E Hënë, 2 Nëntor 2026

KRRT e Durrësit, miraton ndërtimin e dy ndërtesave të larta

23/02/2005  Kullat do të kenë lartësinë 19 e 22 kateDURRËS - Durrësi do të këtë shumë shpejt godinën më të lartë të

ndërtuar ndonjëherë në këtë qytet bregdetar. Një kullë me 22 kate dhe një tjetër me 19 kate do t’i shtohen objekteve të larta që kanë nisur të ngrihen pas viteve ‘90.

Ndërsa deri më tani pallatet si dhe qendrat e biznesit të lartësuara nuk kanë kaluar të 14 katet, firma SIP dhe 2E kanë fituar të drejtën për të hedhur themelet e dy kullave që do të kapërcejnë lartësitë e deritanishme.

Dje Këshilli i Rregullimit të Territorit në Bashkinë e Durrësit ka miratuar shtatë kërkesa nga nëntë të paraqitura për leje për shesh ndërtimi, duke tejkaluar ngërçin, në të cilin ishin përfshirë subjektet e kompanitë ndërtuese që prej mëse një viti. Në të njëjtën mbledhje janë miratuar edhe 8 kërkesa të tjera për leje ndërtimi dhe ato do të fillojnë së ngrituri në disa nga lagjet kryesore të qytetit, kryesisht për apartamente banimi.

Për disa vite kanë qenë dy kullat binjake në afërsi të shëtitores “Taulantja” me 12 kate, ato që kanë mbajtur të drejtën për të qenë në krye të lisës së godinave të larta. Por në dy vitet e fundit janë edhe disa të tjera përgjatë shëtitores si dhe në qytet që kanë shtuar lartësitë.

Dy kullat në themelet e muzeut Arkeologjik

Dy kullat e larta do të ndërtohen në afërsi të sheshit “Taulantja” në lagjen nr.1 të Durrësit, poshtë këmbëve të Kodrës

së Vilës me pamje nga deti. Saktësisht themelet e kullës do të hapen në vendin kur vite më parë ka qenë muzeu arkeologjik, ndërkohë që me përfundimin e studimit urbanistik të kësaj zone pritet që edhe shumë të tilla të lakmojnë pikërisht atë që ka mundur të realizojë firma SIP.

Investitorët dhe grupi i arkitektëve do të referojnë javën e ardhshme para specialistëve të urbanistikës së bashkisë për zgjidhjet arkitekturore dhe të konstruksioneve.

Vendime të tjera

KRRT ka miratuar gjithashtu projekt-preventivin e parashikuar për rikonstruksionin e rrugës “Enver Zazani”, të rrugës së Gjykatës së Apelit në Shkozet si dhe vazhdimin e unazës së Durrësit në afërsi të Sigurimeve Shoqërore. Të tre këto segmente do të investohen brenda këtij viti, duke zgjidhur edhe një nga shqetësimet kryesore të banorëve të këtyre lagjeve. Edhe projekti për ndërhyrjen në disiplinimin e ujërave të zeza si dhe të shtrirjes së rrjetit të ujit të pijshëm në lagjen 13 e 14,

përkatësisht në Plazh dhe Shkozet, është miratuar pa asnjë kundërshtim, duke i hapur rrugë çeljes së fondeve.

Në të njëjtën mbledhje është miratuar edhe ndryshimi i destinacionit të godinës së privatizuar 4-katëshe të ish-Ferementimit të Duhanit nga ndërmarrje në qendër biznesi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›