Sejdiu: “Forca e Sigurisë së Kosovës, model për Ballkanin”
Blerina Olldashi
Forca e Sigurisë së Kosovës do të jetë model për vendet e tjera të Ballkanit, pasi do të ndërtohet sipas kritereve të NATO-s. Kështu deklaroi dje Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, gjatë një takimi zyrtar me komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës Sulejman Selimi dhe ministrin e Forcës së Sigurisë, Fehmi Mujota. Ne takim Sejdiu konsideroi se objektiv themelor për Kosovën është të ndërtohet një forcë sigurie sipas kritereve të NATO-s e që do të jetë model për vendet e tjera të Ballkanit. Për më tepër, Presidenti i Kosovës garantoi se do të bëhet një punë e madhe për të përshpejtuar integrimin në NATO. Megjithatë, në këtë takim nuk u bë i qartë afati për përzgjedhjen e pjesëtarëve të tjerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Fehmi Mujota dhe komandanti i sapozgjedhur i Forcës së Sigurisë, Sulejman Selimi, nuk dhanë asnjë datë se kur do të fillojë kjo përzgjedhje. Ata u shprehën se janë në rrugë të mbarë për të ecur sipas axhendës së përcaktuar bashkërisht me NATO-n. “Përsa i përket stafit tim, shumë shpejt do të mbahet bordi, i cili do të bëjë seleksionimin e oficerëve të Trupave Mbrojtëse të Kosovës që do të shërbejnë në Forcën e Sigurisë. Besoj që shumë shpejt do të përgatisim axhendën së bashku me NATO-n, me ministrin dhe besoj që brenda vitit do të bëhet përzgjedhja e emrave tjerë të oficerëve”,- tha Sulejman Selimi, komandant i FSK-së. Ndërkohë, komandanti i Gardës së Kosovës, gjeneral-brigade Nuredin Lushtaku, dha dje dorëheqjen nga posti i komandantit të Gardës, pasi sipas tij, ka dyshime se gjatë procesit të shpërbërjes së TMK-së dhe krijimit të FSK-së nuk po çmohet puna dhe vlerat e vërteta. Në kërkesën për dorëheqje Lushtanaku tha se ishte i pakënaqur me këtë proces, i cili nuk ishte normal, duke pasur parasysh edhe emërimin e komandantit të FSK-së. Sipas tij, suksesi dhe vlerat e mirëfillta njerëzore nuk po merren parasysh. Përkundrazi, ky proces po vazhdon me degradim të punës, suksesit dhe vlerave institucionale duke emëruar njerëz të pasuksesshëm e të papërgjegjshëm në detyra, me përgjegjësi siç është Komandanti i FSK-së. “Duke pasur parasysh këtë dhe rrethanat e krijuara deri tani, ndjej përgjegjësi morale dhe njerëzore që mos të jem pjesë e këtij procesi të degradimit të vlerave dhe as në FSK”, - tha Lushtaku.
Malajzia njohu pasaportat e Kosovës
Qeveria e Malajzisë konfirmoi dje se njeh zyrtarisht pasaportën e Republikës së Kosovës, si atë diplomatike, zyrtare dhe të zakonshme. Ministria e Brendshme e Kosovës bëri të ditur se së shpejti Malajzia do të vendosë edhe viza në pasaportën e Republikës së Kosovës. Malajzia është ndër 53 shtetet që kanë njohur deri tani pavarësinë e Kosovës, ndërsa pasaporta kosovare është pranuar edhe nga vende që nuk e kanë njohur ende shtetin e ri.
24 Dhjetor 2008