E Diel, 1 Nëntor 2026

Bie akuza e vrasjes së policit, 15 vite burg Pajës

VENDIM
I cilësuar si njeriu UFO, i arratisuri nga burgjet Italiane, u dënua vetëm për vrasjen e mbetur në tentativë të një personi

TIRANË- Mjeshtri i arratisjeve nga burgjet italiane, i pandehuri Ilir Paja, i njohur nga mediat italiane edhe si "Ufo i arratisjeve" u dënua dje nga Gjykata e Krimeve të Rënda në kryeqytet me 15 vjet burg, duke i shpëtuar dënimit maksimal për këtë rast me 25 vite burg. Gjykata rrëzoi akuzën e tentativës së vrasjes së agjentit të policisë që po tentonte ta arrestonte paraditen e 6 shkurtit 2008 në ndjekje të këtij të fundit për ta arrestuar.

Trupi gjykues pesë anëtarësh i kryesuar nga gjyqtari Idriz Mulkurti, vendosi pas 30 minutash qëndrim në dhomën e këshillimit, deklarimin fajtor të të pandehurit Paja për krimin e "vrasjes së mbetur në tentativë" dhe "armëmbajtjes pa leje".

Për këto dy vepra penale, sipas gjykatës, i pandehuri në bashkim dënimesh përfundimisht dënohet me 15 vite burg, të cilat duhet t'i vuajë në një burg të sigurisë së lartë për shkak të rrezikshmërisë së tij. Sipas dispozitivit të vendimit, prokuroria nuk arriti të bindë Gjykatën se i pandehuri Paja ishte i informuar se personi që e ndiqte i hipur në një motor në momentin e tentimit të arrestimit të tij ishte agjent policie.

Ndërkohë, prokurori i çështjes, Nijazi Seferi, pak javë më parë gjatë leximit të konkluzioneve përfundimtare kërkoi nga gjykata deklarimin e të pandehurit fajtor për veprën penale të "vrasjes në rrethana cilësuese" të mbetur në tentativë ndaj agjentit të policisë dhe dënimin e tij me 25 vite burg.

Sipas akuzës, i pandehuri ishte paralajmëruar nga agjentet e policisë të cilët e kishin rrethuar për ta arrestuar, me fjalët "Policia jeni i arrestuar". Pretendimet e akuzës, i pandehuri Paja edhe mbrojtësi i tij ligjor i hodhën poshtë, duke pretenduar se personi i hipur në motor pas veturës së të pandehurit të rrethuar nga policia nuk ishte identifikuar si punonjës policie.

Për këtë shkak, avokati kërkoi nga gjykata që klienti i tij të deklarohet fajtor për veprën penale të "shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor" me pasojë plagosjen e rëndë. Edhe kjo kërkesë e avokatit nuk u pranua nga gjykata.

Pas tërheqjes për vendim, pesëshja gjykuese e cilësoi të pandehurin fajtor për veprën penale të "vrasjes" së thjeshtë të mbetur në tentativë dhe "armëmbajtje pa leje" duke e dënuar përfundimisht me 15 vite burg.

Sipas vendimit, 36-vjeçari Paja, paraditen e 6 shkurtit të vitit 2008 pas rrethimit nga forcat e policisë, ka tentuar të largohet me veturën e tij, duke marrë zvarrë agjentin e njësisë së operacioneve speciale të Drejtorisë së Policisë, B.H. Nga kjo përplasje, efektivi i policisë pësoi dëmtime të rënda, duke rrezikuar jetën.

Për fat të mirë, ai tashmë është rikthyer në normalitet falë ndërhyrjes së kryer në Itali, ndonëse ende vuan pasojat e ngjarjes. Ngjarja ndodhi pas një ndjekjeje që nisi nga materniteti i ri në drejtim të Farmacisë nr.10. Në kryqëzim, policia tentoi të ndërhynte ndërsa Paja, tentoi të ecë pas duke shkelur efektivin e Policisë B. H.

Ky pësoi dëmtime të rënda ndërsa u dërgua në Itali, ku falë ndihmës së mejkëve italianë mundi të shpëtonte. Paja u plagos prej oficerëve të Policisë, pasi sipas tyre edhe pas thirrjes për të ndaluar dhe se i ishte bërë e ditur se kishte plagosur një polic ai po tentonte të largohej.

Dy të arrestuar nga hetuesit Antitrafik, dyshohet se iu kanë marrë kurdëve 6500 euro, për t'i dërguar në Austri në itinerarin Shqipëri- Kosovë- Slloveni

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›