E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjinushi: S'njohim Kuvendin, Meta u shit tek Berisha

Kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi, zhvilloi dje një takim me kryetarin e PS-së, Edi Rama


TIRANË - Kryetari i Partisë Social Demokrate, Skënder Gjinushi, nuk e njeh Kuvendin e ri dhe për pasojë edhe qeverinë që do të dalë prej saj. Për këtë arsye, Gjinushi shprehet se bojkotimi i Parlamentit është veprimi më minimal që mund të bëjë një parti serioze.


Duke iu referuar denoncimit të bërë nga Partia Socialiste, mbi zgjedhjet dhe lirimin e të dënuarve, Gjinushi vë në dukje se përdorimi administratës dhe i të burgosurve janë shkelje e hapur. Ndaj, kjo që PS-ja po bën është më minimalja."Nuk është Parlament legjitim. Bojkoti është kontestimi më minimal që mund të bëjë një parti serioze në këto kushte.


Nëse flasim për zgjedhje jashtë standardit dhe për pazar politik, ku mafia blen mandate, ku mungojnë standardet, përdorimi i administratës, përdorimi i të burgosurve dhe policisë në forma të ndryshme në zgjedhje, janë shkelje të rënda. Një parti serioze nuk mund ta legjitimojë, dhe minimalja e kontestimit është ky", - tha Gjinushi për gazetën "Shekulli".


Të njëjtin qëndrim, Gjinushi ka mbajtur edhe gjatë takimit të zhvilluar dje në selinë rozë me kryetarin e PS-së, Edi Rama. Lidhur me qeverinë e re Berisha- Meta, dhe marrëveshjen e nënshkruar midis tyre për ndarjen e posteve ministrore, kreu i PSD-së, thekson se me këtë bashkim, Meta tregoi publikisht tradhtinë e tij ndaj së majtës. Sipas tij, Meta është i shitur dhe marrëveshja me Berishën e nxori më në pah.


"Tani në 2009-ën Meta u detyrua të dalë hapur dhe ai shitjen e vë më në pah, pasi nuk ka pranuar të bashkëpunojë me Edi Ramën edhe si Kryeministër. Ndërsa me Berishën pranon edhe pa kushte,"- u shpreh dje Gjinushi.


Sipas tij, marrëveshja midis Sali Berishës dhe Ilir Metës për të bashkëqeverisur, ishte vendosur që para zgjedhjeve. "Marrëveshja Berisha- Meta, është shumë e hershme, dhe rezultatin e nxorën të diskutueshëm për të legjitimuar këtë marrëveshje të kryer para zgjedhjeve. Ata i trembeshin një fitoreje të pastër të së majtës.


Prandaj ai rendi drejt Berishës pa u shpallur rezultati", - sqaroi ai. Lëvizjen e kreut të LSI-së, Gjinushi e krahasoi me fenomenin e njohur të "Xhuvelit", por në një mënyrë tjetër.


Sipas tij, nëse lëvizja e Lufter Xhuvelit drejt PD-së, nuk ndryshoi krahun e fitores, lëvizja e Metës bëri të kundërtën. Duke analizuar zgjedhjet e 28 qershorit, Gjinushi u shpreh se këto zgjedhje treguan shitjen dhe keqpërdorimin më të madh të mandateve.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›