Ngujohen në grevë urie 11 deputetë
Aristir Lumezi
Deputetët e LSI-së e PDK-së dhe “PS ‘91" nisin grevën e paralajmëruar të urisë. Përfaqësuesit e tri partive parlamentare protestojnë ndaj miratimit të Kodit të ri Zgjedhor, i cili iu jep të drejtën dy partive të mëdha të vendosin anëtarët e KQZ-së dhe komisioneve lokale. Njëmbëdhjetë deputetë, mes të cilëve edhe ish-kryeministri Ilir Meta, kanë qëndruar në sallën e Parlamentit, në përfundim të seancës së djeshme parlamentare, duke nisur në këtë mënyrë protestën për Reformën Zgjedhore, e cila po miratohet me konsensusin e PD-së dhe PS-së. Para nisjes së grevës, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, bëri të ditur në pjesën jashtë rendit të ditës në seancë se greva e urisë zhvillohet si rruga e vetme demokratike për të ndalur revanshin, sipas tij, të Kryeministrit Sali Berisha dhe kryetarit të PS-së, Edi Rama. “Me përgjegjësi politike e kombëtare, jemi të detyruar të shpallim që nga ky moment grevën e urisë, si e vetmja rrugë demokratike e civile që na ka mbetur për t’i thënë ndal revanshit të binomit Berisha-Rama dhe qëllimit të tyre antikombëtar e antidemokratik për shkatërrimin e zgjedhjeve të ardhshme, përmes frikësimit paraprak të votuesve shqiptarë dhe së fundmi përmes numërimit stalinist të votave. Ky është momenti që të gjithë shqiptarët të reflektojnë e të reagojnë në mbrojtje të votës së tyre të shenjtë e të paprekshme nga askush!”, deklaroi Meta. Duke iu referuar rastit të shembjes së pallatit në Gjirokastër, të cilin e konsideroi rast korruptiv, Meta tha se vota duhet të jetë e shenjtë, për të shembur, sipas kreut të LSI-së, sistemin e korrupsionit. “Ndaj sot është momenti për t’i dhënë goditjen e parë këtij sistemi të korruptuar që në themelet e tij, duke i dhënë fund së pari korrupsionit elektoral. Vota duhet të bëhet e shenjtë në këtë vend, në mënyrë që askush të mos vdesë më prej korrupsionit. Dua të garantoj të gjitha mediat se ne jemi të hapur për pasqyrimin e kësaj greve nga ana e tyre 24 orë në 24 orë”, deklaroi Meta. Kërkesa e LSI-së, PDK-së e “PS ‘91", sipas ish-kryeministrit Meta është në të njëjtën linjë edhe me kërkesat e vazhdueshme të misionit të OSBE/ODIHR dhe Komisionit Evropian, të cilët kanë deklaruar se Kodi i ri Zgjedhor duhet të miratohet me konsensus të gjerë. “Duke mbështetur me forcë kërkesat e komunitetit ndërkombëtar e në mënyrë të veçantë të BE-së dhe OSBE/ODIHR-it, që procesi i hartimit të Kodit Zgjedhor dhe i administrimit të procesit të ardhshëm elektoral të jetë sa më gjithëpërfshirës e aspak përjashtues, sikundër ka ndodhur për fat të keq pas marrëveshjes së paprinciptë Berisha-Rama, për të paracaktuar në tavolinë rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009, nëpërmjet monopolizimit total të procesit të administrimit të zgjedhjeve, edhe pse të dyja së bashku, PD e PS, në zgjedhjet e fundit të përgjithshme vendore kanë marrë vetëm 43% të votës popullore”, vijoi më tej Meta. Kreu i LSI-së tha më tej se deputetët që do të hyjnë në grevë nuk do të pranojnë në asnjë moment që në vend të vendoset një klimë antidemokratike, që sipas tij synon të eliminojë alternativat e ndryshme politike në vend. “Duke zhvilluar të gjitha përgjegjësitë tona dhe ndërmarrë të gjitha përpjekjet e nevojshme dhe konstruktive, me qëllim hartimin e një Kodi Zgjedhor gjithëpërfshirës, të ndershëm dhe garantues për të gjitha palët konkurruese, nëpërmjet paraqitjes të herëpashershme të propozimeve tona konkrete, të cilat nuk u morën kurrë në konsideratë nga dy partitë e vjetra”, vijoi më tej Meta. Kreu i LSI-së tha në sallën e Parlamentit se, “duke shprehur në vazhdimësi qëndrimin tonë të qartë dhe pa asnjë ekuivok, se binomi Berisha-Rama, pasi dhunoi në mënyrë arrogante Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, pasi kufizoi rolin e Presidentit të Republikës dhe institucioneve të pavarura e sidomos të sistemit të drejtësisë”.
