Biçikletë me qira
23/02/2005 Ngjashmëritë me të vërtetat janë iluzore.
Që prej sheshit që shtrihet përpara Universitetit Politeknik - atje në fund të bulevardit «Dëshmorët e Kombit» - pamja e asaj që po vinte drejt nesh, duke bërë zig-zake të çuditshme mbi xhade, i ngjante figurës së një letre bixhozi.
Fanti, plaku, dama, xholi po se po, kanë nga dy gjysma trupi dhe nga dy koka krejt simetrike. Njera qendron drejt dhe tjetra përmbys. Të ndara nga një vijë imagjinare që i pret mespërmes. Janë si centaura, që bashkohen nga mesi e poshtë jo me qenie të tjera, por me veten e tyre të kthyer mbrapsht.
Vetja çiftëzohet me veten e vet. Bëhet me dy trupa.
Njeri ngrihet drejt qiellit, tjetri zhytet drejt tokës.
Njeri shfaqet mbi tokë, tjetri fshihet nën tokë.
Pikërisht një qenie e ngjashme po vinte drejt nesh atë çast nga thellësitë e bulevardit.
Dhe nuk ishte vegim i mendjes së turbulluar në atë ditë fillimkorriku, kur dielli digjte si furrë. Vapa ishte bërë zhuritëse në atë orë që duhej të ishte aty rreth dy ose tre e pasdites. Nuk e mbaj mend edhe aq mirë, sepse kjo që përshkruaj ka rreth 30 vjet që ka ndodhur. Por, nga qartësia, është sikur të ketë bërë vaki sot. Ndodheshim në atë shesh, që sot, pasi ia kanë ndryshuar disa herë emrin e quajnë «Nënë Tereza», pasi po prisnim pedagogun, me të cilin kishim një seminar të prapambetur për të shlyer. Ai si zakonisht po vononte të vinte.
Kur dikush tregoi me gisht, shoqëruar me një pasthirrmë habije, atë që po afrohej nga bulevardi për në drejtimin tonë na bëri të shtangeshim.
Një ushtar i ri hipur mbi një biçikletë të vjetër shtynte me forcë pedalet e saj duke u lëkundur sa majtas–djathtas dhe kalëruar një shalë të futur midis kofshëve. Mezi kontrollonte timonin që valëzonte frikshëm sa nga një anë në tjetrën, duke rrezikuar nga çasti në çast të rrëzohej. Biçikleta përparonte drejt nesh si një anije në oqean me dallgë krejt të marra. Dukej se nuk dinte t’i jepte.
Dolëm me shpejtësi në mes të sheshit dhe qëndruam tamam mbi trotuarin me formë katrori që ndodhet atje. Plot habi ndiqnim me sy objektin që tashmë ishte afruar aq sa shihej edhe në detaje.
Po kalonte tashmë pikërisht përballë ndërtesës ku sot është Presidenca.
Në atë ditë korriku, nga xhadeja e bulevardit ngriheshin avuj të ngrohtë shoqëruar me mirazhe të hatashëm. Bulevardi dukej i rrëshqitshëm, reflektues, sikur të ishte i shtruar me pasqyra.
Gjithçka kokëlartë shfaqej edhe kokëposhtë.
Gjithçka në rrafshin horizontal dhe vertikal ishte edhe parç edhe mbrapsht. Në realitet dhe në mirazh s’dallohej më ku ishte Qënia dhe ku ndodhej Mosqënia.
Ky është misteri i përhershëm i atij bulevardi. Kështu e mbaj mend që dikur.
Benza, trupa ushtarake, parada butaforike, kalimtarë, tribuna, portrete, marathonomakë, çiklistë, policë trafiku, udhëheqës që shëtisin më këmbë, gjithçka dhe në çdo sistem politik atje është paraqitur me dy pamje.
Njëra ngrihet nga toka drejt qiellit për të sunduar dhe tjetra zbret nga toka drejt nëndheut për t’u gremisur.
Njëra qëndron drejt si kullë dhe tjetra është kthyer përmbys, duke u futur në dhè si ato vazot prej balte të kuqe të pjekur, gjendur në gërmadha qytetesh antike.
Dy të kundërta të lidhura në një të vërtetë të vetme.
