E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luante me armë, vret kushëririn

Loja me armë i merr jetën 28-vjeçarit. Autori është kushëriri i tij 40-vjeçar, i cili e ka qëlluar aksidentalisht me një plumb pistolete Petrit Bujën. 

SHKODER/ RITVAN DIBRA

 Sapo e ka parë të gjakosur, Gjergj Buja ka dashur të vrasë veten me të njëjtën armë, por e kanë ndalur në kohë bashkëfshatarët e tij. Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e djeshme, në fshatin e largët Selcë të Komunës së Kelmendit në Malësi të Madhe. Burime të policisë, të cilët u nisën dje drejt zonës së largët, 60 km larg qytetit të Shkodrës, bënë të ditur se nga të dhënat e para rezulton se vrasja ka qenë aksidentale. Autori i vrasjes së të riut është kushëriri i tij i largët, Gjergj Buja, i cili pas krimit ka kaluar në një gjendje të rëndë depresive. Sipas dëshmive të mbledhura në vendin e ngjarjes, mësohet se dy kushërinjtë kanë qenë duke pirë prej disa orësh së bashku në një lokal të fshatit Selcë, madje në të njëjtën tavolinë. Në pije e sipër, 40-vjeçari ka nxjerrë një pistoletë që mbante me vete, duke ia treguar kushëririt. Ai ka nisur të luajë me armën, duke e mbushur e zbrazur disa herë, aq sa nuk ka mundur që të parandalojë shkrehjen e pavullnetshme të armës. Plumbi i vetëm i dalë nga pistoleta e ka qëlluar direkt e në gjoks Petritin, çka e ka bërë vdekjen të pashmangshme.  Sapo është dëgjuar krisma, të pranishmit në lokal janë përpjekur që t’i japin ndihmën e parë 28-vjeçarit, por çdo ndihmë e tyre ka rezultuar e kotë. I riu ndërroi jetë gjatë rrugën për në spitalin e Shkodrës, si pasojë e hemorragjisë së madhe. Mësohet se në atë moment, kur ka parë kushëririn të mbuluar me gjak e më pas ka marrë vesh se ai kishte ndërruar jetë, autori i ngjarjes ka pësuar një goditje të rëndë psikologjike, duke tentuar të mbushë sërish armën dhe të qëllojë dhe veten e tij. Por ka qenë ndërhyrja banorëve të fshatit që kanë ndërhyrë me shpejtësi duke ia hequr armën nga dora dhe duke e izoluar në një vend të posaçëm, në pritje të ardhjes së uniformave blu nga komisariati i Malësisë së Madhe. Ndërkohë, një grup hetimor me ekspertë të kriminalistikës janë nisur nga komisariati i Shkodrës. Hetimet e para kanë nxjerrë konkluzionin se bëhej fjalë për vrasje nga pakujdesia. Me akuzën e vrasjes aksidentale dhe mbajtjes pa leje të armëve, 40-vjeçarit Buja iu vunë prangat, duke u transportuar drejt komisariatit të Shkodrës, ku do të qëndrojë deri në fund të hetimeve. Sipas policisë, si autori dhe viktima nuk janë persona me precedentë penalë.

Precedenti/ Gjatë pijes u vranë dy vetë
Një vrasje e dyfishtë u regjistrua në një tjetër fshat të Malësisë së Madhe, pasi autori dhe viktimat kishin konsumuar një sasi të madhe pijesh alkoolike në një lokal. Ton Ulaj, 28 vjeç dhe Gjergji Shotaj, 24 vjeç humbën jetën pas qëllimit me armë në mënyrë të pakontrolluar, ashtu si dhe shoku i tyre, Ardian Narkaj. Policisë iu desh dy ditë për të zbardhur ngjarjes, sipas së cilës ajo kishte nisur ndërsa progatonistët konsumonin alkool në lokalin e fshatit Bratosh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›