E Diel, 1 Nëntor 2026

Bie çmimi i karburanteve, por jo i biletave të transportit urban dhe interurban



Ulja e çmimit të karburanteve në vend prej disa muajsh nuk është pasqyruar në asnjë çast në tarifat e biletave të shërbimit të transportit të udhëtarëve në vend. Pronarët e mjeteve të transportit publik vazhdojnë të aplikojnë çmime të njëjta me periudhën kur nafta shitej me 150 lekë për litër, e cila u bë edhe një prej pretendimeve kryesore që ata të shtrenjtonin çmimin e biletave. Prej disa javësh, çmimi i “arit të zi” vazhdon të shitet 40 deri 45 lekë më ulët, krahasuar me muajin gusht, kur në tregun vendas ai shënoi kulmin e tij. Ishte kjo periudha kur pronarët e furgonëve dhe të autobusëve, të përballur me çmime të çmendura, u detyruan që të rrisnin me nga 50, 100, 150 lekë çmimet për linjat në të cilat ata punonin. Tani që nafta, justifikimi kryesor i rritjes së çmimeve nga shoferët, po pëson herë pas here ulje të mëdha, këta të fundit duket se nuk kanë ndërmend t'i rishikojnë tarifat e disa muajve më parë. Edhe këtë herë ka një justifikim; janë taksat që, sipas tyre, janë të larta apo detyrimi që rrugën e kthimit për në vendin e origjinës ta bëjnë pa marrë asnjë pasagjer. Por detyrimi “për t'u kthyer bosh” nuk aplikohet në të gjitha linjat, gjë që e bën edhe më të rëndë situatën, pasi çmimet e biletave mbahen të larta abuzivisht. Të gjithë këtë mospasqyrim të drejtë të çmimeve të karburanteve në tarifën e biletave e vuajnë udhëtarët, të cilët gjithmonë duhet të paguajnë njësoj, pavarësisht shërbimit që u ofrohet. Qytetarët që nuk kanë një mjet privat apo që janë të detyruar të udhëtojnë me mjete të transportit publik, për shkak të harxhimeve të mëdha me automjetet e tyre, janë të kushtëzuar të paguajnë çfarëdo tarife që caktohet apriori nga pronarët e mjeteve.

18 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›