Kneep, drama e psikozës diktatoriale
Duartrokitje të nxehta për “Kneep”, drama argjentinase e autorit George Goldenberg, që reflekton mbi fenomenin e 30.000 të zhdukurve dhe masakrat e kryera në periudhën që si pasojë mori emrin Desaparecidos (të zhdukurit, 1976-‘83).
Premierës së tretë të Festivalit Teatror i të Rinjve 2008, e cila në datat 1-2 nëntor u shfaq në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar nën regjinë e Eglantina Cenomerit, publiku iu përgjigj me sallën plot.
Loja e aktorëve Rozina Kostani, Saimir Sina, Violeta Banushi, Gjergj Mena dhe Elidon Alika, përcolli tragjedinë e ngjarjeve që shkaktoi dhuna e regjimit të egër diktatorial, që pati si pasojë mijëra të torturuar në kampet e përqëndrimit, të zhdukur, të arrestuar, të pushkatuar.
Protagonistja e ngjarjes është Marie Elena (Rozina Kostani), viktimë e diktaturës dhe e Kneepp-it (Saimir Sina), mishërim dhe iluzion i një trysnie dhune dhe shkatërrimi, i cili vendoset kudo dhe krijon tek ajo psikozën diktatoriale në ambientin ku jeton.
Më 8-9 nëntor në sallën e re të Teatrit Kombëtar vijon premiera “Kamarieri memec” i nobelistit britanik Harold Pinter, me regji të Erion Hinaj, me interpretimin e aktorëve Mehmet Xhelili, Indrit Çobani, Besart Kolonja.