Presidenca e Nanos
Korriku po vjen dhe për ish-kryeministrin Nano ky është një muaj për t’u mbajtur mend. Sigurisht, jo për mirë. Një vit më parë, Nano ishte kandidati për President i Republikës dhe ishte shumë i vendosur për të qenë ai kreu i shtetit. Por nuk qe e thënë. Garën e fitoi Bamir Topi, sepse ai mori shumicën e votave të deputetëve. Por z.Nano nuk dorëzohet kollaj. Mbas fatkeqësisë që i ndodhi me humbjen e babait, kur u detyrua që të qëndronte disa ditë në atdhe, Nano u rikthye udhëtimeve jashtë dhe dy ditë më parë, telefonoi nga Vjena një mik të vjetër.
-Hë mo, çfarë ndodh në Tiranë?
-Berisha po sulmon shumë fort presidentin Topi,- e informoi miku.
-Ou! Po, thonë gjë për mua?
-Këta të Doktorit, thonë që më mirë të të kishin votuar ty, sesa Bamirin,- ia ktheu miku në Tiranë.
Ish-kryeministrit edhe i pëlqeu, por edhe i dogji kjo batutë dhe e mbylli telefonin, duke thënë: “Mirë, më njofto kur të ketë ndonjë dorëheqje”.