Ministria e Bujqësisë shfajësohet për farërat dhe fidanët e skaduar
Në tregun shqiptar të farërave dhe fidanëve operojnë 27 kompani të licencuara nga Ministria e Bujqësisë për importin e farërave bujqësore dhe nuk ka monopole. Ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana, tha se, ndërkohë janë 310 kompani në të gjithë vendin që shesin fara dhe fidanë të të gjitha llojeve, konform rregullave të cilësisë dhe sigurisë për mbrojtjen e shëndetit të konsumatorit. Duke vlerësuar problemin me 100 kv farë misri, e cila prodhonte vetëm kallinj bosh (ngjarje e ndodhur ditët e fundit në zonën e Matit, Elbasanit e Peqinit), kreu i Bujqësisë tha se inspektorët po kryejnë me rigorozitet dhe saktësi kontrollin e farërave dhe fidanëve në të gjithë vendin. Për mbjelljet e pranverës 2008, tha Gjana, janë kontrolluar 27 subjekte importuese dhe janë asgjësuar 1237 kv farë misri e papërshtatshme për mbjellje. “Kjo tregon se nuk kemi pasur arsye për të mos e groposur edhe 100 kv farë misri tjetër, pasi kjo sasi ka rezultuar me probleme gjatë stadit të prodhimit”, theksoi ministri Gjana. Megjithatë, u shpreh ministri i Bujqësisë, janë ngritur grupet e kontrollit, që po identifikojnë në terren, në dy qarqe të vendit, situatën e prodhimit bosh të kallinjve. Gjana, theksoi se dëmshpërblimi i fshatarëve, që nuk kanë marrë prodhim misri, do bëhet pasi të merren rezultatet e analizave të farës. Firma “Agro Blend” ka importuar nga Franca 100 kv farë misri, që ka rezultuar me probleme gjatë fazës së pjalmimit.
IQT, rregulla të reja për produktet elektrike që hyjnë nga Kina
Në tregun vendas ka shumë produkte elektrike që shiten në mënyrë të parregullt. Një pjesë e tyre rezulton të jenë false, por çmimet e shitjet janë goxha të larta. Kështu është shprehur kreu i Inspektoratit Qendror Teknik, Ilir Kurti. Sipas tij, në prill të këtij viti është miratuar një vendim, në bazë të të cilit që nga janari i vitit të ardhshëm nuk do të lejohet që të hyjnë në treg mallra false. Një proces i tillë do të realizohet në bashkëpunim me doganën shqiptare. “Ne kemi nisur bashkëpunimin me doganat, dhe mund të them që brenda një viti, në Shqipëri nuk do të ketë më prodhime false, që zënë një peshë të madhe sot në tregun shqiptar. Materiale false nuk do ketë më. Situata aktuale në treg është shumë alarmante përsa i përket elektroshtëpiakeve apo kondicionerëve, pasi pjesa më e madhe janë prodhuar në mënyrë false”, ka thënë ai. Sipas tij, çdo prodhues, apo shitës në Shqipëri që importon produkte, duhet të ketë një dosje për çdo pajisje që shitet. “Kjo dosje teknike duhet të ruhet për 10 vjet, që do të thotë që në çdo moment brenda këtij 10-vjeçari, strukturat përgjegjëse për kontrollin e tregut do ta kontrollojnë, dhe të mbajë përgjegjësi prodhuesi, apo shitësi për sigurinë e këtij produkti”, - vijoi Kurti.
2 Shtator 2008