Bie fuqia blerëse, shitjet e biznesit të vogël ulen me 3,5 për qind
Ervin Koçi
Biznesi i vogël e ka mbyllur pjesën e parë të vitit me një regres të ndjeshëm në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë (6-mujori i parë 2007). Këto statistika alarmante i kanë “shpëtuar” administratës tatimore, e cila nga sa mësohet ka hapur edhe mjaft procese gjyqësore për subjektet që janë mbyllur pa paguar asnjë detyrim tatimor. Sipas këtyre të dhënave, shitjet e kryera nga biznesi i vogël kanë rënë me 3,5 për qind gjatë gjashtë muajve të fundit, në një kohë që kulmi i kësaj rënie ka arritur në muajin korrik. Të dhëna nga administrata e Tatimeve bëjnë me dije se rezultatet e paraqitura nga biznesi me anë të bilanceve të tij tregojnë për një rënie të shitjeve krahasuar me 6-mujorin e mëparshëm. Rënia në një nivel të tillë e shitjeve me pakicë të biznesit të vogël në një vend me ekonomi që rritet vetëm me 6 për qind në vit, sipas të dhënave zyrtare, është një tregues i jashtëzakonshëm i rënies së fuqisë blerëse dhe një tregues po kaq i keq i thellimit të hendekut mes të varfërve dhe pasurve. Vetëm pak ditë më parë INSTAT-i tha se mbi 30 për qind e konsumit në vend realizohen nga rreth 5 për qind e popullsisë, ndërkohë që pjesa tjetër prej mbi 90 për qind të popullatës konsumonte 70 për qind të totalit të konsumit të përgjithshëm.
Shkaqet
Rritja e çmimeve, sidomos e artikujve të importit, rritja e kostove të prodhimit dhe e lëndëve të para, sidomos për industrinë ushqimore, rritja e karburanteve dhe e lëndëve djegëse, mbajtja në vend e numrit të të punësuarve (zyrtarisht që prej 3 vitesh janë punësuar rishtas 5 mijë ose rreth 0,1 për qind e numrit total), kanë bërë që shitjet me pakicë të jenë në këtë gjendje. Aktualisht, në Shqipëri, numërohen mbi 85 mijë biznese të vogla, të cilat paguajnë një tatim fitimi prej 1,5 për qind, të cilin e mbledhin organet e qeverisjes vendore. Por treguesit dhe raportimet në bilancet e Ministrisë së Financave nga pushteti vendor, që raportojnë për ulje të arkëtimeve të tatimeve dhe taksave ndaj subjekteve të vogla, tregon pikërisht rënien e këtyre të fundit. Gjatë gjashtë muajve të dytë të vitit të kaluar, sipas të dhënave të administratës së tatimeve, numri i bizneseve të vogla që ishin të regjistruara dhe që paguanin tatim fitimi ishte rreth 76 mijë syresh dhe ndërkohë ky numër më i vogël biznesesh kishte kryer një xhiro të përgjithshme më të madhe sesa 85 mijë biznese në gjashtë muajt e parë të këtij viti.
Arkëtimet
Në buxhetin e shtetit të ardhurat nga biznesi i vogël janë parashikuar pak më shumë sesa 2,9 miliardë lekë (2,959) për këtë vit, të cilat zënë rreth 0,3 për qind të Prodhimit të Përgjithshëm Bruto. Sipas të dhënave zyrtare nga DPT-ja, gjatë vitit që kaloi biznesi i vogël rezultoi të ketë kryer gjatë gjashtë muajve të dytë një xhiro prej rreth 10,110 miliardë lekësh ose mbi 120 milionë dollarë. Po sipas të njëjtave burime, gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti ky zë i biznesit ka kryer një xhiro që është rreth 9,7 miliardë lekë. Këto të dhëna dëshmojnë qartë se, me gjithë rritjen e dukshme të çmimeve dhe me gjithë numrin e rritur të bizneseve të vogla shitjet e këtij të fundit kanë rënë. Kjo gjë dëshmohet në fakt edhe nga rënia e lehtë e konsumit në këta muaj. Pavarësisht faktit se rënia është në vlera jo shumë të theksueshme, ajo përsëri është një shenjë e keqe që drejtpërdrejt ka të bëjë me rënien e pushtetit të blerësve ose më saktë me rënien e fuqisë blerëse dhe uljen e nivelit të konsumit.
2 Shtator 2008