E Diel, 1 Nëntor 2026

Bie çmimi i karburanteve, rriten çmimet e ushqimeve

 

Gjatë muajit tetor konsumatorët kanë shpenzuar më shumë para nga buxheti i tyre familjar, për të blerë ushqimet e konsumit të përditshëm. Sipas të dhënave më të fundit nga Instituti i Statistikave, inflacioni në muajin tetor arriti në 2.8 për qind. Krahasuar me një muaj më parë, çmimet e konsumit kanë pësuar një rritje prej 0.1 për qind. Por krahasuar me të njëjtin muaj të një vitit më parë, niveli i inflacionit ka pësuar rënie nga 4.2 për qind në 2.8 për qind, që është tetorin e këtij viti. Sipas të dhënave nga INSTAT, gjatë muajit tetor janë rritur ndjeshëm çmimet e zarzavateve, ndërkohë që çmimet e frutave kanë pësuar një rënie të lehtë. Ndërkohë sipas INSTAT, gjatë muajit tetor çmimet janë rritur edhe në disa nëngrupet e tjera të grupit të ushqimeve, ku mund të përmendim rritjet në nëngrupet, “mish” 0.8 për qind, “bukë e drithëra” 0.1 për qind, “qumësht, djathë e vezë” 0.7 për qind, etj. Gjatë muajit tetor, çmimet e karburanteve kanë pësuar një rënie të lehtë. Kjo si pasojë e uljes së çmimit të karburanteve në tregjet ndërkombëtare. Sipas të dhënave nga INSTAT-i, indeksi i grupit “Transport” shënoi një ulje prej 1.5 për qind. Gjatë muajit tetor çmimi i naftës shënoi një ulje prej 6.0 për qind dhe çmimi i benzinës një ulje prej 4.6 për qind. Ndërkohë për sa i përket indeksit të grupit “Komunikim” shënoi një ulje prej 11.0 për qind, ulje kjo e shkaktuar nga ulja e tarifave të telefonisë fikse me 19.3 për qind dhe tarifave të telefonisë celulare me 11.3 për qind, ndërsa indeksi i grupit “Hotele, kafene dhe restorante” shënoi një rritje prej 1.1 për qind.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›