Gjithçka mbi bulevard dukej sikur i kishte rrënjët askund tjetër, veçse te vetja e vet e kthyer përmbys. Siamez që i ngjitet mbrapsht vetes. Narcist që klonohet me gjysmën e vetes.
Bulevard magjik!
Të di çdo llokmë kalldrëmi dhe çdo mbulesë pusete që të lëviz.
Të njoh si xhepin e xhaketës.
Je edhe i Kombit, edhe i Dëshmorëve.
Edhe emri të thotë se çdo që ngrihet lart edhe do të bjerë dhe çdo gjë që bie do të ngrihet.
Ngrihet sepse ka rënë.
Bie sepse është ngritur.
Te ty bulevard ndodhin çudira në kohë mirazhesh. Të hipurve ua kanë hipur. Gjithëkush i ka hipur sipër vetes së vet të kthyer mbrapsht me kokën në dhè. Gjithëkush është i detyruar të ngrihet mbi veten, nëse dëshëron të eci te ti bulevard.
Ec! Por do të pranosh edhe të përmbysesh kremkaramel mbi veten! – ky është kushti yt djallëzor, si ai i mbretërve tekanjozë nëpër përralla.
E sipërmja ka gjithmonë një të poshtme, futur në dhè si qyp i fshehur me florinj që do ta gjejnë ata që do të vijnë më pas.
Koka është mbi këmbë, por edhe këmbët janë mbi kokë.
Çdo gjë mbi këtë dhè ka të ngjashmin e vet nëndhè.
Bashkë me kremkaramelisjen vertikale bëhej edhe rrotullimi horizontal.
E majta kishte reflekse të djathta dhe e djathta reflektonte edhe në të majtë.
Tej, atje larg, te sheshi, ngjitur me një gropë të madhe, në atë ditë mirazhesh të fuqishme shfaqeshin pamje të papërftueshme lehtë nga ndërgjegjja normale. Dukeshin dy kalorës dhe dy kuaj. Një kalorës dhe një kalë qëndronin fare drejt, solemnisht, dhe një kalorës e një kalë tjetër ishin përmbysur simetrikisht me të parët, me kokën në dhè. Në figurën e parë kalorësi i kishte hipur kalit dhe mbante krenar shpatën me majën drejtuar nga qielli. Në figurën e dytë, atë të përmbysurën, ishte kali që qëndronte sipër kalorësit. Të dy kthyer me kokëposhtë, ndërsa maja e shpatës ngulur në dhè.
Simbole vegimtare që s’di si t’i lexosh. Semiotikë përmbysëse.
Fillimisht: kalorësi kalëron kalin. Pastaj: kali kalëron kalorësin.
Në fakt, atë ditë, të gjitha ndërtesat anash bulevardit dukeshin të përmbysura mbi veten e tyre.
Komiteti i Përgjithshëm i Drejtimit Partiak.
Grupi i Djemve të Bashkuar të Ideve Sociale.
Bashkimi i QFVE – ve profesioniste.
Labirinti i Pritjes dhe Përcjelljes së Popullit.
Sektori i Intrigave dhe i Tenderimit të Kuadrove.
Ofiçina Qendrore e Opinionit Somnabulik.
Komisioni Autodidakt i Lëvizjes së Arsimit Trekëndor.
Zyra e Qendrore e Shtypjes së Shtypit.
Sektori i Izolimit Ndërkombëtar me Jashtë.
Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Lidhur.
Gjithçka i ngjante një xhakete të kthyer mbrapsht.
Një përzjerje e mirazhit me realitetin ku s’dallohej më cili ishte i pari dhe cili i dyti.
Ishte një ditë me simetri të përmbysur.
Vetëm godina e Këshillit Presidencial, nga që ishte fare afër nesh, nuk pasqyrohej kokëposhtë. As reflektonte dhe as reflektohej gjëkundi, duke qëndruar e heshtur në vetminë e saj.
Mirazhit avullor s’i shpëtonte dot as ushtari mbi biçikletë. Ligjet optike të përthyerjes së dritës e gllabëronin edhe atë.
Bulevard përmbysës – e gjeta si të të quaj.
Të përmbys siç e hedh me këmbëpërpjetë kalorësin pela xanxare.
Tungjatjeta, mik i fuqishëm, Bulevard!
