Plagos shokun, se dhentë kaluan sinorin
Policia në Tepelenë ka arrestuar një çoban që qëlloi dhe plagosi me sëpatë bashkëfshatarin e tij, pas një grindjeje krejt të rëndomtë për kapërcimin e kufirit të kullotave. Burimet zyrtare të policisë, bënë të ditur se të shtunën, rreth orës 23.20, nga agjentët e seksionit të luftës kundër krimeve ndaj personit në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër është bërë i mundur arrestimi në flagrancë i shtetasit Altin V., 17 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Luftinjë të rrethit Tepelenë, i cili është autor i një plagosjeje të ndodhur në rrethana të një grindjeje të rëndomtë mes dy çobanëve. Gjatë grindjes ai ka tentuar të vrasë me sëpatë bashkëfshatarin 20-vjeçar, Arjan Sinomati. Sipas policisë, 20-vjeçari ka marrë plagë të rënda në shpinë dhe është dërguar në spitalin e Gjirokastrës, ku pas ndërhyrjes kirurgjikale ka dalë jashtë rrezikut për jetën.