Miratohet qëndrimi i 5000 trupave të huaja
Kryetari i Parlamentit të Irakut dha dorëheqjen, duke i hapur rrugë miratimit të rezolutës që lejon qëndrimin e disa mijëra trupave të huaja jo amerikane edhe pas 31 dhjetorit të këtij viti. Rreth 5000 trupa britanike, australiane do të qëndrojnë në Irak edhe gjatë vitit 2009. Mandati i Kombeve të Bashkuara për trupat e huaja në Irak përfundon në fund të këtij viti. Iraku nënshkroi një marrëveshje dypalëshe me SHBA-të, që lejon qëndrimin e trupave amerikane edhe për tre vjet.
RUSI
Mercenarët luftuan për Gjeorgjinë
Mercenarët e huaj kanë luftuar në krah të Gjeorgjisë gjatë luftës së gushtit të kaluar me Rusinë në Osetinë e Jugut, njoftuan burimet ruse. Sipas këtyre burimeve, mercenarët vinin nga SHBA-të, Çekia, Ukraina dhe Turqia, bëri të ditur zyra e Prokurorit të Rusisë. Uashingtoni dhe Kievi menjëherë i hodhën poshtë duke u shprehur se nuk ishin aspak të vërteta. Këto akuza janë bërë nga Moska edhe kohë më parë dhe ato janë hedhur poshtë si të pavërteta.
UKRAINË
Protesta masive kundër krizës
Rreth 5 mijë persona kanë zbritur dje në sheshin kryesor të Kievit, në Ukrainë, për të kërkuar rritjen e rrogave. Manifestimi, i lidhur me krizën ekonomike, sipas të dhënave ishte më i madhi i organizuar ndonjëherë në Ukrainë. Protestuesit i kërkuan qeverisë që të ndalojë bankat të rrisin taksat e interesit për kreditë dhe që të merren ligje efikase kundër krizës. Sipas agjencive lokale të lajmeve, kriza ka përfshirë Ukrainën duke shkaktuar dëme jashtëzakonisht të rënda.
24 Dhjetor 2008