së biznesit të vogël. Në projektligjin e qeverisë është parashikuar miratimi i tij me procedurë të përshpejtuar nga Kuvendi i Shqipërisë. Miratimi i një projektligji të tillë vjen vetëm një muaj para fushatës zgjedhore dhe synon uljen nga 30 deri në 10% të taksave për biznesin e vogël. Kryeministri Berisha, gjatë fjalës së tij, akuzoi pushtetin vendor për rritje abuzive të taksave për biznesin e vogël, të cilin ai e cilësoi promotor të zhvillimit ekonomik të vendit.
Projekti
Projekti parashikon ndryshime në ligjin për sistemin e taksave vendore në Shqipëri. Sipas këtyre ndryshimeve, “taksat dhe tarifat e aplikueshme nuk duhet të jetë më shumë se 10 për qind e nivelit tregues të taksës së biznesit të vogël, sipas kategorisë së rrethit dhe qarkullimit vjetor”. Ndërkohë që taksa do të jetë e ndryshme në zona të ndryshme të vendit. Në ato raste ku biznesi ndodhet në qendër të qytetit taksa do të jetë më e lartë se 10%. Projekti gjithashtu parashikon vendosjen e taksave të përkohshme. “Këshilli bashkiak ose komunal, kur e gjykon të domosdoshme, vendos taksa me karakter të përkohshëm, në interes të përgjithshëm të komunitetit, në territorin brenda juridiksionit të saj. Masa e taksave me karakter të përkohshëm, së bashku me taksat dhe tarifat e aplikueshme, nuk duhet të kalojë kufirin plus 10 për qind të nivelit tregues të taksës së biznesit të vogël, sipas tabelës së taksimit të subjekteve të këtij biznesi”, - shkruhet në vendimin e qeverisë.
Qëndrimi
Gjatë fjalës së tij kryeministri u shpreh se ulja e taksës do të ndikojë në buxhetin e pushtetit vendor, por qeveria do ta ndihmojë atë. Kryeministri Berisha njoftoi gjithashtu një tjetër masë në mbështetje dhe mbrojtje të biznesi të vogël. “Organi tatimor qendror, me një Task-Forcë të veçantë, të shqyrtojë me përparësi çdo ankesë të biznesit të vogël. Qeveria do të ketë tolerancë zero ndaj abuzimit me të. Ashtu siç po bën këtë ligj, qeveria mund të bëjë edhe ligje të tjera për ta mbrojtur atë”, - është shprehur Berisha. Kryeministri theksoi se nuk mund të pranohet që bashkitë të rrisin çdo vit taksën e pastrimit apo gjelbërimit.
Berisha konsideroi se një tjetër masë në mbështetje dhe mbrojtje të biznesit të vogël do të jetë edhe rritja e pagave dhe pensioneve më 1 maj. “Ky vit, në të cilin biznesi i vogël i ndien më shumë pasojat e krizës botërore, i ndjen ato së pari me uljen e konsumit për shkak të kësaj krize. Ndaj, rritja e pagave dhe pensioneve më 1 maj është mbrojtja më e mirë që i bëhet biznesit të vogël, sepse është një rritje shumë e ndjeshme e fuqisë blerëse e, së paku, 800 mijë familjeve shqiptare. Është e pabesueshme dhe e pakonceptueshme që ky akt sulmohet, në vend që të përgëzohet. Duke sulmuar këtë akt veçse dëshmohet, se alternativë e vetme është mjerimi dhe varfëria. Në qoftë se rrisim pagat dhe pensionet, në raport me tregun, përfituesi numër një, pas atyre që përfitojnë këtë rritje page e pensioni, është biznesi i vogël. Kjo do të thotë më shumë shitje për të dhe kjo është jeta e tij”, - u shpreh kryeministri. Berisha siguron biznesmenët e vegjël se qeveria do të monitorojë me vëmendje të madhe gjendjen e tyre për t’i dhënë përgjigjen e merituar imediate çdo abuzimi mbi ta.
16 Prill 2009