E Hënë, 2 Nëntor 2026

Po vijnë amerikanët

23/02/2005  Ka shumë çështje të tjera, për të cilat amerikanët dhe evropianët nuk bien dakord, që nga ngrohja globale e deri për borxhet e botës së tretë dhe gjithmonë kështu do të jetë. Ka kaluar shumë kohë nga ajo epokë kur SHBA dhe Evropa më e vogël mbaheshin të bashkuara për shkak të kërcënimit sovjetik, dhe tani çdo palë i percepton në mënyrë të ndryshme kërcënimet

Rrallë një vizitë e një Presidenti të SHBA në Evropë është pritur me kaq interes sa ajo që George Bush nisi të hënën. Arsyeja e qartë: mosmarrëveshjet transatlantike janë rritur gjatë 4 viteve të fundit, duke ngritur dyshime mbi vlefshmërinë e Aleancës së Atlantikut të Veriut madje, edhe nëse termi Perëndimor vazhdon të tregojë të njëjtin vizion të përbashkët për botën. Ne besojmë se kështu është, dhe se NATO mund të mbetet instrumenti kryesor për të garantuar sigurinë dhe lirinë e vendeve që pranojnë vlerat që lidhin Europën dhe Amerikën. Por do të duhet shumë më tepër për të zhbërë dëmet e këtyre katër viteve. Banketet dhe fjalimet për histori të përbashkëta janë të mira, por Irani, Siria, Iraku, Korea e Veriut, Kina e Afrika kanë nevojë për vëmendje të përbashkët.

Koreografia e vizitës është me të vërtetë mbresëlënëse. Presidenti Bush ka menduar të kalojë kohë me tre kundërshtarë të luftës në Irak: Zhak Shirak, Gerhard Shrëder dhe Vladimir Putin si dhe do të vizitojë Këshillin e Evropës dhe Komisionin Evropian, për të treguar se ai është për një Evropë të bashkuar. Disa faktorë e shpjegojnë etjen e të dy palëve për një shfaqje publike të kësaj atmosfere shoqërore. E para, është thjesht se Bushi ka edhe katër vite, duan apo nuk duan evropianët. Një tjetër është se Amerika do të donte shumë që Evropa të angazhohej në Irak. Ushtria amerikane është e mbitendosur. Natyrisht, evropianët besojnë se kjo do të thotë që Bushi nuk do të sulmojë Iranin.

Pyetja e vërtetë është, a do të zgjidhet diçka. Shrëder deklaroi javën e kaluar se NATO nuk është më e suksesshme si vendtakimi kryesor për komunikimet transatlantike dhe rekmandoi që një panel zyrtarësh të lartë të shqyrtojë këtë problem.

Ndryshime mund të ketë edhe në lidhje me bisedimet për programin bërthamor të Iranit. Gjermania, Britania dhe Franca do të mbështeten fort te zoti Bush për të mbështetur negociatat e tyre me Iranin, në vend që të kërkojnë sanksione nga Këshilli i Sigurimit. Eshtë një pikë ku Presidenti duhet të hapë rrugë. Bushit i duhet gjithashtu të zbusë qëndrimin në lidhje me embargon e armëve ndaj Kinës, që evropianët duan ta heqin. Bushi ka të drejtë në parim, por embargo është e destinuar të përfundojë dhe nëse hiqet tani i lejon SHBA të vendosë kufij dhe kushte për shitjen e armëve Pekinit.

Edhe evropianët duhet të përulen. Ata duhet të angazhohen për një rol më të madh në trajnimin e forcave irakene të sigurisë. Dhe duhet t’i bashkohen SHBA e ta shpallin Hezbollahun një grup terrorist, sepse ai i tillë është, dhe sepse mesazhi ndaj terroristëve duhet të jetë një i vetëm.

Ka shumë çështje të tjera, për të cilat amerikanët dhe evropianët nuk bien dakord, që nga ngrohja globale e deri për borxhet e botës së tretë dhe gjithmonë kështu do të jetë. Ka kaluar shumë kohë nga ajo epokë kur SHBA dhe Evropa më e vogël mbaheshin të bashkuara për shkak të kërcënimit sovjetik, dhe tani çdo palë i percepton në mënyrë të ndryshme kërcënimet. Por secila palë ka nevojë për tjetrën. Tani udhëheqësit duhet të tregojnë se kur kanë nevojë, SHBA dhe Evropa mund të jenë partnerë.

Koment

Thuaji po Evropës

Administrata, në mënyrë krejt të paarsyeshme armiqëson Evropën për shkak të shtagësisë ideologjike dhe indiferencës dritëshkurtër. Nëse nuk mbështet evropianët në çështjet ku ata kanë të drejtë, SHBA duhet ta harrojnë ndihmën evropiane për çështjet e veta prioritare.

