E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ka probleme,Flamurtari mendon që tani për merkaton e janarit

Nga ELTON NIKA

Dështimi në sulm i bullgarit Draganov dhe forma jo e mirë e serbit Brkiç, bën që drejtuesit të mendojnë për një sulmues që tani

Flamurtari sërish mendon për merkaton. Edhe pse janë luajtur vetëm katër javë kampionat dhe aktualisht thuhet që ekipi ende nuk ka arritur gjendjen e tij më të mirë, në klubin e futbollit Flamurtari ka nisur të mendohet sërish për merkato, tashmë dimërore. Pavarësisht faktit se duhen të paktën tre muaj deri në janar, për drejtues të Flamurtarit afrimi i të tjerëve futbollistëve quhet tashmë një domosdoshmëri.

Diçka e tillë është lidhur natyrisht edhe me rezultatet e arritura nga Flamurtari gjatë katër javëve të para dhe faktit se në vijën e sulmit mungon një futbollist lider dhe i aftë të shënojë në çdo moment. Pikërisht te sulmi duket se do të jetë ndërhyrja kryesore e drejtuesve të Flamurtarit në merkaton e janarit, për të risjellë në ekip një lojtar që do të dijë të marrë përgjegjësi në sulm.

Afrimi i bullgarit Draganov është quajtur një nga blerjet më të këqija në kampin vlonjat dhe, pavarësisht se nuk pranohet zyrtarisht, duket se ardhmja e tij te Flamurtari tashmë mund të quhet një mision i përfunduar. Afrimi edhe i sulmuesit serb Brkiç ishte një blerje ndoshta e detyruar, duke parë faktin se u dështua me bullgarin dhe në vijën e sulmit duhej dhe kërkohej një lojtar dhe një emër i njohur.

Ofertat Në këtë periudhë te Flamurtari u është besuar sulmuesve si Idrizi, Hysa dhe Shehaj, por aktualisht këta të fundit ende nuk kanë dalë në atë lojën e pritshme. Kështu afrimi i një sulmuesi është quajtur tashmë një domosdoshmëri nga drejtues të ekipit vlonjat, pavarësisht se ka ende mjaft kohë dhe gjithçka mund të ndryshojë në tre muajt e ardhshëm.

+Por jo vetëm sulmi, por edhe në mesfushë konfirmohet se do të ketë të tjera afrime, me të paktën një futbollist. Reparti që mendohet se nuk do të preket gjatë merkatos së dimrit është ai i mbrojtjes. Kanë nisur të piketohen edhe lojtarë, të cilëve mund tu bëhet një ofertë gjatë muajit janar. Për këtë qëllim, bëhet e ditur se drejtues të ekipit të Flamurtarit janë duke u interesuar për lojtarë të cilët mund të jenë ndoshta me probleme në klubet aktuale apo mbyllin kontratat e tyre.

Synohet që gjithçka të zhvillohet brenda kampionatit shqiptar, ndërsa për pistat e huaja mungon interesimi, duke parë edhe faktin se nga lojtarët e huaj të afruar tek ekipi vlonjat shumë pak prej tyre kanë mundur të justifikojnë kontratën që kanë nënshkruar apo të jenë të denjë për të mbajtur veshur fanellën kuqezi.

Por veç këtij fakti, bëhet e ditur se në janar pritet të ketë edhe largime futbollistësh, mes atyre që janë aktivizuar shumë pak gjatë këtij sezoni, por ndoshta edhe mes lojtarëve që kanë nisur të shfaqin pakënaqësi për kohën e aktivizimit të tyre gjatë kësaj periudhe.


Rritet ngarkesa, dy seanca çdo ditë

Stërvitje me dy seanca në ditë. Në ditën e dytë të përgatitjeve pas ndeshjes me Tiranën, stafi teknik ka vendosur kryerjen e dy seancave stërvitore nga futbollistët dhe një praktikë e tillë do të zbatohet edhe në ditët në vijim, të paktën deri në fundjavë.

Gjatë paradites futbollistët kanë punuar më shumë me anën fizike, ndërsa gjatë pasdites është theksuar se kryesore do të jetë loja me top. Ndërkohë, konfirmohet se nëse nuk arrihet zhvillimi i një ndeshjeje miqësore, do të praktikohet një përballje brenda grupit, madje kjo mund të zhvillohet edhe ditën e enjte pasdite.

Branica: Humbja me Tiranën të mos lërë gjurmë

Humbja përballë Tiranës nuk duhet të lërë gjurmë te Flamurtari, por thjesht të shihet si një moment kur duhet të mendohet për të reflektuar. Kështu pohon zv.trajneri i Flamurtarit, Sokol Branica, që ka vijuar seancat stërvitore me ekipin në mungesë edhe të trajnerit Lutaj. Një humbje për të cilën është folur gjatë gjithë këtyre ditëve dhe të merresh me ndeshjen e humbur në kryeqytet, tashmë nuk vlen më për asgjë.

Na duhet të mendojmë për sfidat e ardhshme në kampionat dhe për këtë qëllim na ndihmon edhe  koha që kemi në dispozicion. Jemi në prag të dy takimeve që do ti luajmë në shtëpi, duke nisur nga ajo përballë Pogradecit. Mendimi im është se në superligë nuk ka ekipe të lehta dhe të vështira, por duhet punë dhe djersë për të fituar pikët.

Stërvitja ka nisur e qetë dhe nuk shoh arsye të mos jetë e tillë, pasi futbollistët tashmë janë të bindur se në Tiranë nuk dhanë atë që pritej. Duke nisur nga ndeshja përballë Pogradecit dhe më tej, qëllimi do të jetë mbi të gjitha marrja e pikëve maksimale dhe mendoj se i kemi mundësitë për diçka të tillë. Por për të qenë në krye të renditjes, nuk mjafton vetëm të fitosh në shtëpi, por duhet që pikë dhe fitore të marrësh edhe në ndeshjet jashtë fushës tënde.

Tani ne do të luajmë në dy javët e ardhshme në stadiumin tonë, aty ku kërkojmë maksimumin e pikëve dhe më pas mund të mendojmë për ndeshjet në transfertë, pasi do të kërkojmë që edhe jashtë Vlorës të tregojmë Flamurtarin e vërtetë dhe pretendent. Ndërsa sa i përket kupës, mund ta themi një short normal, nuk mund të nënvlerësohet apo mbivlerësohet ndonjë ekip. Kupa ëshë në fokusin tonë, kështu nuk mund të tolerojmë. Vjet bëmë gabim, kështu që nuk mund ta bëjmë dy vjet rresht këtë gjë, – përfundon zv.trajneri i Flamurtarit, Sokol Branica.

3 Sulmues janë afruar në merkaton e verës te Flamurtari, Vilfor Hysa, Dragomir Draganov dhe Mlladen Brkiç, ku vetëm shqiptari është në nivelet e kërkuara

2 Lojtarë sulmues u larguan në verë nga ekipi vlonjat, pikërisht goleadori Daniel Xhafaj dhe Sebino Plaku, të dy të padëshiruar në kampin kuqezi

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›