E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shultz: BE nuk do pranojë përjashtimin e LSI nga zgjedhjet

 

Presidenti i Grupit socialist në Parlamentin Evropian, z.Martin Shultz gjatë një prononcimi për mediat kundërshton faktin që dy partitë kryesore shqiptare, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike po përjashtojnë partitë e tjera parlamentare nga procesi i administrimit të votës. Sipas tij, “Berisha me Ramën kanë një synim shumë të qartë për ta përjashtuar partinë e Ilir Metës nga ky proces dhe këtë ne nuk mund ta pranojmë. Ndaj për këtë unë kam organizuar një takim midis Ilir Metës dhe Komisionerit përgjegjës për zgjerimin e BE-së, Oli Rehn”. Shultz shprehet se kjo gjë nuk mund të pranohet në asnjë mënyrë, sepse këto zgjedhje janë kruçiale për të ardhmen dhe për demokracinë në Shqipëri. Sipas tij, Shqipëria ka nevojë për më shumë bashkëpunim, më shumë mirëkuptim, më shumë dialog midis palëve për të ardhmen e saj. Duke kërkuar bashkimin dhe bashkëpunimin e të majtës shqiptare, Shulz shprehet se PS dhe LSI duhet të bashkohet për të mundur të djathtën. Sipas tij, “Ilir Meta, është një mik prej shumë kohësh dhe në këtë kontekst unë mendoj se në këto momente na duhet një e majtë e bashkuar në Shqipëri dhe mesazhi im për Ilir Metën dhe Edi Ramën, është se në këto momente ka shumë nevojë për një bashkëpunim midis të majtës dhe të gjithë partive. Ndaj të gjitha partitë e majta duhet të marrin në konsideratë se një e majtë e ndarë, është padyshim një avantazh i madh për të djathtën”. 
Zoti Shultz, Shqipëria po përgatitet për zgjedhje të reja të cilat janë tepër të rëndësishme për demokracinë në Shqipëri, të ardhmen e vendit dhe për maturinë politike që duhet të tregojë politika shqiptare. Një nga miqtë tuaj socialistë, Ilir Meta ka deklaruar që i gjithë ky proces që po shoqëron hartimin e një Kodi të ri Zgjedhor është në kundërshtim me interesat e partisë që ai drejton dhe të gjithë shqiptarëve. A jeni informuar ju mbi këtë situatë dhe a keni kontaktuar ju me mikun tuaj në lidhje me gjithë këtë situatë?
Unë jam shumë i qartë se procesi i hartimit të Kodit Elektoral është një proces shumë i rëndësishëm, por më e rëndësishmja është që të krijohet një situatë pozitive dhe gjithpërfshirëse, sepse me sa jam informuar unë jo të gjitha partitë janë përfshirë në këtë proces. Dhe është shumë e qartë, që partia e mikut tim Ilir Meta po shmanget nga ky proces. Berisha me Ramën kanë një synim shumë të qartë, për ta përjashtuar partinë e Ilir Metës nga ky proces dhe këtë ne nuk mund ta pranojmë. Ndaj për këtë unë kam organizuar një takim midis Ilir Metës dhe Komisionerit përgjegjës për zgjerimin e BE-së, Oli Rehn. Ndaj ne jemi të bindur se duhet të ndjekim me shumë vëmendje se çfarë po ndodh në Shqipëri në këto momente.
Në fakt zoti Olli Rehn u shpreh dy ditë më parë gjatë paraqitjes së Progres-Raportit për Shqipërinë, se zgjedhjet e 2009-ës, janë shumë të rëndësishme për Shqipërinë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian. Gjatë komunikimeve që keni pasur ju me z. Rehn, cili ka qenë reagimi i tij mbi këtë çështje, gjatë përgatitjes së Kodit Zgjedhor në Shqipëri?
Unë i kam paraqitur zotit Rehn frikën dhe shqetësimet e mia në lidhje me këtë situatë dhe për zhvillimet e tjera në Shqipëri. Në këtë kontekst mund të them se z.Rehn ka treguar një angazhim të madh mbi këtë çështje dhe ka rënë dakord që të zhvillojë një takim dhe të bisedojë me z.Ilir Meta dhe me përfaqësues të Qeverisë, me parti të tjera dhe organe të tjera shtetërore. Këto zgjedhje janë kruçiale për të ardhmen dhe për demokracinë në Shqipëri, ndaj çështja kryesore e imja në këtë proces të përgatitjes së zgjedhjeve është që të gjitha partitë dhe të gjitha interesat e votuesve duhet të përfaqësohen në këtë proces. Sepse tendenca për të përjashtuar dikë krijon një atmosferë mosbesimi dhe kjo është totalisht në kundërshtim me atë ç’ka ka nevojë Shqipëria në këto momente. Shqipëria ka nevojë për më shumë bashkëpunim, më shumë mirëkuptim, më shumë dialog midis palëve për të ardhmen e saj.
Zoti Shultz, ju jeni përpjekur disa muaj më parë që të negocionit ndërmjet kryetarëve të partive të majta për t’i ribashkuar ata. Por sot duket që Edi Rama dhe Ilir Meta janë duke ecur në dy rrugë krejtësisht të ndryshme. A keni ju ndonjë mesazh për t’u dhënë këtyre dy kryetarëve?
Po sigurisht kam një mesazh edhe në këto momente. Partia e Edi Ramës është një parti anëtare e Internacionales Socialiste dhe unë jam në kontakte të vazhdueshme dhe të ngushta me këtë parti për shkak edhe të pozicionit tim. Ndërsa Ilir Meta, është një mik prej shumë kohësh dhe në këtë kontekst unë mendoj se në këto momente na duhet një e majtë e bashkuar në Shqipëri dhe mesazhi im për Ilir Metën dhe Edi Ramën, është se në këto momente ka shumë nevojë për një bashkëpunim midis të majtës dhe të gjithë partive. Ndaj të gjitha partitë e majta duhet të marrin në konsideratë se një e majtë e ndarë, është padyshim një avantazh i madh për të djathtën.
Për ju si një drejtues i lartë socialist, a është normale që Edi Rama po përpiqet të përjashtojë Ilir Metën nga ky proces?
Absolutisht jo. Sikurse i kam thënë komisionerit Olli Rehn, çështja nuk shtrohet vetëm për Ilir Metën dhe partinë e tij, por çështja qëndron se të gjithë partitë e tjera duhet të përfshihen në këtë proces demokratik për të krijuar një Komitet, apo një organizatë, sepse përjashtimi i partive nga përgatitja e zgjedhjeve është gjithmonë një gabim shumë i madh.

