E Diel, 1 Nëntor 2026

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë në Bibliotekën Europiane

Është nënshkruar këto ditë Memorandumi i Mirëkuptimit mes Konferencës së Bibliotekave Kombëtare të Europës, të përfaqësuar nga Dr. Elisabeth Niggermann, dhe Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, të përfaqësuar nga Dr. Aurel Plasari, për përfshirjen me statusin e partnerit të plotë të BKSh në Bibliotekën Europiane.

Biblioteka Europiane është një institucion i ri bashkëkohor, i themeluar si nismë e Konferencës së Bibliotekave Kombëtare Europiane, që tanimë u ofron lexuesve internetistë shërbim falas dhe qasje në 48 biblioteka kombëtare dhe në 20 gjuhë. Burimet e ofruara prej saj janë dy llojesh: digjitale ose bibliografike (libra, postera, harta, regjistrime zanore, video etj.). Në ditën e sotme Biblioteka Europiane u jep qasje 150 milionë njësive bibliotekare. Hyrjet e koleksioneve digjitale të referencës janë gjithnjë në rritje. Cilësia dhe mirëfunksionimi garantohen nga 48 biblioteka kombëtare të Europës, numri i të cilave vjen duke u shtuar.

Me nënshkrimin e këtij memorandumi Biblioteka Kombëtare, nga ana e saj, ka marrë përsipër të integrojë bazën e të dhënave të veta, si edhe informacionin digjital, tanimë nëlinjë, në portalin e përbashkët të Bibliotekës Europiane brenda muajit dhjetor të këtij viti, duke mundësuar kështu qasjen përmes rrjetit europian në burimet albanologjike, si dhe në gjuhën shqipe, të BKSh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›