Deputetët në grevë
Ilir Meta LSI
Pëllumb Xhufi LSI
Ndre Legisi LSI
Spartak Braho LSI
Nikollaq Neranxi LSI
Petro Koçi PS ‘91
Nard Ndoka PDK
Jak Ndoka PDK
Frrok Gjini PDK
Ndue Shpani PDK
Ymer Tola PDK
Arbnori, 20 ditë grevë në 1997
Në periudhën gusht-shtator 1997, pas zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme, të cilat risollën në pushtet Partinë Socialiste, ish-kryetari i Kuvendit, Pjetër Arbnori, vendosi të hyjë i vetëm në grevë urie në zyrën e tij për të detyruar shtetin të ndalte propagandën mjaft të ashpër dhe kritike kundër opozitës. Nisur nga agresiviteti gjithmonë e në rritje i Radio Televizionit Shqiptar, ku dy të tretat e edicioneve të lajmeve ishin vetëm me fyerje dhe sulme kundër opozitës, detyruan Mandelën shqiptare që të ndërmerrte një grevë urie, e cila zgjati për 20 ditë me radhë. Në fillim i izoluar nga media, por pak nga pak simpatik në protestën e tij sublime, ai arriti të kthehej në një problem real për qeverinë. Arbnori arriti të marrë mbështetje nga politikanë të huaj, kryesisht francezë dhe italianë, si dhe të detyrojë politikën shqiptare të ulet në bisedime. Vëmendja ndaj tij u rrit ndjeshëm pas 3 shtatorit, kur ai u zgjua në gjendje shumë të rëndë për jetën. Ndikimi i ndërkombëtarëve dhe serioziteti me të cilin Arbnori po shkonte drejt flijimit, sollën dhe negociatat mes grupeve parlamentare për të rënë dakord në miratimin e amendamentit “Arbnori”.
Prifti zëdhënës i grevës
Përveç pesë deputetëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim, të cilët u futën në grevë urie në sallën e Parlamentit menjëherë pas përfundimit të punimeve, nënkryetari i kësaj partie, Dritan Prifti u vendos si koordinator i grevës, njëherësh edhe si ndërlidhës mes deputetëve grevistë dhe protestuesve që qëndronin para Parlamentit. Në përfundim të seancës, Prifti u pa disa herë të hynte në sallën e Parlamentit dhe të shkonte te grevistët, ndërkohë që u shfaq edhe disa herë në televizion lidhur me qëndrimin e LSI-së për grevën.