Megjithëse të fuqishmit si rregull nuk kanë as miq dhe as mikesha.
Kanë vetëm shërbëtorë që i urrejnë fshehurazi dhe mezi presin të gremisen për t’iu nxjerrë të palarat.
Eci mbi ty ngadalë bulevard pa të mëshuar shumë.
E di mirë huqin tënd.
Të lë fillimisht të ta hipësh dhe pastaj ta hipën, befasisht, tinëzisht, në mes të avujve, vapës zhuritëse apo shiut tiranoid, siç mund të të ndodhë në ndonjë hamam.
Ushtari i ri hipur mbi biçikletë ecte furishëm njëherësh edhe mbi tokë edhe nën tokë. Mbi tokë ishte kapa me yll që rrotullohej sipër kokës së qethur me brisk, ngecur midis llapave paksa të hapura të veshëve.
Gati duke rënë nga qielli drejt tokës.
Nën tokë, poshtë kalldrëmit të bulevardit përmbysës, koka dhe trupi që tundej e shkundej nga të gjitha anët e ushtarit ishin vendosur mbrapsht mbi kapelen me yll.
Gati duke u ngritur nga nëntoka drejt qiellit.
Herë ylli mbi kokë dhe herë koka mbi yll.
Në fakt, s’dihej më çfarë ishte lart dhe çfarë ishte poshtë.
Nuk dihej më se çfarë ishte përmbysur dhe çfarë ishte ringritur.
Cilët ishin sundimtarët dhe cilët të përmbysurit.
Varej si e shihje botën mbi atë bulevard tekanjoz.
Dikush tha se ushtari me biçikletë ishte duke sjellë ndonjë mesazh urgjent nga reparti i tij për Gardën, që ndodhej anash ndërtesës së Universitetit.
Por u kundërshtua menjëherë nga pothuajse të gjithë ne që ishim aty.
Edhe në atë kohë kishte, prapëseprapë mjete të tjera më të shpejta që mund të përcillnin mesazhe shtetërore apo personale.
Ishte telefoni, radioja, telegrafi…
ǒne një ushtar mbi biçikletë të bëhej kasnec i lajmeve të kombit!
Mori drejtimin për nga sheshi përpara Universitetit, atje ku bulevardi vjen vërdallë një trotuari në formë katrori, mbi të cilin qëndron stoikisht që nga koha e qepës një shatërvan i shëmtuar pa ujë.
Të gjithë ishim mbledhur mbi atë trotuar rrotull shatërvanit, duke ndjekur me sy lëvizjet e ushtarit mbi biçikletë.
Nuk mori drejtimin për nga Garda. Asgjë serioze siç duket nuk kishte për të transmetuar.
Tek ai ushtar me kapë me yll të kuq, hipur mbi një biçikletë të shpartalluar, mbeturinë e një mjeti të dikurshëm dyrrotak, revolucionar, me origjinë kineze, e importuar në shkëmbim të disa kokërrave bostan qysh nga koha e tri botëve, nuk kishte asgjë që të mos qëndronte edhe drejt edhe përmbysur në hapësirat vertikalisht simetrike që krijonin avujt mbi bulevard.
Donim ta shihnim edhe pak atë pamje. U zhvendosëm në një nga trotuaret anësore të sheshit dhe u ulëm rehat–rehat në bordurat e tij, poshtë degëve të disa pemëve, që lëshonin një hije mbrojtëse aq të kërkuar.
Më duket se ndodheshim poshtë shelgjesh.
Ushtari e ktheu me vështirësi timonin, duke bërë zig-zake me rrotën e parë dhe ne kuptuam se qëllimi i tij ishte t’i binte rrotull trotuarit katror në mes të sheshit.
Ai po bënte xhiro rreth trotuarit katror.
E kuptuam.
Kishte marrë biçikletë me qira.
Kishte akaparuar përkohësisht një mjet dyrrotak dhe po e përdorte përdhunshëm. Po kalonte aty ato pak orë pasditeje, që kishte marrë leje nga reparti.
Menjëherë u gjallëruam, sepse e kuptuam që fare falas do të kishim përpara syve tonë një spektakël komik tepër zbavitës.
