Kinemaja holandeze vjen në Tiranë
Nga data 18 deri 23 shtator do të shfaqet në Tiranë një seri filmash holandezë. "Dritë mbi kinemanë e Vendeve të Ulëta-Holanda", titullohet java e filmit, qe do të organizohet në Akademinë e Filmit & Multimedias "Marubi", çdo ditë në orën 19:00. Kjo javë synon prezantimin e publikut me kinemanë holandeze, e cila pak njihet në Shqipëri. Kryesisht janë filma me metrazh të gjatë, të cilët janë nderuar me çmime në festivalet më të rëndësishëm të kinematografisë, por nuk do të mungojnë edhe filmat e shkurtër dhe ata të animuar. Një nga filmat që do të shfaqen është "Nusja polake". Megjithëse i drejtuar nga regjisori Karim Traidia me origjinë nga Algjeria, ky film mund të quhet thellësisht një film holandez. Ngjarja shpaloset rreth një vajze polake, Ana e cila e detyruar nga një klient apo tutori i saj, përfundon në një fermë tipike holandeze në periferi. Filmi ka marrë çmimin e publikut në Festivalin e Roterdamit dhe të Festivalit të Kanës, si edhe çmime të tjera në Holandë. Eshtë një nga filmat holandezë më të shitur dhe shfaqur në mbi 50 vende të tjera. "Regjistri" është një tjetër film i kësaj pakete, i cili tregon se ç'mund të ndodhë nëse shprehjen "nëse të bie rruga nga lagjja ime, hajde bjeri derës", një i panjohur e merr për të vërtetë. "Libri i Zi" tregon se si në Holandën e pushtuar nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore një këngëtare çifute arrin të infiltrohet tek zyrat rajonale të Gestapos, në shërbim të rezistencës holandeze. Filmi ka marrë çmime për filmin, regjinë dhe aktoren më të mirë në festivale në Holandë dhe është përzgjedhur për festivale të rëndësishme si Venecia dhe Toronto. Të tjerë filma janë "Karmen takon Boratin", "Suksesi", "Simon", "Udhëtim nëpër natë", "Kujtesa", etj.