Firma u themelua 46 ditë para lejes
GJIROKASTER
Firma “Arti Ndërtim” sh.p.k, e cila po kryente punimet pranë pallatit të shembur, është themeluar 2 muaj para se të fitonte lejen e ndërtimit nga KRRT-ja e Gjirokastrës. Vetëm 46 ditë pasi është njohur zyrtarisht si biznes nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit, kësaj firme i është dhënë e drejta për të nisur punimet për pallatin në lagjen “11 Janari”. Në ditën e dytë të tragjedisë në Gjirokastër, rrugët e saj janë pushtuar nga një “trakt”, i ngjitur nëpër shtylla nga persona të panjohur. Në fakt bëhet fjalë për faqen e parë të lejes së ndërtimit për firmën “Arti Ndërtim” shpk, në lidhje me objektin 8-katësh që pritej të ngrihej. Ajo që të bën përshtypje është data e vendimit të KRRT-së, pikërisht më 13 qershor 2008, ndërkohë që sipas Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, kjo firmë rezulton të jetë regjistruar vetëm në 29 prill 2008. Sipas këtij dokumenti, i cili mban vulën e sekretares së KRRT-së së arrestuar dje, Afërdita Papamihali dhe kryebashkiakut Flamur Bime si kreu i KRRT-së. Në bazë të kërkimit të bërë nga gazeta, në sitin e QKR-së zbulohet dokumenti që tregon të dhënat e kësaj firme. Më 21 prill 2008 është bërë themelimi i saj nga pronarët Sotiraq Janora dhe Aristotel Haxhi, të dy me aksione të barabarta. Pikërisht në këtë ditë, firma e sapokrijuar “Arti Ndërtim” ka marrë zyrtarizimin ligjor nga ana e noteres. Dokumentacioni është dorëzuar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, ku vetëm në datën 29 prill të këtij viti është bërë regjistrimi i saj, me objekt: “Ndërtim objektesh të ndryshme, ujësjellësish, tregti e përgjithshme import-eksport”. Sipas dokumentit të shpërndarë në qytet, leja e ndërtimit nga KRRT-ja e Gjirokastrës për këtë firmë është dhënë jo më larg se 13 qershori. Kjo do të thotë që në 46 ditë, kohë kur është miratuar me shumicë votash në KRRT, firma të ketë përgatitur të gjithë dokumentacionin. Por, të plotësosh të gjithë procedurën për të marrë një leje ndërtimi të një kompleksi banimi, sidomos në një zonë problematike si ajo e kodrës ku ndodhi tragjedia, duket e pamundur për këtë periudhë të shkurtër. Sipas procedurës, firmës i duhej të përgatiste projektin e ndërtimit, të kryente studimin e fizibilitetit të zonës, nëse cenonte ose jo hapësirat publike, të merrte leje në ndërmarrjet e ujësjellësit, zjarrfikësit etj. Më pas të dhënat i kalojnë për shqyrtim Këshillit Teknik të Bashkisë, me specialistët e saj, ku hyjnë dhe gjeologët, për të përfunduar në komisionin e KRRT-së. Logjikisht, këto duken të pamundura për t’u realizuar në 46 ditë, sado e specializuar të jetë ajo. Të gjitha dyshimet të çojnë te ndikimet e fuqishme që mund të jenë shfrytëzuar te përfaqësuesit e KRRT-së për të miratuar lejen për pallatin buzë rrugës nacionale.
Ndërtuesit, firma nuk është pjesë e shoqatës
Shoqata e Ndërtuesve ka reaguar dje, pas tragjedisë së ndodhur pak ditë më parë në Gjirokastër, ku si pasojë e shembjes së një pallati, humbën jetën tre persona. Sipas ndërtuesve kjo kompani, bën pjesë në shoqatën e ndërtuesve. “Ndodh shpesh që kompani të ashtuquajtura fantazmë, që ngrihen dhe vdesin me ndërtimin e një pallati marrin përsipër të ndërtojnë vepra jashtë kapaciteteve të tyre. Shoqata e Ndërtuesve është e gatshme të marrë përsipër krijimin e një institucioni ndoshta në formën e një Urdhri, ku kompanitë do të marrin vlerësimin real për punën, që janë të afta të bëjnë”, janë shprehur drejtues të Shoqatës së Ndërtuesve. Sipas ndërtuesve vetëm pak kohë më parë qeveria fshiu disa leje dhe licenca shumë të rëndësishme, që kanë të bëjnë me sektorin e ndërtimit. “Mund të marrim një shembull tipik, që ka të bëjë me patentën e manovruesve të makinerive të rënda, e cila nuk jepet më. Tashmë, askush nuk të pengon të ushtrosh këtë profesion, pa kaluar në kursin përkatës, që bëhej pranë SHNSH”, deklaruan ndërtuesit.