Dukej se ishte një ushtar i ardhur nga periferia. Biçikletën e përdorte si mos më keq. Dukej që tej, së largu, se sapo kishte nisur ta mësonte. Edhe mjekra sapo kishte filluar t’i dilte. Koka - e qethur tullë, me brisk. Dukej se kishte pas qenë bjond. Me trup të fuqishëm. Faqet i kishte kuqalashe, buçko dhe fare pa rrudha. Në të gjithë kokën e tij vetëm dy rrudha dukeshin mirë, pikërisht atje ku bashkohej qafa me pjesën e poshtme të paskokës.
Të gjitha kategoritë ekonomike të socializmit dhe të kapitalizmit së bashku ishin ngjeshur si fantazma fluturuese mbi atë ushtar hipur mbi biçikletën me qira që vinte rrotull në një nga sheshet e bulevardit përmbysës.
Një lloj centauri i klonuar disa herë me veten e tij.
Edhe ushtar edhe çiklist.
Edhe ushtarak edhe qiramarrës.
Edhe qejfli edhe klloun.
Edhe nën urdhrat e kapterrit (fletë-leja) edhe nën presionin e dyqanxhiut (qiraja e biçikletës).
Ylli në ballë i dallohej mirë mbi kapë - sy qiklopi që udhëhiqte ideologjikisht arradhen e verbër, ku bënte pjesë si këmbësor i thjeshtë.
Ishte pothuaj një «mish për top», nga ata më të lirët, më pa vlerë.
Përmbysja e yllit në mirazh nuk ndryshonte asgjë. Po yll mbetej, ta ktheje nga të doje. Me kokë lart apo me kokë poshtë.
Vërtitej me shpejtësi përgjatë një kohe të kufizuar. Liria e tij ndrydhej vetëm brenda orareve të ngushta që kishte shkruar mbi fletën e liri-daljes kapterri roje i repartit - përfaqësuesi i vetmuar i shtetit të pasdites, kur oficerët kishin shkuar në shtëpi për t’u marrë me familjet e tyre.
Aq liri i kishte dhënë kapterri dhe ai mrekullohej, duke dashur të përfitojë sa më shumë prej saj. Dukej te forca e ushtruar nga shputat mbi pedale.
Në atë kohë, gjithçka tjetër ishte shtetëzuar. Për çudi kishte mbetur vetëm dhënia e biçikletave me qira, si e vetmja formë marrëdhënie tregu që ekzistonte. E vetmja gjë që mund të blihej dhe shitej në atë kohë diktati, ishte biçikleta me qira.
Vrundullimi i ushtarit rreth e rrotull trotuarit katror kurdisej nga bashkëveprimi i një çelësi me tre pozicione:
Ylli.
Qiraja.
Kapterri.
Ecte me shpejtësi marramendëse, duke ardhur kotësëkoti rrotull trotuarit katror të sheshit.
Vinte nga askund dhe nuk shkonte gjëkund. Një xhiro ndiqte tjetrën. E reja fillonte atje ku kishte mbaruar paraardhësja. Koha i rrotullohej duke mbetur në vend.
Donte t’i nxirrte ujët e zi biçikletës dhe këtë e kuptonte në mënyrën më vulgare. Sa më shumë kilometra të bëra me të, aq më mirë i dukej se e kishte shfrytëzuar lejen. Aq më mirë shfrytëzuar edhe lekët që kishte dhënë për qiranë. Ndaj ecte shpejt, shpejt, rrëmbimthi, pa ditur t’i japë pothuajse fare biçikletës.
Por ai nuk e dinte se nuk dinte, prandaj s’kishe se çfarë t’i mësoje. Disi kishte arritur t’i hipte asaj rrangalleje. Si nëpër tym. Dyshonim se nuk dinte të zbriste më që andej edhe po të donte. Ndofta gabimisht e merrnim si të pasionuar pas biçikletës, ndërkohë që ai mbase xhironte ashtu pa fund, sepse nuk dinte si të shpëtonte prej saj. Nuk dinte si t’i zbrizte pa thyer kokën. Duhej dikush për ta zbritur butë. Po kush afrohej brenda perimetrit të asaj xhiroje zjarri si ajo e një avioni me defekt që s’di ku të ulet?