OSBE: Procesi të jetë gjithëpërfshirës

Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Tiranë kërkoi gjithpërfshirje të forcave politike në procesin e administrimit të votave në zgjedhjet e ardhshme. Këtë deklaratë Robert Bosch e bëri gjatë protestës që anëtarë të Konventës Kombëtare dhe simpatizantë të LSI-së zhvilluan para prezencës së OSBE-së një javë më parë. Gjatë komunikimit me drejtuesit e protestës, Bosch shprehu mendimin dhe besimin e tij, që formula e KQZ duhet të jetë jo 6+1, siç po e bëjnë PS dhe PD, por 8+1, ku të jetë dhe anëtari i LSI në Komisionet e administrimit të votave. Sipas kreut të prezencës së OSBE-së në Tiranë, “tashmë kemi një sistem të ri dhe do përpiqemi që të aplikojmë këtë sistem të ri në mënyrë sa më të lirë dhe të ndershme, që të jetë e mundur. Ne si OSBE do ushtrojmë presionin tonë, që ky proces të jetë sa më gjithëpërfshirës”.

PS: KQZ me 9 anëtarë krijon probleme

Aristir Lumezi

Kemi bërë një KQZ që do t’i rezistojë kohës dhe jo vetëm zgje-dhjeve të përgjithshme të 2009. Partia Socialiste i ka dhënë dje përgjigje të gjitha deklaratave të bëra në lidhje me monopolin e dy partive të mëdha PD-PS në procesin e administrimit të zgjedhjeve të ardhshme, duke i cilësuar ato spekulime. Eksperti ligjor i PS, Damian Gjiknuri, një nga bashkëautorët e projektkodit të ri Zgjedhor sqaroi dje qëllimin e kompozimit të KQZ-së së re me 7 anëtarë. Sipas një KQZ me 7 anëtarë do të funksionojë më mirë. “Numri 7 i KQZ-së ka qenë i parashikuar edhe në Kushtetutë deri në vitin 2006. Të mos harrojmë që KQZ është një organ i përhershëm për administrimin e zgjedhjeve dhe jo thjesht një forum për përfaqësimin politik të partive. Pikërisht, nisur nga nevoja për profesionalizëm dhe për një numër efikas anëtarësh, u mendua që numri 7 është më i pranueshëm dhe siguron balancën më të mirë mes përfaqësimit dhe vendimmarrjes. Çdo alterim apo kërkesë alternative për rritjen e numrit të komisionerëve do të të hapte pretendimet nga çdo parti që të kërkojë përfaqësim në Komision, duke zhvlerësuar kështu rekomadimin bazë të OSBE/ODHIR për këtë çështje dhe duke hapur rrugën e përsëritjes së problemeve të mëparshme në lidhje me komisionet zgjedhore”, tha eksperti i PS. Gjiknuri u shpreh se përfaqësimi i PD dhe PS me dy anëtarë në KQZ i korrespondon përfaqësimit dhe peshës që ato kanë në Kuvend, ndërsa ka hedhur poshtë përfaqësimin e partive të dala nga fenomeni dushk. “Pretendimi se rezultati i Dushkut s’duhet marrë parasysh e konfuzon edhe më shumë problemin, pasi institucionet ngrihen në bazë të fakteve e realiteteve juridike, dhe jo në bazë të nocioneve politike, qoftë ky edhe fenomeni Dushk. Ligji është bërë për t’i qëndruar kohës pavarësisht se cila parti është e dyta apo e treta në këtë moment apo pas zgjedhjeve”, tha Gjiknuri. Eksperti ligjor i PS-së shprehet se në komisionet e numërimit të votave në nivel qarku, i është dhënë fuqi ligjore vëzhguesve të çdo partie, por dhe infrastrukturës, proces që do të ndiqet me kamera. “Në këtë kod, i jepet kompetencë vëzhguesit të subjekteve të papërfaqësuara në numërim, që nëse nuk është dakord me vlerësimin e votës të kërkojë kontestimin e saj dhe kjo kërkesë automatikisht pranohet por dhe me aplikimin e teknologjisë së informacionit, procesi i numërimit do të bëjë hapa përpara dhe nuk e rrezikon aspak votën e shqiptarëve”, tha Gjiknuri.

