E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bie akuza e përdhunimit, pedagogu në arrest shtëpie

KORÇE – Pedagogu i Infermierisë lë qelinë pas 3 ditësh. Prokuroria e Korçës ndryshoi akuzën për 46-vjeçarin Robert Rado, duke kërkuar për të masën e sigurisë “arrest shtëpiak”. 

Sipas organit të akuzës, ndryshe nga se u deklarua pas arrestimit të profesorit, Rado nuk ka kryer marrëdhënie seksuale me studenten e vitit të dytë, duke e cilësuar veprën të mbetur në tentativë. Në seancën gjyqësore të vendosjes së masës së sigurisë ka marrë pjesë vetë pedagogu, i shoqëruar nga avokati i tij mbrojtës. Për shkak të faktit se bëhej fjalë për një figurë publike, gjyqtari kërkoi që masa e sigurisë të merrej me dyer të mbyllura. Në këto rrethana kanë dalë nga salla media dhe familjarë të pedagogut, ndërsa studentja dhe familjarët e saj nuk kanë qenë në këtë seancë gjyqësore. Prokurori ka përmendur provat që disponon rreth ngjarjes, duke nënvizuar se policia në sajë të bashkëpunimit me vajzën kishte mundur të realizonte përgjime dhe filmime të pedagogut dy ditë rresht. Në përgjimet e para është regjistruar biseda kur studentja dhe pedagogu lanë takimin e tyre për të nesërmen, ndërsa në përgjimin e dytë është regjistruar gjithë biseda që ata kanë zhvilluar në një dhomë moteli. Pikërisht në këtë pjesë të përgjimit pedagogu mësohet se, nuk ka pranuar që të paguhet për notën kaluese nga studentja. Gjatë bisedës ai ka kundërshtuar marrjen e lekëve edhe nga dy vajza të tjera, që kishin futur seksere studenten J.S. Këto deklarime të pedagogut kanë shërbyer që ai të shkarkohet nga akuza e korrupsionit pasiv, duke iu lehtësuar dukshëm situata. Pedagogu ka heshtur gjatë gjithë seancës. Për të ka folur avokati Robert Hyska, i cili ka hedhur poshtë të gjitha akuzat, duke i cilësuar ato të manipuluara dhe të sajuara. Ai ka lënë të kuptohet se gjithë ngjarja ka pasur stimulim nga disa punonjës të policisë. Në seancën gjyqësore dje është përmendur edhe ekzistenca e një deklarate të nënshkruar nga J.S., në të cilën studentja deklaronte se mbante përgjegjësi para ligjit, nëse ngjarja pas hetimeve cilësohet manipulim i së vërtetës. Disponimi i kësaj deklarate nga uniformat blu duket sikur përforcon pretendimin e avokatit mbrojtës. Rado u padit disa ditë më parë nga studentja e vitit të dytë në degën e Infermierisë me inicialet J. S. Sipas këtij kallëzimi pedagogu i kishte kërkuar që të kryente marrëdhënie seksuale në këmbim të një note kaluese në lëndën e fiziologjisë.    j.gj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›