Gjëja kryesore kur hipën diku, qoftë edhe në një pemë për të ngrënë rrush nga pjergulla, është të dish të zbresësh. Prandaj ishte i dënuar të qëndronte mbi atë shalë të çmendur, të qullur, lëvizëse, duke ardhur pa fund rrotull.
Ata që e mbajnë mend atë kohë e dinë mirë se biçikletat me qira ishin më të shkatërruarat e epokës. Askush nuk i merrte për të shëtitur, a për të kryer ndonjë punë serioze. Me to, vetëm ushtarët mësonin t’i jepnin biçikletës në orët që i lejonte kapterri i repartit, duke harxhuar pesëdhjetëlekshat e vjetër.
Kush thoshte «biçikletë me qira» nënkuptonte hipësin që pothuajse pa ditur ta ngiste harxhonte për qejf lekët që i kërkonte familjes. Një mekanizëm prej dy pedalesh, ku njëra medoemos shkonte së paku nja tridhjetë gradë huq. Në boshllëk. Varej pedalja me gjithë bishtin e vet mbi piastër si një krah zogu i thyer, i këputur. Një zhurmë e çrregullt therëse shoqëronte lëvizjen e përçudnuar të të gjithë trupit. Një gjysmë lëvizje rrotulluese plotë - viuuuu, pastaj një shkarje në boshllëk e pedales – zhgraaaap.
Viuuuu – zhgrap.
Viuuuu – zhgrap.
Jo më kot adoleshentët tiranas thërrisnin automatikisht «Hajde qiraja!» sa herë shihnin ndonjë ushtar të ri, që ashtu rrëmujazi, gjithmonë gati duke rënë, shkalavarurazi, shtrënguar fort me dy kofshët e veta shalën që gati rrotullohej në të gjitha drejtimet, i jepte rrezikshëm, pa drejtim, duke u valëvitur, një biçiklete gjysmë të shkatërruar, për të shkuar askund.
Kjo thirrje shënonte diçka në shkatërrim e sipër, ku ulesh përkohësisht, e shfrytëzon barbarisht, kurrë s’e riparon, dhe pasi mbaron afati i qirasë apo leja e komandës, e hedh tej, për t’ia lënë tjetrit gjysmë të shkatërruar si prostitutë ilegale në periferitë urbane të qyteteve amorfë.
Gjithkush gjatë përdorimit të përkohshëm iu vidhte biçikletave me qira pjesët përbërëse. Fenerin. Frenat. Stopin e pasëm. Kapakët e ventilave. Dorezat prej plastamasi të timonit. Zilen. Parafangot. Mbulesën e zinxhirit. Pjesët prej gomine të pedaleve. Sfungjerin e shalës. Me një fjalë, gjithçka pa të cilën megjithatë një biçikletë mund të vazhdojë të ecë. Kjo lloj vjedhjeje masive e gjithçkaje quhej «zhveshje» me gjuhën eufemike të kohës. Zhveshje – sikur zhvishet ndokënd me dëshirën e vet. Asgjë të keqe s’ka në këtë mes. Pas çdo kalimi dorë më dorë, biçikleta me qira mbetej gjithnjë e më skeletike dhe e xhveshur. Si roje natem pasi i kanë vjedhur magazinat që i kishte pasur në ngarkim.
Bosh.
Biçikleta iu thënçinm se në fakt nuk ishin veçse dy rrota të lidhura me zinxhira transmisioni me pedalet rrak–zhdrakbërëse që rrutullohej kuisshëm nga shalët e fuqishme vulgare të ushtarëve dalë në rrugë me leje të lëshuar nga kapterri i repartit.
Një ingranazh i tërë hierarkish rrotulluese.
Ngulur mbi biçikletë, ushtari lëvizte lart–poshtë shalët e fuqishme, duke i fërkuar pas hekurit të biçikletës. Dukej sikur nxitonte për diku me urgjencë, veçse kur kthehej krejt paprimtas për të bërë një rrotullim tjetër nën brohoritjet tona gajasëse, nën diellin zhuritës.
Nuk e drejtonte ai timonin, por e drejtonte timoni atë.