Ndoka: “S’do lejojmë vjedhjen e votës”
Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka akuzoi dje nga Gramshi dy partitë e mëdha PS-në e PD-së se po tentojnë të manipulojnë zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009. Duke folur gjatë një takimi në bazë, kreu i demokristianëve u shpreh se “në kundërshtim me Kushtetutën e vendit dhe në kundërshtim me rekomandimet e partnerëve tanë ndërkombëtarë, dy partitë e vjetra po përpiqen të miratojnë një kod zgjedhor, që përjashton nga konkurrimi politik çdo forcë politike dhe çdo politikan që nuk i bindet dhe që nuk nënshtrohet nga dyshja Rama-Berisha”. Sipas tij “Rama dhe Berisha kanë marrë vendimin për deformimin dhe dhunimin e demokracisë tonë nën presionin e tkurrjes së tyre elektorale. Këto dy parti të marra së bashku, nuk përbëjnë më maxhorancë në Shqipëri. Ato sipas sondazheve, të dyja së bashku, kanë vetëm 43 për qind të votave”.

Meta: Për zgjedhjet mbetem student i Dhjetorit

Kryetari i LSI-së Ilir Meta tha dje se mbetet student i dhjetorit për të rikthyer demokracinë në vend. “Po u them për herë të fundit kardiologut të shokut Hysni dhe nipit të shokut Spiro se Ilir Meta mbetet student i dhjetorit dhe me Ilir Metën do të jetë e gjithë Shqipëria. Sepse Ilir Meta kur doli në dhjetor, nuk doli për t’u bërë deputet dhe kryeministër, ndaj Ilir Meta ka dalë dhe do të dalë në këtë betejë, jo për t’u bërë kryeministër, por për të mbrojtur lirinë e shqiptarëve dhe për të penguar diktaturën dhe njerëzit e kapur nga karteli i krimit”, tha Meta. këtë deklaratë Meta e bëri gjatë përshëndetjes që i bëri konferencës së Forumit të Grave të kësaj force politike në Tiranë. Duke përkrahur mbështetjen që gratë e LSI i japin betejës së grupit parlamentar për mbrojtjen e votës së lirë, Meta tha se kjo betejë do të dalë me sukses. “Solidariteti dhe përkrahja juaj, jo vetëm më entuziazmon, por edhe ma shton akoma më tej bindjen se përpjekja e madhe, që ne kemi nisur do të kurorëzohet me një sukses të diskutueshëm, sepse për këtë fitore, që do të jetë e gjithë shqiptarëve mbi këtë përpjekje tërësisht antidemokratike dhe antikombëtare të Sali Berishës dhe të Edi Ramës, për të mbyllur çdo rreze shprese, perspektive dhe demokratike në këtë vend”, tha Meta. Kryetari i LSI-së përgëzoi këtë organizim të grave dhe të të rinjve të kësaj partie dhe u shpreh i bindur se hapësirat demokratike gjenden vetëm në këtë parti politike. “Jam i bindur, se ky organizim i Gruas për Integrim, në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë, do të rrisë dhe do ta bëjë shumë më të fuqishëm edhe rolin e gruas në këtë forcë politike, e cila po luftohet kaq shumë, kaq padrejtësisht nga Sali Berisha dhe nga Edi Rama, vetëm për një arsye, sepse po sjell shumë dritë, shumë shpresë, shumë mundësi. Ata të rinj dhe të reja, ata njerëz, të cilët kurrë nuk mund ta gjenin veten as tek partia e Sali Berishës, por as tek parti-bashkia e Edi Ramës”, tha Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›