“Kriminal shpërdorimi i fondeve në shëndetësi
Vitin që vjen buxheti i shëndetësisë do të rritet me rreth 300 milionë dollarë. Por shtesa e fondeve deri në masën 14% do t’i nënshtrohet një monitorimi të imtësishëm. Kjo pasi në tre vitet e fundit, një pjesë e këtyre fondeve ka shkuar dëm duke mos u përdorur për pacientët. Gjithçka është diskutuar dje në Komisionin Parlamentar të shëndetësisë. E pranishme në mbledhje Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli shprehu shqetësimin për gjendjen në të cilën ndodhet shëndetësia sot. “Paratë do të shkojnë te pacienti dhe kjo kërkon në të njëjtën kohë që parlamenti dhe i pari ky Komision, të gjejnë instrumentet për të kontrolluar se ku do të shkojnë rreth 300 milionë dollarë që kemi caktuar për shëndetësinë për vitin 2009”, tha Topalli. Ajo nënvizoi se është njëra anë të shohësh që paratë janë shtuar, por është po aq e rëndësishme gjetja e sistemit të kontrollit dhe verifikimit të këtyre parave. “Nga situata në spitalet tona më rezulton se ka mungesa të mëdha të aparaturave të domosdoshme si skanera, rezonanca magnetike, mamografi. Kuvendi ka miratuar para për këto, të cilat kanë përfunduar për blerjen e makinave të drejtorëve të spitaleve. Të miratohen 300 milionë dollarë fonde nga Kuvendi, rreth 100 milionë dollarë më shumë se vetëm dy vite më parë dhe spitalet të mos kenë skanera, kjo është e pafalshme dhe kriminale”, tha Topalli. Ndërkaq, Ministri i Financave, Ridvan Bode u shpreh se spitalet vitin që vjen do të menaxhohen në një formë të re, duke kaluar pranë Institutit të Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor. “Ne do të financojmë pacientin, duke kostuar të gjitha llojet e shërbimeve që administrata shëndetësore do t’i ofrojë atij (pacientit). Ky është një hap shumë i madh në reformën shëndetësore të vendit dhe një mundësi për t’i përdorur fondet në mënyrë efikase. Kjo do të mundësojë që vitin e ardhshëm të kemi një shërbim më cilësor në rrjetin tonë spitalor”, tha Ministri i Financave.