Shpesh i ikte krejt nga dora dhe pastaj e rikapte përsëri në rënie e sipër. Pas shumë dridhjesh që gati e rrëzonin, arrinte të merrte një farë drejtimi dhe vazhdonte rrotullimin e radhës. Pedalet vinin rrotull herë bosh dhe herë plot. Jo rrallë njëra këmbë rrëshqiste nga pedalja dhe përplasej, duke u hequr zvarrë mbi bulevard. Atëherë, pafkat e këpucëve ushtarake – bërdunglla rrëshqisnin hosh mbi pllakat e bulevardit dhe nxirrnin xixa si ato të një dragoi që lë zjarr pas vetes.
Një rrokopullisje e përhershme, por asnjëherë nuk ra përfundimisht edhe pas pesë apo pesëmbëdhjetë xhirosh.
Shala e biçikletës fërkohej pas pjesës së poshtëme të vitheve që i dridheshin si çikrik poshtë pantallonave ushtarake të qullura nga djersa. Me siguri merrte edhe kënaqësi libidinale që bëhej edhe më e papërmbajtshme nga rreziku i rënies që e kërcënonte. Gjoksin e mbante drejt dhe kokën lart, pa parë fare se ku shkonte. Pastaj përkulej i gjithi, trup e kokë, mbi timon, sikur mbulonte kokën me krahë nga frika duke u mbrojtur nga ndonjë armik imagjinar që e sulmonte nga ajri. Shihte poshtë i mrekulluar pas asaj që bënte kur këmbët shtynin pa pushim pedalet. Pastaj, befas ringrihej sërish, si për t’i dhënë zemër vetes. Qendronte si bust mbi hekurin horizontal që dilte nga fundi i shalës dhe mbështetej te mbajtësja e timonit, duke i përshkruar tej-përtej shalët e ushtarit të qullura nga djersa e sikletit.
Dukej sikur fluturonte mbi një presh hekuri.
Pastaj binte përsëri rrufeshëm mbi timon, si ndonjë i kapitur.
Brohoritjet tona ishin shndërruar në thirrje gazmore, që shprehnin edhe kënaqësi nga spektakli, por edhe nxitje. Atij i dukej se ishim mrekulluar pas ushtrimeve të tija nëpër rrugë. Në fakt ne kishim vetëm hall mos i mbushej mendja dhe ikte nga lëvizja rrotulluese, duke na lënë bosh në mërzinë pritëse të vapës.
Duke parë në drejtimin tonë, hyri më në fund turbullazi në kontakt me vështrimet që i hidhnim. Pa se kishte edhe mjaft vajza midis nesh. Eksitimi iu dyfishua dhe gjithçka e bënte tanimë edhe për vete, por edhe për ne.
Për t’u stabilizuar në amokun e tij marramendës rrethrrotullues kishte pasur nevojë për spektatorë. S’bënte dot qejf pa spektatorë. Qejfi në vetvete s’është gjë. Qejfi për të ishte kur të tjerët e shihnin se po bënte qejf. I hipur mbi biçikletën e marrë me qira kishte vendosur kontakt me publikun. Nuk e vriste fare ndërgjegjja se po abuzonte me lekët që i merrte familjes.
Edhe ne po i jepnin atij shfaqjen tonë si spektatorë. Bënim sikur e brohorisnim me admirim.
Ne jepnim shfaqje për të.
Ai jepte spektakël për ne.
Ai ishte spektatori ynë.
Ne ishim publiku i tij.
Ne ishim ulur si varfanjakë hokatarë në bordura guri.
Ai ishte hipur, por kishte ngelur peng i biçikletës së çmendur marrë me qira, pa ditur më si t’i zbrizte.
Bënte qejf, sepse nuk mund të mos bënte qejf, përndryshe rrëzohej keqaz.
Ishte i dënuar të bënte qejf.
Shfrytëzonte lirinë e kufizuar që i kishte dhënë kapterri.
Peng i qejfit të vet.
Ashtu i dukej se duhej drejtuar një biçikletë shkatarraqe kur në mes futet paraja.
Pasqyrimi i përmbysur përmbante në fakt të vërtetën.
Virtualja ishte bërë e vërtetë.
Realja ishte bërë e gënjeshtër.
Në të vërtetë nuk i kishte hipur ai biçikletës.
I kishte hipur biçikleta atij.
Hipësit ia kishin hipur.
Viuu–zhdrak.
Ora po mbaronte.