Ndoka: Me këtë Kod Zgjedhor do të kemi Parlament të emëruar
Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, tha dje në Parlament se Kodi i Zgjedhor, i cili pritet të miratohet në ditët e ardhshme, synon të eliminojë të gjithë politikanët e padëshiruar. Teksa bëri të ditur qëndrimin e PDK-së për t’iu bashkuar Lëvizjes Socialiste për Integrim për të nisur grevën e urisë, Ndoka tha se “me këtë Kod Zgjedhor që z.Berisha po kërkon të miratojë në bashkëpunim me z.Rama, synohet jo vetëm eliminimi politik i Partisë Demokristiane, një opsion i vjetër i zotit Berisha ky, por të eliminohen edhe të gjithë politikanët e padëshiruar, ose që për zotin Berisha janë sadopak të dyshimtë”. Sipas tij, “me këtë Kod Zgjedhor që po përgatitet të miratohet në këtë sallë, nga ju, të nderuar deputetë, ne do të kemi pas zgjedhjeve të vitit 2009 një parlament të emëruar, institucione të emëruara, president të emëruar, pra gjithçka në këtë vend do të varet nga vullneti i dyshes Berisha-Rama dhe jo nga vullneti i zgjedhësve shqiptarë”. Kreu i PDK-së tha në Kuvend se me miratimin e Kodit të ri Zgjedhor përgatitet edhe humbja në zgjedhjet e përgjithshme të koalicionit të djathtë. Sipas tij, baza e elektoratit të djathtë të përbërë nga ish të përndjekurit dhe ish-pronarët nuk mund të votojnë një listë kandidatësh të propozuar nga Berisha nën presionin e Gërdecit dhe Fazlliçit. “Elektorati i djathtë nuk ka motiv të votojë një listë të hartuar nën shantazhin e Gërdecit dhe të Fazlliçit, një listë që garanton korrupsionin familjar dhe kapjen e shtetit, një listë që nuk u shërben qytetarëve, por sulltanit të ri politik Sali Berisha”, deklaroi më tej Ndoka.
Topalli
Megjithëse njëri pas tjetrit kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta dhe kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka shpallën nga foltorja e Kuvendit nisjen e grevës së urisë për të protestuar ndaj Kodit të ri Zgjedhor, kryetarja e Kuvendit nuk reagoi në asnjë moment gjatë seancës. Por në përfundim të fjalës së Ndokës ajo vazhdoi me rendin e ditës, duke miratuar fillimisht procesverbalin e një seance më parë dhe më pas i dha fjalën ministrit të Mbrojtjes, Gazmend Oketa, për të folur për vendimin për poligonet.
Protesta para Kuvendit në shtetrrethim
Adi Shekmbi
Megjithëse seanca e djeshme shënonte ditën e parë të një greve urie të një grupi deputetësh, mbyllja e mbledhjes së Kuvendit ishte e njëjtë për sa i përket punonjësve të tij dhe Gardës.
Brenda Parlamentit nisën grevën pa afat njëmbëdhjetë deputetë, ndërkohë që gazetarëve iu kërkua të dilnin prej lozhës së Kuvendit, ku është vendi i përcaktuar për mediat. I vetmi monitorim për deputetët duket se do të jetë ai i kamerave të instaluara në të gjithë cepat e sallës. E njëjta gjë ndodhi edhe me përfaqësuesit e mediave në oborrin e Kuvendit, të cilët u larguan menjëherë pasi dolën të gjithë deputetët që nuk ishin pjesë e grevës. Rreth orës 20:00 të mbrëmjes së djeshme oborri i Kuvendit u boshatis dhe pranë tij qëndruan vetëm disa pjesëtarë të Gardës. Që nga nisja e seancës në Kuvend binte në sy numri i madh i gardistëve dhe policëve që ishin vendosur pranë tij, ndërkohë që trafiku i makinave ishte bllokuar prej disa orësh.
