Zëdhënësi i këngëtarit Xhekson ngre zërin: “Sëmundja, thjesht një trillim”
Zëdhënësi i këngëtarit legjendar Majkëll Xhekson ka dalë me një deklaratë ku hedh poshtë të gjitha lajmet se mbreti i popit është në gjendje të rëndë shëndetësore dhe në rrezik për jetën. Sipas tij, çdo detaj mbi këtë fakt është thjesht një trillim i momentit pasi Xhekson në të vërtetë nuk ka nevojë urgjente për transplant të mushkërive. Lajmi për sëmundjen e tmerrshme ishte bërë i ditur nga gazetari Jan Halperin, i cili po shkruan një biografi të paautorizuar të këngëtarit. “Duke pasur parasysh akuzat, shpresojmë që mediat të mos pasqyrojnë biografinë e paautorizuar të Halperin”, - deklaroi zëdhënësi Tohme. Ai konfirmoi se Xhekson ndodhet në gjendje shumë të mirë shëndetësore dhe ka përfunduar negociatat me një kompani dhe një televizion për një turne muzikor dhe për pjesëmarrjen në disa evenimente. Nuk na mbetet veçse të presim për të parë se ç’do të ndodhë në të ardhmen...
Prince vjen me albumin “There Will Never Be Another 1 Like Me”
Për vite me radhë u ka munguar fansave për stilin e veçantë të performancës dhe zërit tepër të veçantë e sensual. Këngëtari Prince po përgatitet të hedhë në treg albumin e tij të ri. Një këngë, pjesë e CD-së, përfundoi në mënyrë misterioze në një faqe interneti në fundjavë, por më pas faqja u mbyll. Prince bëri të ditur se albumi është drejt fundit, ndërsa shtoi se kësaj here nuk do të ngatërrohet me asnjë shtëpi diskografike. “Nuk dua të kem të bëj me asnjërën prej tyre”, - ka thënë ai. Për momentin, artisti po përpiqet të gjejë një zgjidhje alternative. “There Will Never Be Another 1 Like Me”, titullohet albumi. Disa këngë janë prezantuar në radion Losangelina 103, mes të cilave “Crimson & Clover”, “Colonized Mind” dhe “Wall Of Berlin”. Duket se Prince është rikthyer në situatën e viteve ’90, kur ai ishte në luftë me sistemin diskografik. Ndërsa realizoi albumin “Planet Earth” në 2007-n, ai arriti një marrëveshje për të shpërndarë falas CD-në bashkë me gazetën “Mail on Sanday”, pa dijeninë e kompanisë Sony. Shtëpia diskografike pas këtij veprimi tërhoqi nga tregu britanik të gjitha kopjet e albumit.
24 Dhjetor 2008