Sapo të gremisej nga rrangalla do t’i kërkonin lekët e qirasë. Do t’i paguante deri më një. Do të mbetej pa asnjë lek në xhep. Edhe ingranazhe nuk do të kishte më mundësi të blinte. S’kishte nga ia mbante. Kishte lënë pasaportën të hipotekuar në dyqanin e qirasë. Ishte bërë si sprintierët zezakë në metrat e fundit të garës. Fytyra i tregonte kënaqësi, krenari, frikë, inat, vendosmëri, padituri, ankth, habi – të gjitha të përzjera në një koktej psikik që na bënte të shpërthenim në gaz të marrësh.
Dikush nga ne që shoqërohej me ca alabakë libertarianë, që e kishin shtëpinë andej nga stacioni i trenit, dhe na sillte të freskët si thesar të rrallë zhargonin e ri gjuhësor të tyre, thirri paprimtas sikur t’i kishte rënë dielli në kokë:
«Hajde qiraja!»
Kaq u desh. Duhej ta fillonte dikush.
Pastaj, djemtë tiranas të kursit filluan ta brohorisnin e duartrokisnin, duke u çjerrë me plot grykën:
«Hajde qiraja!»
Ai kujtonte se i thoshim: Jepi, më fort dhe gati sa s’po çmendej në eksitimin e tij.
Na shihte me ca sy të zgurdulluar të ngjitur mbi një maskë-fytyrë, që herë dukej sikur thoshte: «E shihni se ç’jam i zoti të bëj?», herë bëhej kërcënuese, herë merrte pamje të çlirët dhe buzëqeshte sikurse përshëndetet me hipokrizi publiku dhe pastaj na harronte fare, duke e humbur vështrimin drejt shkallareve të gurta ku ishim ulur.
Paprimtas disa nga shoqet tona të kursit s’u përmbajtën as ato dhe me zëra të hollë filluan të këlthisnin:
«Hajdeeeee qirajaaaaaa!».
Kishin hyrë edhe femrat në lojë.
Ai u ngrit si statujë në ekstazë krejt në ajër mbi shalë dhe timoni gati po i ikte nga duart.
Më në fund, edhe miqtë tanë konviktorë, nga rrethet, shumë më të pjekur dhe më burrërorë sesa ne, filluan të zbaviten edhe ata, duke bërtitur me zë të fuqishëm:
«Hajde qiraja!»
Tani s’kishte ku të shkonte më tej.
Nuk e di ç’e gjeti, por në një çast të vetëm, krejt befasisht, timoni e drejtoi andej nga kishte ardhur dhe u tret gradualisht, derisa u bë sa një mizë e vogël tutje mbi bulevardin përmbysës.
Iku ashtu siç kishte ardhur.
Krejt papritur.
I dyzuar.
Rrak – zhdrak – viuuuu.
U shkri atje larg, kthyer përmbys poshtë vetes së vet, tej në horizontin e avullt, si pikë uji që rrokullisej mbi bulevardin e thatë.
Si pas çdo të qeshure gati histerike, mbetëm për pak kohë fare bosh.
Nuk e di se përse m’u kujtua novela e atij të vjetrit, që vdiq i ri.
E hangri tuberkulozi mbase nga marazi tek shihte gra, dikur «zonja të randa», që jepnin me qira trupin e tyre.
Përshkruante mjeshtërisht kohën pa lëvizje.
Një gomar që rrihej egërsisht me kamzhik nga i zoti e megjithatë s’tundej nga vendi.
Kohë e pakohë.
Pa lëvizje.
Ishim ndodhur në një skenë sa të ngjashme, aq edhe të ndryshme.
Me shumë lëvizje, madje histerike, por rrotulluese, që s’çonte kërkund.
Kishte qenë kohë pa drejtim, një rrethrrotullim i bërë mes shakasë, padijes, eksitimit, pritjes, humbjes së kohës, vapës, mirazheve përmbysës.
Ndërkohë mbi bulevard u shfaq pedagogu. Sikur kishte dalë papritmas nga një derë diku aty rrotull. Ecte me këmbët në qiell dhe kokën në tokë. Prandaj duket se vonohej gjithmonë. I lidhur si centaur narcist me veten e vet. Bulevardi e kishte kthyer edhe atë përmbys.
Kremkaramel.