Protesta
Ndërkohë, para Kuvendit që prej orës 18:00 ishin vendosur me qindra aktivistë të Lëvizjes Socialiste për Integrim, të cilët nisën paralelisht protestat kundër miratimit të Kodit të ri Zgjedhor, së bashku me njëmbëdhjetë deputetët që “u ngujuan” në sallën parlamentare. Përveç policëve dhe gardistëve, brenda ambienteve të Kuvendit një numër i madh policësh kishin rrethuar protestuesit dhe i mbanin ata larg njërës korsi të rrugës që lidh zonën e nëntëkatësheve me kryqëzimin e rrugës së Elbasanit. Protestuesit kërkuan që Parlamenti të mos miratojë Kodin e ri Zgjedhor, i cili parashikon përcaktimin e anëtarëve të KQZ-së nga dy partitë e mëdha. Rreth orës 19:00 sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, tha në një prononcim për mediat se greva ka mbështetje të gjerë te qytetarët. “Siç e shikoni sot, i gjithë populli i Tiranës dhe i gjithë populli i Shqipërisë do të jetë në këtë shesh, ku do të vërë në vend dhunimin dhe turpin e demokracisë. Sot, Shqipëria po jeton ditën e saj më të zezë, 11 deputetë të pluralizmit shqiptar, ditën kur të gjithë menduan që u vendos pluralizmi dhe kjo demokraci u vendos, detyrohemi të hyjmë në një grevë urie, për të vënë turpin e demokracisë në vend. Sot, Shqipëria është në hall, sot Shqipëria është në turp, të gjithë shqiptarët ndihen të vjedhur. Sot detyrohen të mbrojnë me jetën e tyre deputetët dhe vëllezërit tanë në Parlament, vetëm e vetëm për një gjë, që votën të mos e vjedh Rama dhe Berisha”, u shpreh Vasili. Edhe pas nisjes së grevës së urisë të 11 deputetëve, protestuesit vazhduan protestën e tyre, megjithëse nuk munguan tentativat e policisë për të prishur protestën, duke detyruar të paktën një herë protestuesit të ngriheshin në këmbë dhe të lironin rrugën për të kaluar makinat. “Vota është e shenjtë”, “Jo diktaturës”, “Nuk do kalojë” ishin disa prej thirrjeve të protestuesve, të cilët kanë qëndruar para Parlamentit deri në orët e vona të natës dhe pritet të nisë sot paradite sërish.
Reforma Zgjedhore, ankimi në dy shkallë “gjykatash”
Komisioni i Posaçëm i Reformës Elektorale ka miratuar në parim paketën e fundit që ka të bëjë me çështjen e ankimeve zgjedhore. Procesi ankimues do të jetë i njëjtë me atë të zhvilluar si në zgjedhjet e mëparshme. Partitë politike pas ankimit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve mund t’i drejtohen Kolegjit. Ankimimet e shkallës së dytë do të administrohen nga ana e Gjykatës së Apelit. “Mbaruam pjesën që ka të bëjë me ankimet. Patëm diskutim, patëm debat për këtë çështje. Përfundimisht do të ruhet niveli dy shkallësh, pra do të ruhet modeli që kemi pasur deri më sot, pra gjykimi me kolegj zgjedhor. Kemi lënë një mbledhje të fundit për ditën e enjte për të bërë miratimin tërësor të Kodit”, tha bashkëkryetari socialist Fatmir Xhafaj. Ndërsa anëtari i LSI-së, Spartak Braho, deklaroi se komisioni bipartizan ka lënë jashtë votimit emigrantët. “Emigrantët përfundimisht u përjashtuan nga votimet në vendet ku ata banojnë. Është një padrejtësi e madhe që i bëhet kësaj shtrese. Dita e fundit, ndarja e çmimeve është javën që vjen”, deklaroi Braho. Afati i këtij Komisioni të Posaçëm të Reformës Zgjedhore është data 14 nëntor. Ditën e enjte, më 13 nëntor është caktuar një mbledhje e fundit për të vendosur për disa gjëra teknike që kanë mbetur pezull, të cilat duhet të përcaktohen nga grupi i ekspertëve. Sipas burimeve mësohet se data e votimit të paketës së Kodit të ri Zgjedhor nuk është përcaktuar ende. Nga burime përflitet se votimi në seancën plenare mund të realizohet në datën 20 nëntor. Por kjo mund të realizohet disa ditë përpara në seancën e së hënës, në datën 17 nëntor. Ndërkohë që mësohet se Kodi i ri Zgjedhor ka në total 170 nene. Për herë të parë në këto zgjedhje do të aplikohet sistemi proporcional rajonal. Gjithashtu pritet të ndryshojë edhe skema e KQZ-së, duke e kthyer atë tërësisht politike, me balancim 4 me 3 të anëtarëve. Pikërisht ndryshimi i skemës ka shkaktuar debate të mëdha politike, ku LSI dhe PDK kërkojnë të përfaqësohen me anëtarë komisionesh si në KQZ, ashtu dhe në komisionet e niveleve të dyta dhe të treta të administrimit të zgjedhjeve.