Bonot e Thesarit, fitim më të lartë se depozitat
Sipas eksperteve të bankave mënyra më e mirë për të investuar në kursime më të larta është nëse investohet në bono thesari. Ekspertët e bankave shpjegojnë se "nëse do të marrësh kursime më të larta, investo në bono thesari, pasi risku është zero dhe fitimi është më i lartë".
Blerja e bonove të thesarit, në kushtet e rritjes së interesit të tyre, është vlerësuar nga ekspertët mjaft e leverdishme në këtë moment, si për individët ashtu edhe për institucionet financiare, që nuk kanë një alternativë më të mirë investimi. Sipas tyre, norma e interesit të bonove është ndjeshëm më e lartë se e depozitave të kursimit. Në të gjitha bankat, interesi i depozitave në lekë mund të arrijë maksimumi në 7 për qind për depozitat tremujore, ndërkohë që për të njëjta afate bonot e thesarit arrijnë deri në 9.2 për qind. Për t'i investuar kursimet në bono thesari, ekspertët shpjegojnë se ato mund të blihen në tregun primar e në atë sekondar. Tregu primar përfaqësohet nga shitja e këtyre instrumenteve të borxhit në ankandet e radhës të Bankës së Shqipërisë. Vështirësia e individëve për të marrë pjesë në këtë treg është reale, pasi edhe për vetë strukturën e këtij tregu pjesëmarrja në tregun primar mbart kosto për individët. Kështu që mundësia më e mirë për të investuar në bono thesari mbetet tregu sekondar, që në Shqipëri përfaqësohet në pjesën dërrmuese nga bankat e nivelit të dytë. Shërbimi ofrohet nga të gjitha bankat si dhe në të gjitha degët e tyre në rrethe, duke u bërë kështu më atraktiv edhe për blerësit e mundshëm të bonove të thesarit. Njëkohësisht, bankat e nivelit të dytë ofrojnë edhe blerjen e këtyre instrumenteve të borxhit, para afatit të maturimit.