E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gurët e rënë nga mali, bllokojnë hekurudhën

23/02/2005  Për pesë orë ndërpritet qarkullimi i trenave e automjeteve

ELBASAN - Një masë e madhe gurësh ka rrëshqitur gjatë orëve të natës midis të hënës e të martës, përgjatë segmentit hekurudhor Elbasan–Librzhd, në afërsi të fshatit Xibrakë. Për pasojë janë dëmtuar pjesërisht shinat, ndërsa është bërë i pakalueshëm qarkullimi i trenave në këtë aks hekurudhor. Si pasojë e gurëve të rënë janë dashur disa orë që hekurudha të konsiderohej e kalueshme.

Pas konstatimit të kësaj situate, mësohet se një lajmërim i rojeve të hekurudhës ka shmangur daljen e trenit të linjës Pogradec-Elbasan nga shinat.

Sipas specialistëve të hekurudhës, që kishin mbërritur në vendin e dëmtuar, gurët e rënë nga shirat e ditëve të fundit, kanë shkatërruar një pjesë të shinave. Pas ndërhyrjes së specialistëve e punëtorëve ë mirëmbajtjes së hekurudhës, dëmi është riparuar brenda pesë orëve.

Sipas drejtorit të rajonit hekurudhor në Elbasan, Bujar Kapaj, mësohet se ky dëmtim vjen si pasojë e mungesës së rrjetave mbrojtëse të malit të Xibrakës, i cili disa herë është shndërruar në rrezik për hekurudhën. Disa muaj më parë po në këtë vend gurë dhe dhera nxorën nga shinat një prej vagonave të trenit të linjës, ndërsa u deshën tri ditë për të riparuar këtë segment.

Rrëshqitjet nuk kanë shkaktuar vetëm dëmtimin e hekurudhës. Edhe segmenti rrugor Elbasan-Librazhd në afërsi të malit të Murrashit është konsideruar i pakalueshme për disa orë. Dherat dhe gurët e rëna nga mali kanë bllokuar rrugën dhe si pasojë qarkullimi është ndërprerë që në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Pas lajmërimit, policia rrugore ka mundur të disiplinojë qarkullimin, ndërsa mjetet e firmës “Mapa” kanë larguar ndërkohë dherat, duke e bërë të mundur qarkullimin në një kalim. Kjo situatë ka zgjatur për më shumë se 5 orë, ndërsa gurët janë larguar nga asfalti vetëm rreth mesditës, kur edhe kjo rrugë është konsideruar e kalueshme pa vështirësi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›