Porto Romano, miratohet projekti për parkun energjetik
Oerd Ulqini
Këshilli i Qarkut të Durrësit miraton me shumicë dërrmuese vendimin për ta shndërruar Porto-Romanon në një park energjetik. Rreth 810 hektarë llogaritet të jetë sipërfaqja, që do të përfshijë brenda saj dy njësitë e teceve me qymyr, tankerat e karburanteve, pontilin si dhe pajisje të tjera shtesë. Studimi u paraqit në sallën e Këshillit të Qarkut nga specialisti Stavri Dhimo, i cili shtoi se “falë këtij parku Shqipëria do të shndërrohet në një superfuqi energjetike në Rajon”. Vota e vetme kundër ishte ajo e arkitektit Viktor Dhimbgjini, ndërsa 15 të tjera, përfshirë këtu votat e kryebashkiakut Vangjush Dako dhe të kryetarit të Këshillit të Qarkut Seid Kërtusha miratuan vendimin. Në këtë takim oponenca ishte sipërfaqësore dhe debatet mjedisore të vakëta. Mesa duket votuesit e kishin ndarë mendjen se vendimi për miratim duhej të merrej me urgjencë. Në diskutimin përpara votimit nuk u përmend fare efekti shkatërrues i gazit CO2 si dhe sanksionet e ashpra që burojnë nga Protokolli i Kiotos me të cilën Shqipëria do të përballet në vitin 2015. Brenda vitit 2014 në Porto Romano të Durrësit do të ndërtohet një termocentral gjigand me qymyr, kapaciteti i të cilit do të jetë 1600 mega. Ai do të ketë dy njësi dhe dy rrjete shpërndarjeje, një ajror për të furnizuar Tiranën dhe një nëndetar për të furnizuar me energji elektrike Italinë e jugut. Jetëgjatësia e këtij termocentrali do të variojë nga 25-30 vjet, pas inagurimit. Lënda e parë djegëse, qymyri do të importohet. Ajo do të shkarkohet përmes konteinerëve në Pontilin e Porto-Romanos. Por sipas Dhimos, sinjale optimizmi vijnë nga kërkimet gjeologjike nëndetare, të cilat po shtrihen me anije të posaçme nga Durrësi në Shëngjin.
LSI: Ndërtimi i teceve,pabesi ndaj Durrësit
Vetëm pak minuta në distancë kohore nga vendimi i Këshillit të Qarkut për të miratuar Parkun Energjetik në selinë e LSI-së ka nisur një konferencë e jashtëzakonshme për shtyp. Sekretari politik i Qarkut Durrës-Krujë, Iliaz Labi u shpreh se ky vendim është dëmi dhe pabesia më e madhe që i është bërë ndonjëherë Durrësit. Sipas Labit, vendimi duhet anuluar menjëherë, pasi në të kundërt jeta në këtë qytet do të sundohej nga dioksidi i karbonit, një gaz shkatërrues që prodhon sëmundje kronike dhe vdekje. Dioksidi i karbonit që do të çlirojë ky termocentral mbetet ende i pakapshëm për shkencën e sotme botërore dhe si i tillë është i pamundur të thithet me filtra të veçantë. Në vitin 2015 në bazë të “Protokollit të Kiotos” hyjnë në fuqi penalizime të rënda për ato shtete që çlirojnë në atmosferë gazin CO2. Gjoba prej 26 dollarë për ton e shteteve që emetojnë dioksid karboni do të paguhet nga taksapaguesit shqiptarë, pasi TEC-i mbaron në 2014, ndërsa në 2015 hyn në fuqi “Protokolli i Kiotos”.