Gjinushi: “Korrupsioni është realiteti i Berishës”
Kreu i Partisë Socialdemokrate ka deklaruar se korrupsioni është realiteti i PD-së dhe i vetë kryeministrit Berisha. Sipas tij, kryeministri është i gatshëm për bashkëpunim me këdo. “Berisha është i gatshëm të bashkëpunojë me këdo, sado i korruptuar që të jetë, mjafton që të mbajë pushtetin”,- është shprehur Gjinushi. Ai u shpreh se PSD-ja lufton korrupsionin dhe kur është pjesë e pushtetit dhe kur është në opozitë ndryshe nga propaganda dhe partia Demokratike. Këto deklarata kryetari i PSD-së i bëri në dy takimet që pati me strukturat socialdemokrate në rrethin e Kavajës dhe në Rajonin Nr. 10 në Tiranë. Gjinushi tha se PSD-ja nuk e kërkon votën thjesht për premtime elektorale, por për veprimet që kjo forcë ka treguar në politikë. Kreu i PSD-së është shprehur edhe për marrëdhëniet e kësaj force politike me të majtën. Ai deklaroi se PSD-ja ka treguar që respekton mandatin me votuesit dhe ka qenë faktor i bashkimit të së majtës, dhe jo i ndarjes. “PSD-ja nuk e ka parë luftën për pushtet thjesht për interesa partiake dhe në funksion të kësaj nuk ka provokuar çarje dhe ndarje të së majtës”, - tha kryetari i socialdemokratëve. PSD-ja pritet që së shpejti të nënshkruajë marrëveshje për koalicion me PS-në. Anëtarët e PSD-së presin që nga zgjedhjet e 28 qershorit grupimi PS-PSD të marrë mbi 70 mandate.
Luis Tanushi
16 Prill 2009