E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dialog intim me natyrën

“Fotografia shqiptare ka një të kaluar më të mirë se sa një të tashme”. Kështu shihet arti i fotografisë nga Roland Tasho i cili prezantoi dje, në kuadër të projektit “40 hanet e Veriut” të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ekspozitën nën titull “Peizazh”.

Në ciklin me afro 50 foto në ngjyra dhe bardhezi, që paraqiten në galerinë “Imbrahim Kodra”, brenda ambjenteve të MTKRS, Tasho sjell peizazhe nga hapësira e mrekullueshme shqiptare banesa, simbole arkitekturore, alpe, bregdet, etj.

Tasho, i cili ka dokumentuar ngjarje të rëndësishme kombëtare rrëfen se, “Fotografia komunikon pa zë dhe krijon një dialog intim me individin, i cili nuk mund të modifikohet, pasi ajo ndal kohën dhe historinë e kthen në lajm, ngjarje...”

Në udhëtimin e tij 2-vjeçar, i afeksionuar pas Alpeve dhe çdo gjëje që i ngacmon imagjinatën krijuese, Tasho servir një panoramë të gjërë të mrekullive pak të shkelura të natyrës shqiptare.

Nëpërmjet objektivit ai transmeton dimensionet e peizazheve përrallore, duke përfshirë nganjëherë dhe kapriçot që natyra krijon.

“Njeriu, flora, shkëmbinjtë, gurët dhe deti formojnë së bashku me vërtetësi krijime origjinale në atë që mund ta quajmë peisazh të gjallë”,- shton ai.

Projekti i tij në zhvillim është një katalog, në vijim i ciklit “Shqiptarët nëpër botë” të cilin Tasho e ka nisur 5 vjet më parë me emigrantë të integruar në realitetin italian. Këtë herë është radha e shqiptarëve në Zvicër, modele që i shërbejnë një imazhi qytetar të shqiptarisë në vendet ku kanë emigruar.

Ekspozita “Peizazh” qëndron hapur deri më 6 nëntor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›