Këshilli i Europës përshëndet pezullimin e ligjit të lustracionit
Këshilli i Europës ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e ligjit të lustracionit. Raportuesit e KE-së, që vizituan Tiranën javën e shkuar, kanë theksuar se Gjykata përdori kompetencat e saj për këtë vendim, ndërkohë që bëjnë të ditur se periudha e pritjes së ndihmës nga Komisioni i Venecias do të shërbejë si moment reflektimi për ligjin aktual, i cili ka nevojë për ndryshime. “Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të pezulluar zbatimin e ligjit kontradiktor të lustracionit është një zhvillim i mirëpritur”, - janë shprehur dy bashkëraportuesit e Komitetit të Monitorimit pranë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, të cilët vizituan Shqipërinë disa ditë më parë, Jako Lakso dhe Dejvid Uilshajër. “Gjykata ka përdorur fuqinë e saj për të pezulluar zbatimin e ligjit deri në një vendim përfundimtar. Gjykata është bazuar në kërkesën e PS-së, Shoqatës së Prokurorëve dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit”, - janë shprehur raporterët. Gjatë qëndrimit në Tiranë javën e kaluar, dy bashkëraportuesit kanë zhvilluar një takim me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Vladimir Kristo. Gjatë bisedimit, ata nxitën Gjykatën që ligji t’i kalojë për shqyrtim dhe Komisionit të Venecias, i cili do të japë një sugjerim ligjor të pavarur dhe në përputhje me standardet europiane. Ata janë shprehur se janë të kënaqur që Gjykata Kushtetuese ka vepruar në përputhje me këshillën e tyre. “Askush nuk është shprehur kundër ligjit të lustracionit. Po ne kemi sugjeruar që Shqipëria të marrë ekspertizë ndërkombëtare për hartimin e një ligji të tillë. Megjithatë, ligji aktual ka nevojë për modifikime”, - është shprehur raporteri Uilshajër.
18 Shkurt 2009