E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpenzimet elektorale, qeveria ndryshon buxhetin

Rritja e madhe e deficitit buxhetor dhe mos realizimi i të ardhurave ka detyruar qeverinë t'i kërkojë parlamentit ndryshimet


TIRANË- Mosrealizimet në mbledhjen e të ardhurave dhe shpenzimet e mëdha elektorale kanë detyruar qeverinë që të rishikojë parametrat e buxhetit për vitin 2009.


Sipas ndryshimeve të propozuara në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave, të cilat më pas do të miratohen nga parlamenti i ri, të ardhurat buxhetore nga rreth 334.8 miliardë lekë që ishin planifikuar gjatë miratimit të buxhetit janë ulur në shifrat e 327 miliardë lekëve.


Ndryshime më të mëdha kanë hasur shpenzimet, të cilat megjithëse ishin parashikuar në shifrat e 384.8 miliardë lekëve, në kushtet e një viti elektoral kanë pësuar një rritje me rreth 17 miliardë lekë duke arritur në 402 miliardë.


Ulja e të ardhurave dhe rritja e shpenzimeve ka sjellë një rritje të ndjeshme të deficitit. Sipas vendimit të qeverisë, deficiti buxhetor parashikohet të kapë shifrat e 74 miliardë lekëve, nga 50 miliardë lekë që ishte planifikuar nëntorin e vitit të kaluar, kur u miratua buxheti i vitit 2009.


Në mënyrë të përsëritur, nga Banka e Shqipërisë kanë ardhur sinjale paralajmëruese ndaj qeverisë ku bëhej thirrje për treguar kujdes në ruajtjen e deficitit buxhetor brenda kufijve të lejuar, duke ulur ritmin e shpenzimeve në një situatë kur të ardhurat në buxhet shënonin rënie.


"Ne do të vlerësonim marrjen e masave për respektimin e nivelit të parashikuar të deficitit buxhetor për vitin 2009 dhe fokusimin e buxhetit të shtetit në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik për vitin 2010 e në vazhdim"-, do të deklaronte Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, një javë më parë.


Ashtu siç ishte deklaruar edhe nga krerë të Ministrisë së Financave, kjo rritje e shpenzimeve do të përballohet nga paratë e privatizimeve të kompanive strategjike, ku rreth 30 për qind të të ardhurave nga privatizimi Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes dhe 50 për qind e të ardhurave të ARMO-s do të përdoren për investime.


Krahas 30 për qind që do të përdoret për investime, 10 për qind të të ardhurave nga privatizimi OSSH-së, do të përdoren për kompensimin e ish-të dënuarve politikë, 10 për qind për kompensimin e ish-pronarëve dhe 50 për qind për reduktimin e borxhit publik. Për sa i përket të ardhurave nga privatizimi i ARMO-s, 50 për qind e tyre do të përdoren për reduktimin e borxhit publik dhe gjysma tjetër për investime.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›