Sebastian Mallaby The Washington Post

Ofensiva joshëse e Bushit në Evropë ka limite, dhe kështu duhet të jetë. Evropianët gabojnë që dëshirojnë t’i shesin armë Kinës, gabojnë që nuk ofrojnë më shumë ndihmë për Irakun në tranzicion (sidomos Franca), gabojnë që nuk mbajnë qëndrim më të ashpër ndaj genocidit në Sudan. Ne nuk duam një president që ta mbajë mirë me Evropën në këto çështje. Ne duam një president që të ushtrojë ndikim mbi sjelljet evropiane.

Por ka edhe një shportë të dytë me tema, ku gjen vend ekzaktësisht e kundërta: atje ku administrata, në mënyrë krejt të paarsyeshme armiqëson Evropën për shkak të shtagësisë ideologjike dhe indiferencës dritëshkurtër. Nëse nuk mbështet evropianët në çështjet ku ata kanë të drejtë, SHBA duhet ta harrojnë ndihmën evropiane për çështjet e veta prioritare.

Për shembull, ndryshimi i klimës. Evropianët e kanë me pasion këtë çështje dhe kanë të drejtë. Globi po ngrohet vërtet; është e vërtetë që pas kësaj qëndron aktiviteti njerëzor; atëherë përse të mos i përgjigjet SHBA thirrjes evropiane për reagim?

E njëjta gjë edhe me çështjen e Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve dhe Darfurit. SHBA kanë thënë gjithmonë se gjykatat ndërkombëtare janë të mira, nëse janë të përgjegjshme politikisht, që do të thotë se Këshillit të Sigurimit të OKB i takon të autorizojë ndjekjen penale. Tani Evropa dëshiron që Këshilli i Sigurimit të nisë ndjekje penale për krimet në Darfur. Por Bushët thonë jo.

Më pas vjen tema e ndihmës së huaj dhe Afrikës. Toni Bler dëshiron që të përdor faktin që vendi i tij ka kryesinë e G7, për të falur borxhe dhe dhënë ndihmë për zhvillim këtë vit. Reagimi i Bushit? Edhe një herë, jo.

Por diplomacia e suksesshme është më shumë se të thuash jo. Nëse administrata nuk bie dakord me një propozim britanik, duhet që të ketë një alternativë, e cila ka kuptim për aleatin, dhe të sigurohet që merita të ndahet për të dy. Duhet të tregojë më shumë energji dhe më shumë imagjinatë. Duhet të hedhë ide zhvilliumi që të jenë në gjendje të fluturojnë në të dy krahët e Atlantikut, duke e transformuar një zënkë në një front të përbashkët.

Administrata e Bushit, për shembull duhet të mbështesë një ide për të nxitur zhvillimin e vaksinave për vendet e varfër, gjë që gjen shumë mbështetje në qeverinë britanike. Ideja është që vendet e pasur të nënshkruajnë një kontratë, ku të premtojnë të blejnë vaksina për SIDA ose malarie, nëse ato shpiken; kjo do të shërbente si stimulues për gjigandët farmaceutikë, që të vënë në punë paratë për kërkim. Një lëvizje e tillë mbron pronën intelektuale, vë në lëvizje mekanizmat e sektorit privat kryesisht amerikan dhe i minimizon thuajse në zero kostot qeveritare, për sa kohë që vaksina nuk është shpikur. Duke e përmbledhur, i përshtatet përsosmërisht idesë së Bushit për botën. Atëherë, përse të mos duartokiten britanikët për udhëheqjen e shkëlqyer dhe të mbështetet ideja?

Administrata e Bush duhet gjithashtu të shpallë një plan për rritje të regjistrimeve në shkolla që është i shtrenjtë jo vetëm për britanikët, por edhe kanadezët e holandezët. Ideja është që vendet e pasur të premtojnë të financojnë propozime bindëse për të rritur regjistrimet në shkollat fillore, duke nxitur vendet e varfër të ofrojnë programe të fuqishëm. Edhe një herë, koncepti i përshtatet administratës Bush: Paratë shpërblejnë politikën e mirë. Për më tepër, aleatët e SHBA kanë ngritur tashmë një aparat administrativ për të shqyrtuar propozime, dhe 12 vende pritet të marrin një shumë modeste prej 348 milionë në 2005. Kjo ide ka nevojë vetëm për një injeksion të ri parash nga Shtetet e Bashkuara, që do të nxiste donacione nga qeveri të tjera. Eshtë diplomaci e mirë dhe politikë e mirë. Atëherë, ku është ekipi Bush?

Forcimi i aleancës me Evropën kërkon më shumë se udhëtime presidencialë në kontinentin e vjetër. Duhet kreativiteti dhe vendosmëria për të shkuar përtej “JO”-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›