Biçikletat e SHISH-it
Berisha e ka gjetur fajtorin për masakrën qeveritare të Gërdecit. Fillimisht e gjeti në fund të marsit, pastaj e përsëriti dy ditë më parë. Është SHISH-i, Shërbimi Inteligjent Shqiptar. Sipas tij, ajo që nuk funksionoi para ngjarjes së Gërdecit, ishte pikërisht bashkëpunimi mes agjencive të Inteligjencës, në të gjithë sektorët, për informacionet që kishin për fabrikën e Gërdecit. Ndaj dhe kryeministri ka idenë e një departamenti të ri koordinues për agjencitë që merren me problemin e Sigurisë, ku përfshihen SHISH, Garda e Republikës, Policia, Tatimet, Doganat, Shërbimi i Ushtrisë, Policia Ushtarake dhe inspektorate të tjera. Ky model ekziston edhe në vende të tjera”. Shkurt muhabeti, gjysma e atyre që kishin lënë vetëm një të siguruar te biznesi i Delijorgjit e me radhë. Pak a shumë, një lloj si “HomeLand Security”, që u krijua në SHBA pas sulmeve terroriste të 11 Shtatorit 2001.
“Spiuni” ndenji dje me një spiun të vërtetë, nga ata që janë ngarkuar të survejojnë dhe të vjelin informacione në rrugë. “Jemi shumë keq”,- u shpreh nëpunësi i SHISH-it. Nuk ka fonde për asgjë. Po si punohet pa lekë te ne për të mbledhur informacione! Unë detyrohem të përdor biçikletën për të ndjekur objektin që më kanë ngarkuar dhe ai lëviz me “Benz ML”. Ka kuptim kjo?”,- pyeti spiuni i vërtetë.
“Spiuni” nuk u besoi ankesave të nëpunësit të SHISH-it dhe pyeti një deputet, anëtar të Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare. Edhe deputeti foli si spiuni i SHISH-it. “Ata nuk kanë kokërr leku, as për të paguar informatorët dhe as për të lëvizur gjëkundi. Miratuam një fond prej 6 milionë lekësh për mbarimin e një investimi anglez për përgjimet, por kreu i SHISH-it, Bahri Shaqiri kërkoi në nëntorin e shkuar, kur po miratohej buxheti 2008, një shtesë fondi prej 500 milionë lekësh. Ne dakord ishim, por nuk e di se çfarë bëri qeveria më pas”,- tha deputeti. “Spiuni” kontrolloi buxhetin 2008 ku thuhet se SHISH ka marrë 1 miliardë e 127 milionë lekë të reja financime. Ndërsa në buxhetin e vitit 2007, financimi ishte 1.05 miliardë lekë të reja. Pra përveç shtesës për aparaturat, punonjësit e Shërbimit Inteligjent Shqiptar, nuk morën asnjë kokërr leku më tepër.