Dy të vdekur për shkak të të ftohtit
Korçë/ Thoma Andrea dhe Thimaq Stefo kanë ndërruar jetë dje për shkak të temperaturave të ulëta në juglindje
Termometri ka shënuar deri në -8 gradë. Kudo këshillohet qarkullimi me zinxhirë, sidomos gjatë natës
KORÇË - Moti i ftohtë ka shkaktuar dy viktima në qarkun e Korçës. Të dhënat zyrtare të policisë bëjnë të ditura për gazetën "Shekulli" se është gjetur i vdekur para një lokali në qendër të qytetit një 60-vjeçar.
Thoma Andrea, banor i lagjes 14, është gjetur nga kalimtarët, të cilët kanë njoftuar dhe policinë për ndihmë. Burri ka qenë duke ecur në rrugë, ndërsa ka rënë pa ndjenja në tokë.
Policia, e cila ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, ka transportuar drejt spitalit rajonal të Korçës kufomën, ndërsa mjekët e tij kanë konstatuar se vdekja ka ardhur nga një atak kardiak që dyshohet të ketë si arsye të ftohtin.
Por një tjetër i moshuar ka mbetur peng i temperaturave të ulëta, të cilat kanë shkuar deri në -7 gradë celcius. Thimaq Stefo, 77 vjeç, nga fshati Drenovë është gjetur nga fqinjët i vdekur në banesën e tij. Edhe në këtë rast mjekët kanë konstatuar vdekjen nga zemra që ka ardhur nga i ftohti.
Dy ditët e fundit, kanë qenë edhe më të ftohtat në rajonin e Korçës. Termometri ka shënuar një ditë më parë deri në -8 gradë celcius, ndërsa ka sjellë dhe dy viktimat e para.
Ndërsa i ftohti ka regjistruar dy të moshuar të vdekur, rrugët nacionale nuk kanë regjistruar asnjë aksident automobilistik. Policia e juglindjes paralajmëron drejtuesit e automjeteve që orët e vona të mbrëmjes të mos qarkullojnë pa zinxhirë dhe të evitojnë sa të jetë e mundur udhëtimet e tyre natën, ku vështirësitë mund të jenë edhe më të mëdha, pasi temperaturat ulen më shumë dhe rruga "pushtohet" nga ngrica.
Sasia e reshjeve ka qenë ndër më të mëdhatë e kësaj stine dimri, ndërkohë që kjo ka sjellë dhe bllokimin e disa akseve nacionale që lidhin Shqipërinë juglindore me pjesët e tjera të vendit.
Trashësia e dëborës ka kaluar të 50 centimetrat, ndërkohë që gjendja më e vështirë nga orët e para të mëngjesit të së enjtes e në vazhdim paraqitet në aksin kombëtar Pogradec-Qafë-Thanë, si dhe në Korçë-Pogradec në Grabovicë.
Më shumë se tre kilometra të kësaj rruge kanë qenë të bllokuara për shumë orë, duke krijuar radhë të gjata automjetesh deri në ndërhyrje të policisë rrugore, por dhe të dy mjeteve kripëhedhëse.
Ndërkaq me zinxhirë kryhet qarkullimi edhe në akset e tjera Korçë-Pogradec, Korçë-Kapshticë dhe Korçë-Kolonjë. Dëbora, përveç problemeve në qarkullimin e automjeteve, ka izoluar totalisht disa zona të thella malore në qarkun e Korçës.
Sipas informacioneve nga Shtabi i Emergjencave Civile, mësohet se të izoluara janë aktualisht zona turistike e Dardhës, Voskopojës dhe Vikthkuqi. Gjithashtu, të mbyllura janë dhe fshatrat e komunës së thellë malore të Lekasit.
Autoritetet lokale bëjnë të ditur se situata do të shkojë drejt përmirësimit pas ndërhyrjes me traktorë në këto zona dhe mjete borëpastruese, ndërsa primare janë akset nacionale.