E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plaçkitje në barrikada

Të enjten ka ndodhur një plaçkitje e pazakonshme në komunën e Shtimes. Tre plaçkitës kanë vendosur barrikada me gurë të mëdhenj në një pjesë të rrugës tek Qesta e Reçakut, në komunën e Shtimes.

Në barrikadat e vendosura plaçkitësit e armatosur me armë zjarri, përkatësisht revole, rreth orës 01 e 30 minuta të së enjtes, kanë ndalur 25 vjeçarin A.R, i cili me veturën e tij po kthehej në shtëpi nga Shtimja.

Viktima ka lajmëruar menjëherë policinë në stacionin e Shtimes. Ai i ka thënë policisë se nga tre plaçkitësit është sulmuar fizikisht dhe se ka marrë plagë të lehta trupore. Me këtë rast atij i janë plaçkitur 3 mijë euro dhe një telefon mobil i tipit “Nokia”.

Rastin e konfirmon edhe zëdhënësi rajonal i policisë në Ferizaj, toger Agim Gashi. Zëdhënësi thotë se policia është organizuar mirë dhe pasi ka marrë të gjitha veprimet e duhura, ka arritur që të kapë njërin nga të dyshuarit për këtë plaçkitje.

Sipas zëdhënësit rajonal, vetëm një orë më vonë, përkatësisht rreth orës 2 e 30 minuta, policia ka kapur njërin nga tre të dyshuarit për këtë plaçkitje në një shtëpi të braktisur në Shtime. Polica pasi ka kontrolluar shtëpinë e braktisur ka gjetur dhe ka konfiskuar dy revole dhe tre telefona mobil.

Ndërsa i kapur nga policia R.K. 27 vjeçar është dërguar në mbajtje, përkatësisht në paraburgim, dy të dyshuarit tjerë ende gjenden në arrati.

“Ata janë të njohur për policinë dhe se për kapjen e tyre është angazhuar Njësiti i hetimeve rajonale”, ka thënë zëdhënësi rajonal i policisë në Ferizaj, toger Agim Gashi.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›