Ylli i Mëngjesit, një dramë për etërit nga Odise Plaku
Spektatori i Teatrit “Migjeni” në Shkodër, ndoqi premierën e dramës më të fundit të vënë në skenë nga trupa e këtij teatri. “Ylli i Mëngjesit” e shkruar nga Odise Plaku me regji të Edmond Mëhillit e ka mbushur sallën plot. Një dramë në qendër të së cilës është figura e babait , një baba i cili e rrit me shumë mundime djalin e tij të vetëm, ndërsa ditëlindja e tij i kujton njëkohësisht dhe ditën e vdekjes së bashkëshortes. Por babai braktiset nga i biri dhe drama hapet me spitalin ku gjendet i vdekur një plak, i cili në momentet e fundit ka lënë të shkruar një letër. Deri në momentin e mbylljes së dramës, nuk kuptohet se për kë është letra, ndërsa një sekuencë filmike që paraqet babanë plak duke lexuar letrën që i shkruan të birit, shpjegon gjithçka. Në rolet kryesore kanë interpretuar aktorët Enver Hyseni, Fran Vukaj, Agron Dizdari, Rajmonda Marku. Shkrimtari dhe gazetari Odise Plaku është shprehur se ka qenë dëshira e tij që kjo dramë të vihej në skenë nga aktorët shkodranë me regji Edmond Mëhillin i cili rikthehet pas një pauze të gjatë me trupën e Shkodrës.