Kodheli: Shqipëria në NATO nuk mund të dështojë me zgjedhjet
Partia Socialiste paralajmëroi dje dështimin e zgjedhjeve të qershorit nëse nuk pajisen të gjithë shqiptarët me kartë identiteti. Zëdhënësja e kryesisë së Partisë Socialiste, Mimi Kodheli, vuri në dukje se kjo duhet të bëhet sa më parë, në të kundërt është vonë. "Sepse koalicioni i Gërdecit u thotë që këtë të drejtë kushtetuese duhet ta blejnë megjithëse nuk kanë bukë të hanë. Çdo shqiptar duhet të pajiset me kartën e identitetit, nesër është vonë. Shqipëria në NATO s‘mund të dështojë në zgjedhje si në Gërdec", nënvizoi Kodheli. Më tej, referuar anëtarësimit në NATO, zyrtarja e PS-së akuzoi mazhorancën se po e përdor si slogan elektoral. "Shqiptarët meritojnë të festojnë për Shqipërinë në NATO, kurse koalicioni i Gërdecit meriton vetëm të largohet si i padenjë me votën e lirë të shqiptarëve në 28 qershor. Shqipëria në NATO s‘mund të dështojë në zgjedhje si në Gërdec", deklaroi Kodheli. Ajo bëri thirrje që integrimi i Shqipërisë në NATO të mos përdoret si mbulim, ndërkohë që Shqipëria po rrezikon zgjedhjet për shkak të ecurisë jo të mirë të pajisjes me karta identiteti. "Shqipëria në NATO nuk është as krehri e as parukja e politikanëve të vjetër të koalicionit të Gërdecit, tha Kodheli, që në këtë moment historik po bëjnë një paradë qesharake suksesesh të paqena, ndërkohë që një dështim dramatik po përvijohet çdo ditë në horizontin e zgjedhjeve të 28 qershorit". Partia Socialiste vazhdon t‘i qëndrojë besnike propozimit të saj për të dhënë karta identiteti falas sidomos për atë kategori shtetasish që janë të varfër dhe nuk kanë as pasaportë. Propozimi është dorëzuar në formën e një nisme ligjore edhe në Kuvend dhe pritet që sot, grupit parlamentar socialist të kërkojë hyrjen dhe votimin e tij në rendin e ditës.